Ndërlidhjet

NË UNIVERSITETET KOSOVARE CILËSIA E ARSIMIT ËSHTË SHUMË E ULËT


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Cilësia e arsimit të lartë në Kosovë, si në universitetin publik të Kosovës, po ashtu edhe në ato private, nuk është në nivelin e duhur, thonë ekspertë të arsimit në ditën ndërkombëtare të arsimit në Kosovë. Sipas tyre, cilësia aktuale e arsimit nuk jep ndonjë siguri për një zhvillim të përshpejtuar të Kosovës.

Halim Hyseni, nga Qendra për Arsim e Kosovës thotë se me këtë cilësi që ofron sistemi i arsimit të lartë, Kosova vështirë se do të zërë hapin për të qenë më afër vendeve të zhvilluara. Sipas zotit Hyseni, në këtë drejtim ka ndikuar edhe periudha e para luftës, kur sistemi i arsimit është zhvilluar në kushte shumë të vështira.
Por, tash, sipas tij, janë paraqitur shumë faktorë të tjerë, që po e pengojnë rritjen e cilësisë së arsimit, duke filluar nga korrupsioni e deri tek politizimi i këtij sistemi.

“Arsye tjetër është legjislatura e mangët, moszbatimi i ligjeve ekzistuese. Dhe derisa arsimi nuk trajtohet si interes nacional i të gjithë qytetarëve të Kosovës, arsimi gjithnjë do të jetë me një cilësi të ulët, me një efikasitet të ulët dhe nuk do të jetë në dobi të qytetarëve dhe qytetarët e Kosovës nuk do të mund ti shfrytëzojnë frytet e arsimit,” tha zoti Hyseni.

Ibrahim Gashi, nga Qendra Amerikane në Kosovë, thotë se cilësia e arsimit në Kosovë është shumë më e ulët se në vitet e 80-ta. Sipas tij, Kosova nuk ka ecur shumë me reforma të arsimit akademik.

“Mua më vjen keq me thënë të drejtën, se kur unë kam qenë student gjendja ka qenë shumë më e mirë në Universitetin e Prishtinës, se sa është sot. Por, kjo vlen edhe të universitetet private, por këto janë universitete të reja, duhet t'u jepet shanci që të ecin dhe të forcohen nga aspekti akademik. Kurse universitetit të Prishtinës nuk i falet, sepse është universitet me traditë dhe është dashur të jetë shumë më mirë se universitetet private,” tha zoti Ibrahimi.

Sali Bashota, drejtor i Bibliotekës Kombëtare Universitare të Kosovës, ndërkaq thotë se edhe pagat e ulëta të mësimdhënësve kanë ndikuar në cilësinë e arsimit.

“Mendoj se ka nevojë për një reformë rrënjësore , duke u nisur nga hyrja në fakultete e deri të procesi mësimor, dhënia e notës, procedura e mësimit, mbajtja e ligjëratave, e ushtrimit, format e komunikimit, format e debatit. Por, para se gjithash duke i siguruar kushte profesorëve elitistë, më të mirë, që mos të bredhin prej një universiteti në tjetrin, por të kenë një pagë të siguruar në universitetin publik,” tha zoti Bashota.

Dardan Velija, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Agim Çeku, pohon se megjithë faktin se arsimi është një ndër prioritet e qeverisë, në këtë sistem nuk ka pasur investime të mjaftueshme.

“Cilësia nuk është në nivelin që duam ne. Ne duam që në Kosovë të ketë një sistem arsimor konkurrent në rajon edhe në Evropë. Duam që universitetet tona të jenë të dëshiruara, jo vetëm për studentët kosovarë, por edhe për studentët e rajonit. Synimi ynë është që Universiteti i Prishtinës, por edhe universitet e tjera private të jenë konkurruese në rajon,” tha zoti Velija.

Por, Halim Hyseni, nga Qendra për Arsim e Kosovës, thotë se deri më tani asnjë qeveri nuk i ka kushtuar rëndësi sistemit të arsimit.
“Nuk ka qenë e mundur që sistemi i arsimit të qeveriset, udhëhiqet dhe të menaxhohet,” tha zoti Hyseni.

Ekspertët dhe zyrtarët shpresojnë se gjendja aktuale do të mund të ndryshojë me themelimin e Agjencisë së Akreditimit, e cila do të vlerësojë cilësinë e arsimit në të gjitha institucionet. Në të kundërtën, ata thonë se vlerat që prodhojnë strukturat aktuale të arsimit mund të vihen në dyshim.

XS
SM
MD
LG