Ndërlidhjet

ABRAMOWITZ:"SERBIA ËSHTË VETË PROBLEMI"


Morton ABRAMOWITZ, ish - emisar i SHBA-ve për Ballkanin

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Abramowitz, i dërguari i Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, ka vendosur që ta shtyjë zgjidhjen e statusit të Kosovës për shkak të zgjedhjeve parlamentare në Serbi. Si e shihni ju këtë vendim?

MORTON ABRAMOWITZ
Unë mendoj se sa më e gjatë të jetë vonesa, është e qartë se do të jetë më keq. Kjo veçanërisht për faktin se nuk jam shumë i bindur se Serbia do t’i përshtatet pavarësisë së Kosovës. Unë mendoj se vonesa prej disa javësh mund të jetë në rregull, por çdo vonesë tjetër e zgjatur më shumë mund të jetë e dëmshme. Aktualisht, duket se kjo çështje nuk do të arrijë në Këshillin e Sigurimit deri në mars apo prill të vitit të ardhshëm, gjë që fatkeqësisht i jep Serbisë edhe më shumë kohë për të penguar marrëveshjen. Nëse Serbia bashkëpunon në zbatimin e marrëveshjes, atëherë kjo është një çështje tjetër. Por, nuk duket se Serbia do ta pranojë në ndonjë mënyrë zgjidhjen që në një formë ofron pavarësinë për Kosovën; qoftë zgjidhjen që shpallë pavarësinë, gjë që ka pak gjasë, qoftë edhe zgjidhjen që shpall shkëputjen e Kosovës nga Serbia dhe i jep mundësinë asaj të shpallë pavarësinë e vet.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se Grupi i Kontaktit është i ndarë rreth kësaj çështjeje?

MORTON ABRAMOWITZ
Nuk mund të jem i sigurt, por rusët të cilët janë anëtarë të Grupit të Kontaktit, ndoshta pajtohen me komunikatat për shtyp, megjithëse prononcimet e tyre që vijnë nga zyrtarë të lartë flasin se ata nuk do të pajtohen me asnjë zgjidhje tjetër përveç asaj që do të jetë e negociuar. Kjo natyrisht nuk është e mundshme, dhe nëse rusët do të vazhdojnë të mbajnë këtë qëndrim, mbetet të shihet. Rusia qartësisht mund të shfrytëzojë veton mbi zgjidhjen dhe kjo çështje do të jetë temë e diskutimeve thelbësore, mbase midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për të eliminuar përpjekjet e Rusisë për të penguar cilën do zgjidhje që Ahtisaari do ta paraqesë. Në anën tjetër, gjithashtu mendoj, ndonëse nuk jam shumë i sigurtë, se ka dallime edhe midis vendeve tjera anëtare të Grupit të Kontaktit. Edhe vendet sikur Spanja, Italia dhe Greqia kanë shprehur shqetësimet e tyre për çdo zgjidhje që ofron pavarësinë pa pajtimin e Serbisë. Përveç Italisë, këto të tjerat nuk janë anëtare të Grupit të Kontaktit, por të Bashkimit Evropian dhe do të shohim se si do të përfundojë kjo çështje. Që zgjidhja të miratohet me sukses në Këshillin e Sigurimit dhe të zbatohet si e tillë, është jashtëzakonisht e rëndësishme që amerikanët dhe Bashkimi Evropian ta mbështesin këtë zgjidhje, dhe natyrisht do të ishte e dëshirueshme që edhe rusët të mos e pengojnë atë apo të mos e shfrytëzojnë të drejtën e vetos mbi të.

RADIO EVROPA E LIRË
Në raportin e tij të fundit, Grupi Ndërkombëtar i Krizave ka tërhequr vërrejtjen se “Perëndimi nuk mund të bëjë shumë në përmbushjen e synimeve për të sforcuar demokracinë në Serbi dhe për ta bindur qeverinë serbe që ta pranojë pavarësinë e Kosovës”. Në këtë rast, çfarë duhet bërë?

MORTON ABRAMOWITZ
Keni ngritur një çështje shumë të qëlluar, ky është një problem. Serbia ka çdo mundësi, nëse dëshiron t’i shfrytëzojë ato, për ta bërë jetën shumë të vështirë, edhe në rast se zgjidhja miratohet. Fatkeqësisht, sipas mendimit, Serbia është vetë problemi. Natyrisht, në aspektin emocional, për Serbinë është e vështirë për ta pranuar pavarësinë e Kosovës. Por ajo duhet të marrë një vendim, nëse do të bashkëpunojë Serbia në fund në zbatimin e zgjidhjes që ofron pavarësinë për Kosovën, ndonëse kam dyshime se një gjë e këtillë mund të llogaritet nga ana e zotit Koshtunica, apo nëse do ta pengojë atë. Nëse e pengojnë, atëherë ata kanë zgjedhur që të pengojnë edhe hyrjen e tyre në Bashkimin Evropian. Në këtë rast, mendoj se duke marrë parasyshë problemet serioze territoriale në mes të Serbisë dhe Kosovës, Bashkimi Evropian nuk do ta trajtonte Serbinë si anëtare potenciale. Pra, në shumë mënyra, për Serbinë duhet të jetë një zgjedhje midis këtij opsioni dhe përpjekjeve për ta trajtuar realisht Kosovën, gjë për të cilën shumë serbë mendojnë se duhet bërë, por udhëheqësit e tyre nuk mendojnë kështu. Dhe përderisa këta udhëheqës e shndërrojnë këtë në një çështje të madhe dhe refuzojnë të bashkëpunojnë, atëherë do të krijohet një situatë shumë e rëndë dhe e çrregulluar.

RADIO EVROPA E LIRË
Një zgjidhje e imponuar mund të kundërshtohet nga Rusia në Këshillin e Sigurimit, sikur që e përmendët edhe ju. Moska zyrtare pohon se planin e z. Ahtisaari do ta trajtojë si propozim dhe jo si një ultimatum. Cilët janë gjasat që zgjidhja të miratohet në Këshillin e Sigurimit ?

MORTON ABRAMOWITZ
Nëse rusët e shfrytëzojnë veton mbi këtë zgjidhje, do të jetë një problem serioz. Unë nuk mund të jap një përgjigje mbi këtë cështje, por ajo që po ndodh tani është se propozimi i z. Ahtisaari është i formësuar në atë mënyrë për të zvogëluar sa më shumë që të jetë e mundur kundërshtimin e Rusisë dhe atë të Serbisë. A do të jetë një qasje e këtillë e suksesshme, nuk e di, na mbetet të shohim. Por, megjithatë mendoj se duhet të ketë përpjekje të mëdha diplomatike për të parandaluar rusët që ta pengojnë arritjen e zgjidhjes. Në anën tjetër, nuk e di sa është Rusia e përkushtuar në këtë çështje, por është e qartë se çon peshë dhe nuk dihet se cili është çmimi i saj diplomatik për t’u pajtuar me zgjidhjen. Nëse rusët vendosin të shfrytëzojnë veton në vend të abstenimit, atëherë do të jetë një problem serioz.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse Këshilli i Sigurimit dështon në miratimin e zgjidhjes, udhëheqësit kosovarë kanë dhënë shenja se do ta shpallin pavarësinë në mënyrë të njëanshme. Cfarë do të thoshte një skenar i këtillë për komunitetin ndërkombëtar?

MORTON ABRAMOWITZ
Mendoj se është shumë e rëndësishme që komuniteti ndërkombëtar të gjejë një mënyrë për ta bekuar, ndoshta jo në formë të drejtëpërdrejtë, por në ndonjë formë indirekte, në kuptimin e një zgjidhjeje të Kombeve të Bashkuara. Mendoj se kjo do të jetë një çështje kritike. Nëse kjo nuk arrihet, atëherë është e qartë se do të krijohet një situatë edhe më kaotike. Dhe shpresoj të jetë një urë të cilën nuk duhet ta kalojmë.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të ketë Kosova ulëse në Kombet e Bashkuara edhe nëse i mungon njohja ndërkombëtare e disa vendeve anëtare?

MORTON ABRAMOWITZ
Ulësja në Kombet e Bashkuara varet nga shkalla e sovranitetit, pavarësisë që ka një vend i caktuar dhe nga fakti nëse vendet tjera të botës e njohin atë nëpërmjet votave të tyre. Unë padyshim shpresoj se një pjesë e zgjidhjes do të mundësojë një rrugë të qartë për Kosovën që të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara. Kjo është një çështje shumë e rëndësishme. Është e rëndësishme të mundësohet një siguri, në mënyrë që njerëzit të investojnë në Kosovë; është e rëndësishme që të krijohet siguri në mënyrë që vështirësitë e moszgjidhjes së kësaj çështjeje të mos zgjerohen në vendet tjera të Ballkanit. Zgjidhja e çështjes së Kosovës ka ndikim të rëndësishëm dhe natyrisht do të ishte më mirë nëse Serbia do të bashkëpunonte me komunitetin ndërkombëtar, por fatkeqësisht, siç thashë edhe më parë, nuk jam fare optimist mbi këtë çështje.

Intervistoi: Arbana VIDISHIQI
XS
SM
MD
LG