Ndërlidhjet

BAGDAD


Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe janë në mesin e vendeve që e kanë përshëndetur vendimin e gjykatës për shpalljen e dënimit me vdekje për ish liderin irakian Sadam Hysein.
Ambasadori amerikan në Irak, Zalmay Khalilzad, e vlerësoi vendimin si një "arritje të rëndësishme dhe mundësi të mirë për unitet në mesin e irakianëve".
Sekretarja e Jashtme e Britanisë, Margaret Beckett, poashtu e përshëndeti vendimin për dënimin e Sadamit dhe bashkëpuntorëve të tij.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, para se të shpallej vendimi, tha se ekzekutimi për Sadam Hyseinin do të ishte dënimi më i vogël.
Megjithatë, organizata të ndryshme ndërkombëtare për të drejtat e njeriut e kanë kritikuar procesin gjyqësor dhe vendimin poashtu. Human Rights Watch vlerësoi se procedurat e gjykimit nuk kanë qenë të drejta dhe të pavarura dhe një gjë e tillë sipas tyre, nuk i shërben drejtësisë.
Edhe Franca, Italia dhe Spanja kundërshtuan në parim dënimin me vdekje.
Ndërsa udhëheqësja për të drejtat e njeriut pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara Louis Arbour, ftoi Irakun të krijojë moratorium në ekzekutime.
XS
SM
MD
LG