Ndërlidhjet

BE MBËSHTET AHTISAARIN NË SHTYRJEN E VENDIMIT PËR STATUSIN


Pas takimit që kanë patur sot me kryenegociatorin e OKB-së për statusin e Kosovës Martti Ahtisaarin, ministrat e jashtëm të BE-së kanë mbështetur vendimin e tij për shtyrjen e propozimit të zgjidhjes. Ministrat kanë nënvizuar sot se shtyrja nuk do të jetë e gjatë por vetëm aq sa ka thënë kryenegociatori Martti Ahtisaari, pra pas zgjedhjeve në Serbi që do të zhvillohen më 21 janar.
Pas këtyre takimeve Ministri i Jashtëm i Finlandës Toumioja, përfaqësuesi i lartë i BE-së Solana dhe komisioneri i zgjerimit Oli Rehn, janë shprehur se “shtyrja nuk mund të jetë e gjatë” dhe se vendimi për shtyrje është marrë për të ndihmuar stabilitetin e Serbisë.
“Shtyrja e procesit është bërë për shkak të shpalljes së zgjedhjeve në Serbi, por kjo nuk do thotë se zgjidhja do të shtyhet edhe pas pas këtyre zgjedhjeve”, është shprehur Javier Solana, duke konfirmuar se këtë e ka thënë edhe vetë Ahtisaari, personi që udhëheq procesin.
Ministri i Jashtëm i Finlandës Erkki Tuomioja, kryesues i radhës i Këshillit të Ministrave të BE-së, ka thënë se Bashkimi Evropian konsideron se nuk do ketë destabilizim të rrethanave në Kosovë për shkak të shtyrjes, sepse vetë shtyrja, thotë ai, është bërë për të parandaluar destabilizimin e mundshëm të rajonit.
Ndërkaq komisioneri i zgjerimit të BE-së Oli Rehn, tha se pajtohet q? shtyrja e shkurtër dhe e kufizuar është e arsyeshme, për shkak të zhvillimeve politike në Serbi.
“Është me rëndësi që kjo shtyrje të mos jetë shumë e gjatë, sepse nuk mundemi ta lëmë Kosovën në këtë gjendje të zbrazësisë legale siç ka dominuar për këto 7 vite”, u shpreh komisioneri evropian. Ai përsëriti se Kosova duhet të ketë një status të qartë politik dhe legal në mënyrë që të nënshkruajë marrëveshje dhe të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare.
Ndërkohë ministrat kanë vendosur të miratojnë mandatin për negociata me disa vende të Ballkanit për lehtësimin e vizave. Fjala është për Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Serbinë dhe Bosnje Hercegovinën. Këshilli i Ministrave kërkon që negociatat të fillojnë gjatë muajit nëntor dhe besojnë se ato do të përmbyllen shumë shpejt, sepse lehtesimin e vizave BE-ja e konsideron si hap të rëndësishëm për të shtuar kontaktet mes njerëzve nga Ballkani dhe BE-ja.
Por Kosova nuk përfshihet në këtë proces të lehtësimit të vizave, sepse ajo nuk e ka të zgjidhur statusin dhe Komisioni Evropian nuk ka mundësi të negociojë për këtë me Kosovën.
Kështu Kosova, siç kishte thënë një herë edhe komisioneri i BE-së për zgjerimin Oli Rehn, mbetet vrimë e zezë në këtë aspekt.
Këshilli i Ministrave të BE-së ka përshëndetur edhe arritjen e marrëveshjes për krijimin e zonës së tregtisë së lirë në Ballkan, përmes zgjerimit të CEFTES, që është miratuar javën e shkuar në Bruksel. Siç dihet marrëveshjen e kanë nënshkruar 8 vende, përfshirë edhe UNMIK-un në emër të Kosovës, por jo edhe Serbia dhe Bosnje Hercegovina.

Augustin PALOKAJ, Bruksel
XS
SM
MD
LG