Ndërlidhjet

QEVERIA DO TË SHLYEJË BORXHET E INSTITUCIONEVE PUBLIKE NDAJ KEK-UT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Institucionet e Kosovës i kanë borxh KEK-ut rreth 1.6 milion euro. Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, thotë se të gjitha institucioneve, ministrive dhe të gjithë konsumatorëve të tjerë buxhetorë u janë dorëzuar mjetet nga buxheti që të paguajnë rrymën, por kjo nuk është bërë. Kështu që sot, në një takim të grupit të përbashkët për energjetikë, është marrë vendimi që Ministria e Financave, pa i pyetur fare këto institucione, t’i shlyejë këto borxhe ndaj KEK-ut:

“Ministria e Ekonomisë dhe Financave do të bëjë pagesën e obligimeve të borxhlinjëve, konsumatorëve buxhetorë drejtpërdrejtë, pa marrë pëlqimin e tyre. Qeveria e Kosovës për institucionet e veta ndan mjete me destinim për shërbimet publike dhe në këtë punë ne kemi bashkëpunuar ngushtë me KEK-un dhe kemi identifikuar rreth 1.6 milion euro borxhe të verifikuara, të cilat brenda javës do të paguhen patjetër”, tha ministri Haki Shatri.

Ndërkohë që Ministri i Energjetikës dhe Minierave, Et’hem Çeku tha se qeveria do ta përkrahë KEK-un që të ketë një inkasim më të mirë të parave nga borxhet e grumbulluara. Ai paralajmëroi dhe masa konkrete kundër atyre që janë kyçyr ilegalisht në rrjetin energjetik.

Ndërkohë që duke komentuar një ofertë që qeveria e Serbisë i ka bërë UNMIK-ut që t’i furnizojë enklavat serbe me rrymë gjatë këtij dimri, ministri Çeku tha se sistemi energjetik i Kosovës nuk i ndanë shfrytëzuesit mbi baza etnike, por të gjithë i konsideron si konsumatorë.

"Ne i pranojmë të gjitha obligimet dhe konsumatorët duhet t’i pranojnë të gjitha obligimet që kanë të bëjnë. KEK-u dhe qeveria e Kosovës janë të përgjegjshme dhe të ndërgjegjshme për furnizimin e të gjithë qytetarëve, të cilët e paguajnë energjinë elektrike”, tha ministri Çeku.

Kosova tashmë për një kohë të gjatë po ballafaqohet me probleme në furnizimin me energji elektrike. Ndërsa së fundit është ngritur dhe çështja e borxheve që kanë institucionet e Kosovës nda KEK-ut, lidhur me konsumatorët tjerë, KEK ka vënë një regjim tejet të ashpër të reduktimeve. Kështu vetëm ato pjesë të Kosovës që paguajnë rrymën janë futur në kategorinë “A”, dhe kanë një furnizim normal me rrymë, përderisa pjesë të tjera i ka vënë në kategoritë “B” dhe “C” të cilat përballen me regjime edhe deri në 5 orë pa rrymë e një me të.



XS
SM
MD
LG