Ndërlidhjet

UNDP HEDH POSHTË AKUZAT E MINISTRIT PETKOVIÇ


Albana Isufi, Prishtinë

Akuzat e Ministrit të Kthimit Sllavisha Petkoviq drejtuar UNDP-së se 6 milionë euro të dedikuara për kthimin e të zhvendosurve nuk figurojnë askund, janë hedhur poshtë sot nga zyrtarë të UNDP-së. Qeveria vitin e kaluar i ka besuar UNDP-së 10. 3 milionë euro për të zbatuar projektet e kthimit. Deri tash sipas zyrtarëve të UNDP-së, rreth 5 milionë euro janë shpenzuar për kthim të organizuar në Ferizaj, Klinë dhe Leposaviq. Dy milionë euro janë përdorur për kthim individual në 5 komuna të Kosovës. Ndërsa pjesa e mbetur do shpenzohet në vitin 2006.

“Nga këto para në vitin 2006 kemi implementuar 6 projekte për kthim të organizuar, nga të cilat do të përfitojnë 160 familje në tërë Kosovën dhe do të ofrojnë të ardhura gjeneruese si rindërtim dhe rehabilitim. Po ashtu gjatë këtij viti kemi ndihmuar rreth 100 familje për kthimin individual. Në fund të këtij viti ne do shpenzojmë afërsisht 7 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër do të shpenzohet në vitin 2007 në bazë të marrëveshjeve që kemi me qeverinë dhe UNMIK-un”, thotë zëvendësshefi i UNDP-së në Kosovë, Martin Hildebrants.

Bastisja e Ministrisë së Kthimit nga ana e një njësie speciale të policisë tri ditë më parë dhe arrestimi i ish- udhëheqësit të prokurimit Nemanja Vujoviq, nën akuzën për keqpërdorim të fondeve për kthim, ka bërë që Ministri i Kthimit Sllavisha Petkoviq të reagojë, duke akuzuar UNDP-në se është ajo që po keqpërdor mjetet.

Sërisht Hildebrants nga UNDP-ja.
“Ne kemi raporte mujore që i dërgohen Ministrisë së Kthimit, asaj të ekonomisë dhe zyrës së kryeministrit dhe është një bord këshillëdhënës, që udhëhiqet nga ministria ku përveç Ministrisë dhe UNDP-së marrin pjesë edhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë”, thotë Hildebrants.

Zëvendësministri i Kthimit Nazmi Fejza, thotë se raportet që i marrin nga UNDP nuk janë gjithmonë të plota.
“Raportet janë marrë kohë pas kohe. Nuk janë të plota, por ne me UNDP-ne na ndan nje ndërtesë, jemi aq afër, dhe ato shënime që na mungojnë mund t’i marrim nëse kemi vullnet,” thotë Nazmi Fejza.

Sido që të jetë Fejza nuk pajtohet me ministrin Petkoviq se UNDP ka keqpërdorur mjetet.
Ai thotë se kjo mbetet të zbulohet nga hetuesia dhe auditori gjeneral. Fejza thotë se UNDP-ja mund të bëjë më shumë, por edhe ministria duhet të ketë gatishmëri për të kërkuar llogari mbi shpenzimin e mjeteve.

“Unë nuk mendoj se UNDP-ja i ka keqpërdorur ato mjete. Ato mjete janë përdorur për destinacione, për çka në vendimmarrje ka marrë pjesë dhe qeveria, ka marrë pjesë dhe zyra për komunitetet pakicë pranë UNMIK-ut", tha zoti Fejza.

Sido që të jetë, sipas hetuesisë diçka nuk është në rregull me menaxhimin e fondeve të kthimit. Për këtë edhe Nemanja Vujoviq i Ministrisë së Kthimit gjendet prapa hekurave.
Zëdhënësi Singh thotë se ka evidenca për keqpërdorim fondesh.

“Është fakt që operacioni është bërë në përputhje me ligjin dhe gjykatësit janë bazuar në të dhëna të besueshme të korrupsionit, duke përfshirë edhe keqpërdorimin e fondeve nga ministria.
Polici a ka zbatuar urdhrin e prokurorëve dhe një person është arrestuar në lidhje me këtë”, thotë Singh.

Zëvendësministri Fejza shpreson se arrestimi i ish udhëheqësit të prokurimit do të qesë në pah parregullsi të tjera.
"Shpresoj shumë se ashtu siç thotë populli, ngre një kashtë dhe dalin gjashtë, unë besoj që do të ndodhë ajo dhe gjendja në ministri do të pastrohet", tha zoti Fejza.
XS
SM
MD
LG