Ndërlidhjet

DOBBINS:"PERENDIMI DO TË ZGJIDHË STATUSIN E KOSOVËS EDHE PA RUSINË"


James DOBBINS, ish - emisar i SHBA-ve për Ballkanin

RADIO EVROPA E LIRË
Gjatë vizitës së tij të fundit në Prishtinë dhe Beograd, I dërguari amerikan për statusin e Kosovës, Frenk Uisner tha se çështja e statusit duhet të zgjidhet këtë vit. Por, poashtu ka edhe zëra që kërkojnë shtyrje. Si i shihni ju zhvillimet e ardhshme për këtë çështje?

JAMES DOBBINS
Mendoj se ka gjasë që presidenti Ahtisari të paraqesë raportin e tij para fundit të vitit, por nuk mendoj se është e mundshme që Këshilli i Sigurimit të veprojë deri atëherë. Mendoj se Këshillit të Sigurimit do t'i duhen një apo dy muaj që të veproj në këtë çështje. Ka disa sugjerime që veprimi apo trajtimi i raportit të Ahtisarit në Këshillin e Sigurimit duhet të presë zgjedhjet në Serbi dhe nëse zgjedhjet në Serbi do të mbahen shumë shpejt, atëherë kjo do të ndodhë. Nëse do të shtyhen, atëherë ky do të jetë një argument më pak bindës.

RADIO EVROPA E LIRË
E përmendët Serbinë dhe zgjedhjet. Me referendum Serbia e miratoi Kushtetutën e re, që thotë se Kosova është pjesë e Serbisë. A ka ndonjë ndikim të këtij referendumi në statusin e Kosovës?

JAMES DOBBINS
Nuk mendoj. Referendumi është thjesht një rikonfirmim i një qëndrimi të njohur serb. Mendoj se i lidhë duart qeverisë serbe, por duart e qeverisë serbe tashmë janë të lidhura, si rezultat i opinionit në Serbi. Mendoj se ka disa pikëpyetje për vlefshmërinë e referendumit, por nuk mendoj se ndokush kishte ndonjë dyshim për faktin se pavarësia e Kosovës nuk është popullore në Serbi. Poashtu, edhe më parë nuk ka ekzistuar ndonjë qeveri serbe që do ta pranonte atë vullnetarisht.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka pasur disa analiza në shtypin perëndimor se Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane do të kenë konflikt me Rusinë lishur me statusin e Kosovës. Çka mendoni për këtë çështje?

JAMES DOBBINS
Mendoj se qëndrimet e tyre ndryshojnë në njëfarë mënyre dhe është e mundur që në fund të mos përputhen. Mendoj se rusët kanë pasur gjithmonë një drejtim të ndryshëm nga të tjerët rreth kësaj çështjeje. Nga ana tjetër pozicioni i Rusisë nuk është ndonjë pozicion i fuqishëm. Nuk kontribuojnë me ndonjë ndihmë të rëndësishme, nuk kanë ndonjë rol të veçantë as në Kosovë dhe as në Serbi. Sa i përket Serbisë ajo shpreson që një ditë të integrohet në Bashkimin Evropian si gjithë Ballkani. Si Serbia dhe Kosova marrin ndihma nga Perëndimi dhe nuk di që kanë marrë ndonjë ndihmë nga Rusia. Pra, mendoj se pozicioni i Rusisë është i ndryshëm nga ai i Shteteve të Bashkuara. Mund të ekzistojë mundësia që të shkrihen këto ndryshime, por nëse jo, mendoj se vendet perëndimore, nëse do të jetë e nevojshme, do të ecin përpara pa Rusinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Dobbins, zyrtarë të lartë të Rusisë po thonë se Kosova paraqet precedent për disa "konflikte të ngrira" në ish shtetet sovjetike. Sipas jush, a është Kosova precedent?

JAMES DOBBINS
Mendoj që Kosova është një precedent që mund të interpretohet në dy mënyra. Mendoj që Kosova mund të jetë precedent për pavarësinë e Çeçenisë për shembull, ose mund të jetë një precedent për rajonet që dëshirojnë të shkëputen në Gjeorgji, Abkhazia për shembull. Nuk mendoj se rusët mund të zgjedhin vetëm një nga këto precedentë dhe të injorojnë të tjerët, prandaj mendoj që njëri mohon tjetrin sa i përket bindjeve argumentuese. Gjithsesi, precedent do të thotë që është thjesht një çështje tjetër diskutimi, është një argument tjetër për t'u përdorë. Bashkësia ndërkombëtare merr vendime sa i përket njohjes dhe çështjes së sovranitetit, për çdo rast më vete mbi bazën e një numri parimesh, të cilat nuk janë konsistente për vete dhe kërkojnë zgjidhje. Në rastin e Kosovës zgjidhja do të bëhet në bazë të së kaluarës së luftës në Kosovë në fund të viteve të 90-ta, nga vendimi i Serbisë për të shtypur autonominë e Kosovës në fund të viteve të 80-ta dhe nga sjellja e qeverisë serbe në shtypjen e të drejtave të shqiptarëve në Kosovë për rreth një dekadë. Dhe varësisht nga kjo e kaluar dhe të këtyre precedentëve komuniteti ndërkombëtar do të marrë vendimet e tij.

RADIO EVROPA E LIRË
E bëra këtë pyetje duke pasur parasysh, siç e përmendet edhe ju, diskutimet për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Rusia e ka të drejtën e vetos. Nga pikëpamja e juaj, a do të përdorin ata këtë veto në vendimin, të cilin ata e shohin si të pakënaqshëm për ta?

JAMES DOBBINS
Mendoj se është e mundur. Supozimi im është që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian nuk do ta dorëzojnë në Këshillin e Sigurimit rezolutën për të cilin mendojnë që Rusia do ta pengojë përmes vetos. Dhe nëse Rusia është e vendosur që të përdorë veton, atëherë ndoshta çështja nuk do të shtrohet fare për votim.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund ta bëni një orar të mundshëm të çështjes së statusit të Kosovës?

JAMES DOBBINS
Mendoj se raporti i Ahtisarit do të përfundoj para fundit të vitit, dhe besoj se do të duhen disa muaj para se trajtimi i çështjes nga Këshilli i Sigurimit të përfundojë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas jush, çfarë do të jetë vendimi i mundshëm?

JAMES DOBBINS
Mendoj se është bërë e qartë që nga fillimi se e vetmja zgjidhje e mundshme, e pranueshme për popullin e Kosovës është një formë e pavarësisë dhe e vetmja formë e pavarësisë që do të jetë e pranueshme për komunitetin ndërkombëtar është një pavarësi mjaft e kushtëzuar, me një nivel mbikqyrjeje ndërkombëtare të vazhduar dhe me një mbrojtje të fuqishme për pakicat. Sigurisht që zgjidhja duhet të jetë e pranueshme për shumicën e popullsisë në Kosovë dhe duhet të jetë e pranueshme edhe për komunitetin ndërkombëtar. Dhe këto janë dy kushtet, nën të cilat ato dy kërkesat mund të plotësohen. Mendoj se natyra e saktë e mbikëqyrjes ndërkombëtare dhe natyra e qartë e garancave për pakicat do të jenë dy pikat, të cilat raporti i zotit Ahtisari do t'i artikulojë qartë.

Intervistoi: Fatmir BUJUPI
XS
SM
MD
LG