Ndërlidhjet

PRISHTINË


Zyra Amerikane në Prishtinë përkrahë vendimin e Ahtisaarit, që propozimin për statusin ta publikojë menjëherë pas datës 21 janar, kur edhe do të mbahen zgjedhjet në Serbi. Në një komunikatë për shtyp të Zyrës Amerikane në Prishtinë, thuhet se "ka ardhur koha që të gjendet përgjigjja në pyetjen për statusin e Kosovës, ngase populli i Kosovës ka të drejtë që ta ketë të qartë ardhmërinë e vet".
Ndërsa shefi i UNMIK-ut Joachim Ruecker përmes një deklarate për media ka thënë se "ka shumë arsye që imponojnë qartësimin e statusit sa më shpejtë të jetë e mundur". Ai ka bërë thirrje për evitimin e çdo përpjekje për marrjen e vendimeve të njëanshme.
Gjatë ditës ndërkaq Ekipi Negociator ka shprehur keqardhje për vendimin e emisarit të OKB-së.
Duke folur në emër të Ekipit Negociator, presidenti Fatmir Sejdiu tha se "është shqetësuese që shtyrja është bërë për shkak të kalendarit të zgjedhjeve të Serbisë". Presidenti Sejdiu ka përjashtuar mundësinë e marrjes së ndonjë vendimi unilateral për statusin e Kosovës nga ana e Prishtinës.
Ndërkaq nëpërmjet një deklarate Qeveria e Kosovës mbështet fuqishëm qëndrimin e Ekipit të Unitetit në raport me deklaratën e Grupit të Kontaktit për Kosovën. "Qeveria ka besim në GK dhe kërkon që ky forum të përcaktojë së afërmi një datë për njohjen e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Në rast të shtyrjeve të pacaktuara të statusit, Qeveria e Kosovës rezervon të drejtën të mbështes çdo nismë parlamentare që synon realizimin e vullnetit të popullit të Kosovës", thuhet në këtë deklaratë.
Ndërkaq, lideri i Partisë Demokratike të Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se pavarësia e Kosovës do të arrihet në pajtueshmëri me bashkësinë ndërkombëtare. "Kosovën e kemi çliruar bashkë me ndërkombëtarët, bashkë do ta pavarësojmë, atëherë kur të marrim vendimin e përbashkët", theksoi Thaçi.
XS
SM
MD
LG