Ndërlidhjet

HUN: STATUSI I KOSOVËS DUHET TË ZGJIDHET GJATË KËTIJ VITI


Zijadin Gashi, Prishtinë

Britania e Madhe mbetet pranë qëndrimit të shprehur nga Grupi i Kontaktit se statusi i Kosovës duhet të zgjidhet gjatë këtij viti, ka pohuar sot në Prishtinë Ministri britanik për Evropën, Xhefri Hun. Këto komente, Hun i bëri pas takimeve që zhvilloi me udhëheqësit kosovarë dhe shefin e UNMIK-ut.

Ne e kemi bërë të qartë gjatë takimit të Grupit të Kontaktit të Nju Jork se afati kohor për zgjidhjen e statusit të Kosovës është fundi i këtij viti, theksoi ministri britanik.

“Ka shumë çështje që duhen zgjidhur menjëherë dhe të cilat mund të thuhet se mund të rezultojnë me vonesa të vogla, por ne nuk jemi duke planifikuar këtë, ne po planifikojmë që vendimi të arrihet sipas afateve të përcaktuara nga Grupi i Kontaktit”, tha ministri Xhefri Hun.
Lidhur me takimin e radhës së Grupit të Kontaktit më 10 nëntor, Ministri britanik për Evropën tha se nuk mund të parashikonte asgjë, nëse agjenda e përcaktuar në Nju Jork mund të ndryshohet.

“Ne në kuadër të Grupit të Kontaktit po vazhdojmë t’i japim mbështetje të plotë emisarit Marti Ahtisari për të arritur një zgjidhje, e cila do të jetë e pranueshme për të gjithë popujt e Kosovës”, tha ministri Hun.

Statusi i Kosovës, shtoi ai duhet të përcaktohet nga Kombet e Bashkuara përmes rekomandimeve që do t’i bëjë Ahtisari. Në këtë moment kur dokumenti i Ahtisarit nuk është në duart e Grupit të Kontaktit është spekulative të thuhet se ndonjë vend nuk do ta pranojë këtë dokument, tha ministri Hun.

“Është e rëndësishme që ta presim raportin të bëhet publik. Unë nuk do të spekuloj rreth ndonjë opsioni të mundshëm pasi që raportin ende nuk e kemi. Ahtisari është njeri me shumë eksperiencë, prandaj unë jam i bindur se ai do ta bëjë një raport rreth të cilit komuniteti ndërkombëtar do të qëndrojë i bashkuar”, tha ministri britanik.

Në anën tjetër, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu tha se e çmonte rolin britanik në këtë proces dhe duke pas parasysh qëndrimin e Grupit të Kontaktit, tha se pret që statusi të zgjidhet brenda vitit.

“Unë shtrova atë që ne e kemi si vizion për çështjen e statusit të Kosovës, pra pavarësinë e vendit në vitin 2006. përshëndes qëndrimin që Britania e Madhe ka ndaj Kosovës në të gjitha nivelet, edhe në Këshillin e Sigurimit”, pohoi Sejdiu.

Ndërkohë që shefi i UNMIK-ut, Joakim Ryker tha se në takim me ministrin britanik ai ishte përqendruar më tepër në çështjet e tranzicionit dhe dhënies fund të misionit të UNMIK-ut në Kosovë.

“Jemi përqendruar në disa çështje që kanë të bëjnë me tranzicionin, kohës ndërmjet Rezolutës dhe statusit dhe ministri britanik ishte i interesuar të dëgjojë se si po punojmë ne në Kosovë në lidhje me këtë çështje”, tha Joakim Ryker.

Gjatë orëve të mbrëmjes, ministri Xhefri Hun takoi dhe ndaras dhe përfaqësuesit e opozitës dhe ata të serbëve të Kosovës. Ndërsa udhëheqësit e opozitës, Hashim Thaçi e Veton Surroi vlerësuan se rekomandimet e Ahtisarit do të duhej të ishin të qarta dhe mos linin dilema apo mundësi interpretimesh të ndryshme, bartësi i Listës Serbe, Oliver Ivanoviq, tha se çdo nxitim në definimin e statusit mund të ketë efekte jo të dëshirueshme. Ministri britanik ka zhvilluar dhe një darkë pune me kryeministrin Agim Çeku.

XS
SM
MD
LG