Ndërlidhjet

logo-print

KADARE NDEROHET ME ÇMIMIN KEPI I SHPRESËS SË MIRË –FAHREDIN GUNGA


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Shqiptarët nuk do të kthehen më në robëri dhe kjo nuk është thirrje nacionaliste, por një thirrje humane, tha sot në Mitrovicë, njëri ndër shkrimtarët më të njohur shqiptarë Ismail Kadare. Ai i ka bërë këto komente në një manifestim letrar, pasi ka marrë çmimin ndërkombëtar për letërsi “Kepi i Shpresës së Mirë – Fahredin Gunga”.

Ismail Kadare tha me këtë rast se kjo ishte hera e parë që vinte në qytetin e Mitrovicës pas 34 vjetësh, meqë më 1972 kishte qenë në këtë qytet bashkë me shkrimtarin tashmë të ndjerë Azem Shkreli. Mitrovica në atë kohë më qe dukur më e trishtuar dhe e pluhurosur, ndoshta nga ndjenja e robërisë që mbretëronte atëherë në Kosovë, tha Kadare:

“Ne të gjithë e dimë që toka e qielli po të përmbysen shqiptarët më nuk kthehen në robëri kjo është e vendosur për gjithmonë. Asnjë forcë në botë nuk mund të kthejë atë që është e pakthyeshme dhe kur e them këtë realitet shpirtëror, nuk e kam ndërmend aspak këtu të bëj ndonjë thirrje nacionaliste, kjo është një thirrje reale, një thirrje humane.” tha prozatori më i përkthyer shqiptar, i cili tash e më shumë se 15 vjet jeton në Paris.

Dr. Murat Bejta, profesor në Universitetin e tetë të Parisit, i cili ia dha shpërblimin të shumëfish nominuarit për çmimin Nobel për letërsi, tha se Ismail Kadare është mjeshtër i mrekullueshëm i rrëfimit, i novelës dhe i romanit , ku gërshetohet e kaluara historike shqiptare me të kaluarën.

“Ismail Kadare është shkrimtari më i shquar shqiptar dhe më i njohuri në qarqet letrare botërore si krijues në gjuhën shqipe, veprat e të cilit janë përkthyer në më shumë se 30 gjuhë të botës", tha zoti Bejta.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, nën përkujdesjen e të cilit u organizua manifestimi i sivjetshëm, tha se institucionet u kanë borxh krijuesve, artit dhe kulturës në përgjithësi:

“Manifestimi kulturor Kepi i Shpresës së Mirë –Fahredin Gunga, cili, sikundër edhe shumë manifestime të fushave të tjera, apo të ngjashme në Kosovë, edhe në këto rrethana, tashmë e ka formësuar identitetin e vet kulturor, dhe bindshëm dëshmon se vërtet rruga bëhet në ecje”, tha kryetari i Kuvendit të Kosovës Kolë Berisha, ndërkohë që shkrimtari Ismail Kadare gjatë ditës së nesërme do të takojë edhe presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu dhe do të ketë një takim debati me lexues në Prishtinë, organizuar nga PEN Qendra e Kosovës.



XS
SM
MD
LG