Ndërlidhjet

logo-print

PARTITË POLITIKE ME QËNDRIME TË NDRYSHME PËR VENDIMIN E AHTISARIT


Albana Isufi, Prishtinë

Subjekti politik, i cili drejton koalicionin qeveritar, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës këmbëngul që statusi i Kosovës të zgjidhet këtë vit. Zyrtarë të kësaj partie thonë se vendimi i zotit Ahtisari që propozimi për statusin të paraqitet pas zgjedhjeve parlamentare të Serbisë pas 21 janarit, duhet të rishikohet. Ndryshe, zëdhënësi i AAK-së Ernest Luma, thotë se ekipi negociator i Kosovës humb kredibilitetin dhe si i tillë nuk ka më se për çka të ekzistojë.

“Mbase, pas dështimit eventual të ekipit të unitetit pra ka ende kohë që të korrigjohet, ka ende kohë që t'i rishqyrtojnë pozicionimet dhe qëndrimet e tyre të gjithë, madje dhe UNOSEK-u, që të dalim me një fjalë, në përputhje me atë që ua kemi premtuar qytetarëve të Kosovës, se nëse nuk ndodh deri në fund të këtij viti realizimi i zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës, atëhere është jo valid ekipi i unitetit", thotë Ernest Luma.

Luma thotë se i mbetet më pas Kuvendit të Kosovës që të tregojë përgjegjshmërinë që ka ndaj popullit të Kosovës.
“Unë mendoj që çështjet duhet të kalojnë në Kuvendin e Kosovës dhe nëse Kuvendi i Kosovës nuk është ai që së pakti e artikulon vullnetin e popullit të Kosovës, për shtetin sovran dhe të pavarur të Kosovës, atëhere deputetët le të shkojnë në shtëpi dhe të dorëzojnë mandatet e tyre, qeveria paraprakisht, deputetët dhe gjithë të tjerët, duhet të jenë njerëz të përgjegjshëm në këtë fazë", tha zoti Luma.

E dëshpëruar me vendimin e zotit Ahtisari është edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Megjithatë, nënkryetari i partisë më të madhe në vend Eqrem Kryeziu, thotë se institucionet e Kosovës dhe as ekipi negociator, nuk është i fuqishëm që të ndikojë në rrjedhën e procesit të zgjidhjes së statusit final të Kosovës.

“Problemi është që ekipi negociator nuk është Këshilli i Sigurimit, ne jemi në një marrëdhënie shumë intransive me bashkësinë ndërkombëtare. Sikur të ishte përgjegjësia veç e ekipit negociator, shumë lehtë do të ishte", tha zoti Kryeziu.

Ndërsa, Partia Demokratike e Kosovës përsërit se në këtë proces vital për Kosovën nuk është e rëndësishme data apo ora. Zëdhënësja Vlora Çitaku, thotë se më rëndësi është që përmbajtja e pakos së emisarit të OKB-së të përputhet me vullnetin e qytetarëve të Kosovës.
“Më e rëndësishme se data ose ora është e rëndësishme përmbajtja e pakos së Ahtisarit dhe në këtë aspekt nuk kemi asnjë dilemë që kjo përmbajtje do jetë në përputhshmëri me vullnetin e qytetarëve të Kosovës për shtet të pavarur dhe sovran. Prezantimin e pakos qytetarët e Kosovës dhe klasa politike duhet ta presin në qetësi," tha zonja Çitaku.

Dy partitë më të mëdha LDK dhe PDK thonë se periudha deri në bërjen publike të propozimit për statusin nga ana e ish presidentit finlandez Marti Ahtisari, duhet shfrytëzuar si periudhë tranzitore ku institucionet e Kosovës do marrin përgjegjësitë e mbetura nga administrata e Kombeve të Bashkuara.

Partitë opozitare kanë kërkuar që në këtë periudhë të hartohet kushtetuta dhe të vendoset për simbolet shtetërore.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kërkon që të shpallet pavarësia këtë vit, pavarësisht vërejtjeve nga ana e bashkësisë ndërkombëtare se një vendim unilateral nuk do të pranohet dhe do të dobësojë pozicionin e Kosovës.


XS
SM
MD
LG