Ndërlidhjet

GASHI: DO TA SHPALLIM PAVARËSINË


Alush GASHI, shef i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Gashi, procesi negociues për statusin e Kosovës po hyn në fazën përmbyllëse. Cilat janë pritjet e juaja, sa ky proces tash mund të përmbyllet eventualisht me një vendim për përcaktimin e statusit të Kosovës?

ALUSH GASHI
Tani jemi në fazën në të cilën ka qenë presidenti Rugova vite më parë, kur botërisht ripërsëriste në baza ditore, se janë pjekur të gjitha kushtet për njohjen e drejtpërdrejtë të pavarësisë së vendit tonë. Prandaj vonimi me qartësim të kësaj çështjeje nuk është i mirë për asnjë palë, në veçanti për zhvillimet e proceseve demokratike, jo vetëm në Kosovë, por në rajon në përgjithësi.

RADIO EVROPA E LIRË
Në analiza të ndryshme është thënë se propozimi i zotit Ahtisari mund të mos jetë deri në fund i përcaktuar politikisht dhe juridikisht. Sa kjo do të mund të ndikonte në kalimin në një fazë tjetër, kur Kosova do të mund të vinte në pozitën që të deklaronte njëanshëm statusin e saj?

ALUSH GASHI
Ne jemi tash në fazë të qartësimit dhe të arritjes së një pajtueshmërie, në mes të vendeve të Grupit të Kontaktit lidhur me këtë çështje, për lindjen e një shteti të ri në Evropën Juglindore, shtetit të pavarur të Kosovës me një sovranitet bashkohor.
Kosova është e gatshme që t'i marrë të gjitha obligimet vendore dhe ndërkombëtare si vend i ri, i cili është i vendosur që të jetojë në paqe të brendshme dhe në fqinjësi të mirë me të gjithë, që të jetë një anëtar konstruktiv i bashkësisë ndërkombëtare.
Vonimi në tërë këtë proces, të gjithë tani e dinë që nuk shkon në dobi të proceseve, për të cilat ka nevojë Kosova dhe rajoni. Kosova është e gatshme që ta implementojë atë mekanizëm të verifikueshëm të garantimit dhe të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Ne nuk kemi iluzione se Beogradi dhe ai regjim, i cili ende nuk është distancuar qartë nga regjimi i Milosheviçit dhe gjenocidi që ka ndodhur në Kosovë, në këtë fazë do të ketë forcë institucionale apo vizion demokratik, që të jetë vendi i parë që ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Prandaj sa më parë që Grupi i Kontaktit, i shtyrë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të arrijë në vendimin që ky proces të përfundojë dhe të hapet një perspektivë e re për Evropën Juglindore, mendoj se do të jetë aq më mirë për të gjithë.
Ne jemi pjesë e këtij procesi dhe si pjesë e këtij procesi ne do ta shpallim pavarësinë e vendit tonë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Gashi, është paralajmëruar dhe mundësia e një shtyrjeje disa javëshe e vendimit për statusin, për shkak të zgjedhjeve në Serbi. Si e shihni ju tërë këtë zhvillim dhe sa në fakt, ju si deputet i partisë më të madhe në Kuvend pajtoheni me këtë?

ALUSH GASHI
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania, vendet e tjera të Grupit të Kontaktit, me vendosmërinë dhe përkushtimin e tyre për mbështetje të realizimit të vullnetit të qytetarëve të Kosovës, e kanë në konsideratë dhe paqen rajonale, paqen dhe përtej kufijve të Kosovës. Prandaj janë përpjekje të tyre që t'i japin një kontribut në këtë fazë, kur pritet që të fillohen proceset demokratike në Serbi dhe me një vendim më të vonuar të Këshillit të Sigurimit, apo në vonim të datës të shqyrtimit të propozimit të presidentit Ahtisari, e shoh si përpjekje të Grupit të Kontaktit që t'i japë rast të fillimit të tranzicionit, edhe në vendet përreth, jo vetëm në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kushtimisht thënë, cilat do të ishin pasojat për vetë proceset në Kosovë nëse ndodh kjo shtyrje?

ALUSH GASHI
Vendimi në Këshillin e Sigurimit që pritet të jetë në fillim të vitit të ardhshëm, është vendim që vjen si pasojë e raporteve brenda Gurpit të Kontaktit lidhur me pavarësinë e Kosovës dhe jo direkt si shtjellime demokratike apo përpjekje për shtjellime demokratike në Serbi. Sikur vendet e Grupit të Kontaktit të arrijnë një marrëveshje më herët, ajo do të ndodhë.

Intervistoi Zijadin Gashi



XS
SM
MD
LG