Ndërlidhjet

PETROVIQ: E RËNDËSISHME PËRMBAJTJA, JO FORMA E STATUSIT


Slobodan Petroviq, kryetar i Partisë së Pavarur Liberale

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Petroviq në Kosovë flitet shumë për përparim në fushë të përmbushjes së standardeve prioritare. Cili është mendimi juaj për këtë?

SLOBODAN PETROVIQ
Gjithsesi ka lëvizje nëse krahasohet me vitin 1999, mirëpo kjo nuk është e mjaftueshme. Megjithatë kjo do të duhet të shërbente si motivim dhe jo për pesimizëm. Unë dhe partia ime do të japim kontribut për të përmbushur standardet, edhe pse jemi të vetëdijshëm se nuk kemi ndonjë ndikim të madh në parlament për shembull, pasi nuk jemi parti parlamentare. Kontributin tonë do ta japim në kuadër të aktiviteteve partiake dhe ne në këtë fushë punojmë mjaft dhe tashmë kemi edhe disa rezultate. Ne do të punojmë bashkë edhe me partitë shqiptare të Kosovës, të cilat në vete kanë program demokratik, që e promovojnë tolerancën dhe paqen. Ata, për të cilët më e rëndësishmja është të qenit qytetar dhe pastaj të tjerat, janë të mirëseardhur në partinë tonë, përkatësisht ne bashkë me ta do të përpiqemi të arrijmë te vlerat evropiane që janë synimi i të gjithëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa ka ndryshime pozitive konkretisht në fushë të sigurisë, posaçërisht për serbët në Kosovë?

SLOBODAN PETROVIQ
Unë kam thënë disa herë se lëvizja përpara është e dukshme, sidomos krahasuar me vitin 99, por kjo nuk është e mjaftueshme pasi jetojmë në shekullin XXI. Mirëpo, me gjithë faktorin e sigurisë, dua të them se faktor mjaft qenësor është ai ekonomik. Pra, nëse ekonomikisht do të jeni të sigurt, edhe fizikisht do të jeni të tillë dhe këtu mendoj para së gjithash në sigurinë ekonomike të serbëve, por edhe të shqiptarëve. Deklarata jonë e parë me rastin e certifikimit të partisë sonë, ka qenë se ne si serbë nuk do të jemi të lumtur nëse edhe fqinjët tanë shqiptarë nuk do të jenë të lumtur, pasi kjo thjesht është. Kjo do të thotë se ne angazhohemi për përmirësimin e faktorëve të sigurisë, por edhe për ata ekonomikë dhe këta dy faktorë do të duhej të shkonin bashkë dhe nuk do të duheshin ndarë.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Petroviq, si i komentoni ju propozimet e palës kosovare për procesin e reformës së pushtetit lokal. Dje në Graçanicë, anëtari i ekipit negociues të Kosovës, Veton Surroi tha se me këto propozime 92 përqind e serbëve do të jenë në komunat me shumicë serbe?

SLOBODAN PETROVIQ
Pikërisht ashtu, pasi unë dje kam qenë në takimin e djeshëm dhe ashtu siç thanë edhe zoti Surroi dhe zoti Haziri, detajet lidhur me komunat e ardhshme me shumicë serbe priten ende detajet dhe ato do të na jepen në formë të shkruar. Mirëpo, gjithsesi mendoj se kur është fjala për decentralizimin, është me shumë rëndësi që të nisë dialogu dhe të gjenden zgjidhje që janë pozitive dhe të përshtatshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Petroviq sa janë të gatshëm serbët e Kosovës që të jenë pjesë e shoqërisë dhe institucioneve të Kosovës, pavarësisht se çfarë do të jetë statusi i Kosovës?

SLOBODAN PETROVIQ
Kjo varet në masë të madhe jo vetëm nga serbët, por edhe nga shumica shqiptare dhe nga faktori ndërkombëtar. Vetëm dua ta them qëndrimin e partisë sonë. Një nga synimet themelore është ekzistenca e bashkësisë serbe në Kosovë pavarësisht nga statusi i ardhshëm i Kosovës. Megjithatë është shumë me rëndësi, që është krejt normale, që ne si banorë të Kosovës, si pjesëtarë të bashkësisë serbe, të interesohemi për fatin e komunitetit tonë dhe në këtë aspekt ne mendojmë se do të arrihet një maksimum, pra të arrihet një marrëveshje tolerante, përkatësisht të bëhen lëshime maksimale për bashkësinë serbe dhe të bëhen lëshime edhe për shqiptarët dhe kështu të arrihet një zgjidhje kompromisi. Ne, banorët e Kosovës jemi të bindur se zgjidhja për statusin do të bëhet në ndonjë vend të tretë. Neve na intereson para së gjithash esenca dhe jo forma e statusit, pra neve na intereson se çfarë do të jetë ai status, përkatësisht se çfarë do të ketë në atë status për bashkësinë serbe.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Petroviq, shtypi i sotëm i Prishtinës ka paralajmëruar mundësinë e ndryshimeve në qeverinë e Kosovës. A është partia juaj e gatshme që eventualisht të marrë përgjegjësinë për të udhëhequr ndonjërën nga ministritë e qeverisë së Kosovës?

SLOBODAN PETROVIQ
Unë jam mjaft krenar dhe i kënaqur që partinë tonë e shohin në pozitën që të mund të udhëheqë ndonjë funksion të tillë. Unë do të jem i sinqertë dhe do të them se partia jonë merret me mbrojtjen e të drejtave të serbëve dhe bashkësive të tjera në Kosovë përmes institucioneve, pra në mënyrë demokratike. Ne nuk kemi marrë pjesë në zgjedhjet e fundit , pasi atëherë nuk kemi qenë të regjistruar, mirëpo në cilatdo zgjedhje që do të mbahen ne do të marrim pjesë. Ky është programi i partisë dhe qëndrim yni i paluhatshëm. Mirëpo, kur kemi parasysh situatën aktuale në Kosovë apo gjendjen në qeverinë aktuale të Kosovës, ne jemi krejt të gatshëm për ta marrë përgjegjësinë për bashkësinë tonë, por duhet të shohim se në çfarë forme do të bëhet kjo. Nëse do të arrihej ndonjë marrëveshje, atëherë do të duhej të merrnim ndonjë ftesë nga njerëzit që janë kompetentë për përbërjen e qeverisë së ardhshme.

Intervistoi: Rrahman Paçarizi
XS
SM
MD
LG