Ndërlidhjet

PUNËTORËT E QKU-SË PARALAJMËROJNË GREVË TË PËRGJITHSHME


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Nëse deri të premten qeveria e Kosovës nuk jep ndonjë premtim që përmbush kërkesat e punëtorëve të Qendrës Klinike Universitare të Prishtinës, grevës do t’i bashkangjiten të gjitha institucionet shëndetësore të Kosovës.

Kështu kanë bërë të ditur anëtarë të këshillit grevist, të cilët kanë hyrë në ditën e 21 të grevës, duke kërkuar përmirësimin e kushteve për trajtimin e pacientëve, por edhe përmirësimin e kushteve të punës për vetë punëtorët. Doktor Agron Balaj, anëtar i këshillit grevist, ka thënë se edhe për kundër takimeve zyrtare të deritashme me përfaqësues të qeverisë, këta të fundit ende nuk e kanë gjetur zgjidhje.

“I drejtohemi qeverisë për zgjidhjen e situatës, afati është deri të premten, ku qeveria duhet t’i shqyrtojë pikat dhe është formuar komisioni prej 11 anëtarësh. Dhe nëse deri të premten nuk ka ndonjë sinjal për përmirësimin e situatës, atëherë greva do të eskalojë dhe do të përfshihet e tërë shëndetësia në grevë,” tha zoti Balaj.

Zoti Balaj, ndërkaq thotë se greva nuk do të ndërpritet edhe pa përmbushjen e kërkesës së tetë, e cila ka të bëjë me rritjen e pagave për 300 përqind. Për këtë rritje pagash qeveria e Kosovës tashmë ka deklaruar se nuk ka mundësi për ta përmbushur.

“Rroga e një specialisti këtu është 250 euro, dhe ne kemi kërkuar edhe në atë mënyrë që të respektohet profesioni, puna dhe përgjegjësia që kemi. Nëse mendojnë ata që të krahasohet më një punë të pastruesit në PTK dhe në disa institucione të tjera, atëherë le të na paguajnë më pagat e tyre dhe ne do të gjejmë kompromisin për të dalë nga kjo gjendje”, tha zoti Balaj.

Në Qendrën Klinike Universitare, trajtohen vetëm rastet emergjente, thotë doktori Balaj, ndërkaq pacientët të cilët janë të shtrirë në këtë qendër, thonë se kujdesi i mjekëve megjithatë nuk mungon.

Vjollca nga Prishtina, pohon se trajtimi ndaj tyre është normal, por kushtet janë shumë të vështira. Ajo thotë se edhe barnat më elementare duhet t’i sigurojnë vetë pacientët.

“Kushtet janë shumë të vështira, unë nuk po shoh pastërti askund. Trajtimet janë të mira, barnat normal duhet me i ble vetë, se barna nuk ka”, tha Vjollca.

Ngjashëm thotë edhe Emin Hajdari.
“Trajtimi është në nivel të duhur, mirë po na trajtojnë. Normal tash po duken se janë në grevë, por dikush duhet të marrë masa, ne nuk jemi përgjegjës. Dikush duhet ta rregullojë këtë çështje”. thotë zoti Hajdari.

Ndryshe, 120 mjekë të Klinikës Kirurgjike, të Qendrës Klinike Universitare, kanë nënshkruar një apel, të cilin ia kanë drejtuar institucioneve më të larta ndërkombëtare dhe vendore, për përmirësimin e kushteve në shëndetësi.

Doktor Shqiptar Demaçi, tha se mjekët në Kosovë kanë standarde minimale për trajtimin shëndetësor.
“Kemi kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të na ndihmojë për përmirësimin e shërbimeve tona. Aktualisht qeveria është kompetente që t’i rregullojë punët, por nuk është treguar efikase, së bashku më të gjitha instancat e tjera që janë kompetente që të rregullojnë gjendjen e shëndetësisë në Kosovë,” tha zoti Demaçi.

Sidoqoftë, kjo javë pritet të japë një përgjigje situatës së krijuar në Qendrën Klinike Universitare, edhe pse deri më tash, asnjëra palë nuk ka pranuar të heqë dorë nga pozicionet e tyre në këtë drejtim.
XS
SM
MD
LG