Ndërlidhjet

KUVENDI I KOSOVËS ENDE S'KA MIRATUAR NISMAT PËR KUSHTETUTËN DHE SIMBOLET


Albana Isufi, Prishtinë

Të cilësuara si prioritete për t’u përmbyllur deri në zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës, kushtetuta e Kosovës dhe simbolet shtetërore kanë ngelur ende në fazën fillestare.
Deputetë të subjekteve kryesore politike pranojnë se të dy këto çështje janë të rëndësishme, por hapa konkrete ende nuk janë ndërmarrë në Kuvendin e Kosovës.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Nekibe Kelmendi bashkëkryeson grupin për hartimin e kushtetutës në kuadër të grupit politik strategjik. Por, Kelmendi thotë se nuk di se kur kjo çështje do të kalojë edhe në Kuvend.

“Përgatitja nënkupton themelimin e Këshillit Kushtetues dhe legjitimimin e atij nga ana e Kuvendit për të filluar punën. Ne e kemi propozuar kohë më parë tash të shohim kur do të vijë në radhë në mbledhjen a Kuvendit nga ana e Kryesisë së Kuvendit,” thotë Nekibe Kelmendi.

Shefi i Grupit Parlamendtar të PDK-së, Jakup Krasniqi thotë se nuk është bërë mjaft që kushtetua e Kosovës të marrë formën e saj.
“Mendoj se partitë politike të përfaqësuar në Kuvend , shoqëria civile, por në radhë të parë Kuvendi dhe qeveria të merren me formimin e një grupi, me caktimin e një buxheti për hartimin e kushtetutës. Kjo duhet të ndodhë së shpejti. Mendoj se diçka është bërë deri tash, por jo në mënyrë të mjaftueshme”, thotë Jakup Krasniqi.

Ndërsa, Mazllum Kumnova, nga grupi parlamentar i AAK-së, beson se kjo çështje e propozuar shumë kohë më parë do të finalizohet shpejt.

“Është e depozituar në Kryesinë e Kuvendit kërkesa që në veçanti për kushtetutën të shkojë përmes Kuvendit të Kosovës. Nëse punojmë dhe jemi të mençur besojmë se e kryejmë”, thotë Mazllum Kumnova.
Gazmend Muhaxheri nga subjekti politik ORA, akuzon institucionet për një neglizhencë, qoftë në hartimin e kushtetutës, qoftë për krijimin e simboleve shtetërore.

“Momentalisht janë në fazën fillestare domethënë ende nuk po mund të dakordohemi se kush duhet t’i bëjë këto dhe kur duhet bërë. Është një neglizhencë e pajustifikueshme e të gjitha institucioneve”, thotë Gazmend Muhaxheri.

Megjithatë, deputetja Kelmendi nga LDK, thotë se e rëndësishme është zgjidhja e statusit. Ajo beson se pas sqarimit të kësaj çështjeje, kushtetuta do të jetë gati.

“Le të vendoset për statusin, se ju garantoj se më 31 mars kushtetuta duhet të jetë gati”.

Ndërkaq për simbolet shtetërore Kelmendi mendon se duhet sponsorizuar një ligj, të cilin më pas do ta miratonte Kuvendi.

Jakup Krasniqi nga PDK thotë se për simbolet shtetërore i mbetet kryetarit të Kosovës, si një faktor uniteti, që përmes një forumi të gjerë të vendosë nëse duhen ndryshuar apo jo simbolet që Kosova i përdor aktualisht.

“Duhet përcaktuar çështja se a duhet bërë ky ndryshim a jo. Pas kësaj duhet formuar një grup i përbërë nga parlamentarët dhe nga profesionistët, të bëhen kërkesa profesionale për krijimin e simboleve shtetërore nëse është e domosdoshme. Nëse dikush mendon se po bëhet pavarësia e jemi pa simbole, ne pavarësinë mund ta presim edhe me këto simbole që i kemi”, tha Jakup Krasniqi.

Ndërkohë, përfaqësues të ORA-s nuk besojnë se Kuvendi do të vendosë shpejt për çështjen e simboleve shtetërore, pasi është duke u kërkuar ende një konsensus në mesin e partive kryesore politike në vend.
XS
SM
MD
LG