Ndërlidhjet

ÇEKU E VLERËSON JOREALIST QËNDRIMIN AKTUAL TË RUSISË PËR KOSOVËN


Albana Isufi, Prishtinë

Kryeministri Agim Çeku beson se do të duhen vetëm tre muaj për të përfunduar periudhën e tranzicionit të pushtetit të UNMIK-ut në qeverinë e Kosovës dhe në zyrën e ardhshme civile ndërkombëtare në Kosovën e pas statusit.

Pas takimit të rregullt me shefin e UNMIK-ut Joachim Ruecker, zoti Çeku ka thënë se përgatitjet për këtë tranzicion kanë filluar, dhe javën e ardhshme do ketë edhe hapa konkrete.

“Javën e ardhshme do të formohen grupet punuese konkrete. Do të jenë 6 grupe që do të ndahen në nëngrupe dhe do ndahen në atë të sigurisë e drejtësisë, infrastrukturës ligjore, të buxhetit dhe ekonomisë, administrimit civil dhe dokumentacionit,” tha Çeku.

Kryeministri Çeku thotë se do të kërkohet forma më e mirë e tranzicionit me qëllim që ky proces të mos zgjatet shumë.
“Kemi filluar përgatitjen që statusi të na gjejë të gatshëm, që menjëherë të implementojmë pakon e statusit dhe tranzicionit. Na nevojiten vetëm 3 muaj. Puna kryesore është miratimi i kushtetutës dhe ligjeve që do dalin nga ajo”, tha Çeku.

Ka qenë qëndrim i përbashkët i kryeministrit Çeku edhe shefit të UNMIK-ut Joachim Ruecker, se zgjidhja e statusit të Kosovës duhet të përfundojë sa më shpejt, mundësisht brenda këtij viti.

“Ne po udhëhiqemi nga deklarata e Grupit të Kontaktit të janarit dhe të shtatorit se duhen bërë të gjitha përpjekjet për të gjetur zgjidhjen brenda këtij viti. Unë besoj shumë se ky moment do të respektohet”, thotë Ruecker.

Kryeministri Çeku thotë se shtyrja e zgjidhjes së statusit është e dëmshme.
“Do të bëjmë çka është e mundur që të mos shtyhet statusi, që agjenda e statusit të mbetet se do të definohet brenda këtij viti. Këto janë kërkesat tona në çdo kontakt me diplomatë ndërkombëtarë, ku argumentojmë se sa e dëmshme dhe e panevojshme është një shtyerje e statusit”, tha kryeministri Çeku.

Këtë argumentim Çeku thotë se do ta bëjë edhe në vizitat diplomatike të radhës. Ai nesër do të qëndrojë në Mal të Zi, ndërsa të dielën dhe të hënën, së bashku me kreun e UNMIK-ut do jenë në kryeqytetin sllovak.

Deri tash qeveria nuk ka marrë përgjigje ndaj kërkesës së saj për të vizituar Moskën. Kryeministri Çeku qëndrimin e deritashëm të Rusisë karshi statusit të Kosovës e sheh si një qëndrim jorealist.

“Deri tash Rusia ka qenë njësoj me Grupin e Kontaktit dhe parimet janë marrë me konsensus. Mendojnë se edhe përkundër këtij qëndrimi, Rusia do të ruajë qëndrimin e Grupit të Kontaktit. Nuk mendoj se Rusia ka këtë qëndrim se dëshiron ta mbështesë Serbinë. Ne kemi kërkuar takime direkte me autoritete ruse në mënyrë që t’i sqarojmë pozicionet tona dhe të njohim ata më për së afërmi me argumentet tona, se një qëndrim i tillë nuk është konstruktiv dhe nuk është realist”, tha kryeministri Çeku.

Në takimin e sotëm është biseduar edhe për raportin për gjendjen në Kosovë, që kreu i UNMIK-ut Joachim Ruecker do të paraqesë në fillim të dhjetorit para Këshillit të Sigurimit të OKB-së.



XS
SM
MD
LG