Ndërlidhjet

ÇEKU: RUAJTJA E STABILITETIT DHE QETËSISË THELBËSORE PËR PËRCAKTIMIN E STATUSIT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Udhëheqësit kryesorë vendorë e ndërkombëtarë të Kosovës thanë sot se janë të bindur që propozimi për statusin do të bëhet menjëherë pas 21 janarit dhe bënë thirrje që të vazhdohet mbështetja në procesin demokratik dhe paqësor të përcaktimit të statusit. Këto deklarata janë bërë sonte pas një takimi të kryeministrit të Kosovës Agim Çeku me shefin UNMIK-ut Joachim Ruecker dhe me komandantin e KFOR-it, gjeneralin Roland Kather, në selinë e forcave paqeruajtëse të NATO-s në Prishtinë.

"Ne gjithsesi jemi shumë të pakënaqur me shtyrjen e definimit të statusit. Sidoqoftë ne shprehëm bindjen se kjo shtyrje prej disa javësh nuk do të ndikojë në procesin e përcaktimit të statusit dhe në stabilitetin e përgjithshëm në Kosovë. Tanimë procesi i pavarësimit të Kosovës është në rrugë të pakthyeshme dhe jemi të bindur se është në fazën përfundimtare të tij", tha kryeministri Çeku, duke kërkuar që të ruhet besimi në procesin, në Grupin e Kontaktit dhe në zotin Ahtisaari, pasi kjo sipas kryeministrit Çeku është mënyra më e mirë për të siguruar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës:

"Duhet ta ruajmë unitetin politik, stabilitetin institucional, besimin në proces dhe nuk duhet të tregojmë shenja të lodhjes dhe nervozizmit dhe të mosbesimit, por përkundrazi duhet ta ruajnë qetësinë dhe stabilitetin, pasi çdo përpjekje për destabilizim do të ishte e pafalshme për Kosovën", tha kryeministri Çeku.

Ndërkaq, shefi i UNMIK-ut Joachim Ruecker, pasi ka lavdëruar zotin Ahtisaari për përparimet që ka bërë gjatë këtij viti në procesin e përcaktimit të statusin, tha se është i bindur që propozimi i Ahtisarit për statusin do të bëhet menjëherë pas zgjidhjeve në Serbi:

"Kur kemi parasysh deklaratën e Ahtisaarit se propozimi do të bëhet pa vonesa pas 21 janarit, unë mendoj se momenti i duhur është kapur dhe ne do të jemi shumë të zënë deri atëherë," tha Ruecker, duke shtuar se këtë fjali të Ahtisaarit e ka kuptuar se propozimi do të bëhet menjëherë pas 21 janarit dhe se është i bindur për këtë.

Zyrtarët më të lartë të pranisë ushtarake dhe civile ndërkombëtare në Kosovë kanë ofruar mbështetje për procesin, por të njëjtën gjë e kanë kërkuar edhe nga ekipi negociues i Kosovës. Gjenerali Roland Kather tha:

"Jemi të lumtur të themi se jemi të bindur se Ahtisaari dhe Grupi i Kontaktit do të shkojnë përpara në këtë proces përmes një rrugë krejtësisht diplomatike, paqësore dhe demokratike," tha gjenerali Roland Kather, duke e vlerësuar situatën në Kosovë të qetë dhe duke shfaqur bindjen se situata në Kosovë edhe do të jetë e qetë si deri më tash, por për këtë është e domosdoshme mbështetja nga institucionet e Kosovës dhe nga ekipi negociues.



XS
SM
MD
LG