Ndërlidhjet

KOSOVA E GATSHME PËR TË SHKUAR


"Economist" /Londër

Referendumi për Kushtetutën e re të Serbisë dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme janë pjesë e strategjisë së Beogradit për të zhagitur vendimin për statusin e Kosovës, por pavarësisht nga ky manovrim, është e sigurtë se Serbia do të humbasë Kosovën.

Deri në fund të marsit duhet pritur rezoluta e re për Kosovën në Këshillin e Sigurimit, në të cilën nuk do të përmendet fjala pavarësi, por pas miratimit të saj, Prishtina në formë të njëanshme do të shpallë pavarësinë.

Qëllimi i referendumit në Serbi ka qenë shtyerja e humbjes së Kosovës për disa muaj. Synohet që para pavarësimit të Kosovës, në Serbi të mbahen zgjedhjet, përmes të cilave do të evitohej ardhja në pushtet e radikalëve ekstremistë. Këtë e kanë miratuar Marti Ahtisari dhe diplomatët e tjerë që merren me Ballkanin.

Skenari është si vijon:Serbia mban zgjedhjet në dhjetor, ndërsa Ahtisari shtyn paraqitjen e verzionit përfundimtar të planit të tij për Kosovën para Këshillit të Sigurimit.

Me të përfunduar të zgjedhjeve në Serbi, Ahtisari paraqet propozimin për zgjidhjen e statusit të Kosovës, esenca e të cilit do të jetë pavarësia, por me sovranitet të kufizuar për disa vite. Kufizimet do të konsistojnë në vendosjen e funksionit të përfaqësuesit civil ndërkombëtar me autorizime të mëdha dhe prania e forcave nën komandon e NATO-s.

Bisedimet tash nuk zhvillohen ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por ndërmjet vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit. Lojtarët kryesorë janë – amerikanët dhe britanikët, që mbështesin pavarësinë dhe rusët që e kundërshtojnë atë.

Deri në mars pritet ujdia për rezolutën e re për Kosovën. Disa dhe mbase shumica e vendeve do të njohin shtetin e ri të pavarur, por të tjerat, duke përfshirë edhe Serbinë, nuk do ta pranojnë.
Shqiptarët e Kosovës me këtë do të jenë të kënaqur, por edhe ata do të gëlltisin një pilulë të hidhur, sepse pjesa veriore e Kosovës do të vazhdojë ta injorojë pavarësinë dhe do të vazhdojë të funksionojë si deri tash, si pjesë e Serbisë.

Do të mbeten apo do të shpërngulen serbët në pjesët e tjera të Kosovës, kjo do të varet nga zhvillimi i situatës. Në plan afatgjatë Koshtunica mund të shpresojë në ndarjen formale të Kosovës. Disa shqiptarëve kjo do t'u pëlqejë, por vetëm nëse për kompensim marrin pjesën jugore të Serbisë, përkatësisht Luginën e Preshevës.

XS
SM
MD
LG