Ndërlidhjet

KADARE: KOSOVA ËSHTË E PËRGATITUR PËR HAPIN E MADH PËRPARA


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Kosova dhe i gjithë kombi shqiptar këto ditë ndodhen përpara ngjarjeve tepër të rëndësishme që kërkojnë mençuri, gjakftohtësi, dhe largpamësi, tha sot në Prishtinë shkrimtari i njohur Ismail Kadare, në ditën e dytë të qëndrimit të tij në Kosovë. Ai i bëri këto deklarata pas takimit me presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu, duke u shprehur i bindur se ekipi kosovar do të arrijë të realizojë endrrat dhe shpresat e shqiptarëve në rrugën përpara.

"Sa herë që ndodhem këtu jam i gëzuar, sepse më gëzon ajo që më gëzon në Kosovë dhe këtë gëzim e ndjejnë shqiptarët kudo që jetojnë. Në këto ditë Kosova, gjithë kombi shqiptar, ndodhen para ngjarjeve tepër të rëndësishme që kërkojnë mençuri, gjakftohtësi, kurajo civile, shikim të largët dhe unë mendoj se Kosova i ka të gjitha këto dhe është e përgatitur për këtë hap të madh përpara, për këtë ngjarje të re dhe për këtë prag të ri që po kapërcen drejt jetës së saj të re insitucionale," tha Ismail Kadare.

Ndërkaq, presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu e ka falënderuar shkrimtarin Kadare për angazhimin dhe kontributin e tij për Kosovën, deri sa kjo ecën në rrugën e përcaktimit të statusit të saj:

"Falënderoj për të gjitha angazhimet e jashtëzakonshme që ka për Kosovën dhe shqiptarët në këtë periudhë të rëndësishme që ne ecim në përcaktimin e statusit politik në radhë të parë dhe në proceset e tjera të integrimeve kulturore dhe shpirtërore që është në fokusin tonë të veçantë dhe drejt një Evrope të integruar", tha presidenti Sejdiu.

Ismail Kadare, shkrimtari më i përkthyer shqiptar, i cili ka qenë disa herë kandidat për çmimin Nobel për letërsi tha se kishte besim të plotë në përgjegjësinë dhe vullnetin presidentit Sejdiu dhe të ekipit të tij:

"Unë kam besim të plotë që zoti president, bashkë me ekipin e tij do të drejtojnë punët në atë mënyrë, që do t’i përgjigjen shpresës, dëshirës dhe ëndrrës sonë dhe do ta çojnë Kosovën bashkë me atë frymën për të cilën fola, do ta çojnë Kosovën atje ku duhet",tha Ismail Kadare, i cili më pas ka marrë pjesë në një debat me lexuesit organizuar nga PEN qendra e Kosovës, Fakulteti i Filologjisë dhe Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës. Ai ka diskutuar me lexues shtresash të ndryshme për letërsinë dhe për politikën, me ç'rast ka thënë se shqiptarët janë një komb evropian dhe do të shkojnë aty ku e kanë vendin.

Ismail Kadare dje në Mitrovicë është shpërblyer me çmimin kepi i Shpresës së Mirë – Fahredin Gunga, një çmim tradicional që jepet për letërsi.



XS
SM
MD
LG