Ndërlidhjet

AVNI ARIFI: KOSOVA E GATSHME PËR FAZËN E TRANZICIONIT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kalimi i kompetencave nga misioni administrues i Kombeve të Bashkuara tek institucionet vendore, paraqet një prej operacioneve më të mëdha në Kosovën e pasluftës, ka vlerësuar sot, koordinatori i qeverisë së Kosovës për tranzicionin, Avni Arifi.
Ai thotë se mekanizmat e përbashkët të UNMIK-ut e qeverisë, si dhe ato të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara, po i bëjnë përgatitjet e duhura që Kosova të jetë e gatshme për tranzicion, qysh nga dita e parë e qartësimit të statusit të saj. Në këtë aspekt, Arifi përmend dhe disa fusha, në të cilat po bëhet identifikimi i autorizimeve e përgjegjësive që do t’u kalohen institucioneve vendore:

“Ka patur takime të rregullta edhe me UNMIK-un edhe me Zyrën e Unionit Evropian dhe njëkohësisht edhe me Zyrën Amerikane, si palë të shqyrtimit të mundësive për një transferim sa më efikas të kompetencave. Momentalisht kemi ardhur deri te një ndarje në pesë grupe, këtu kemi të bëjmë me tranzicionin e dokumentacionit juridik apo legal, qeverisjen, administratën civile, sundimin e ligjit dhe ekonominë”, sqaroi Arifi.

Javën e ardhshme, sipas Arifit pritet të miratohet metodologjia e punës dhe caktimi i saktë i fushave që do të transferohen. Ndërkohë që me zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe përmbylljen e misionit të UNMIK-ut, një pjesë e kompetencave do t’i kalohen dhe zyrës ndërkombëtare në Kosovë, e cila do të fillojë misionin pas statusit të Kosovës:

“Është një ide se një pjesë e kompetencave do të shkojnë drejtpërdrejtë te zyra ndërkombëtare, mirëpo ende përderisa nuk është i njohur propozimi dhe vendimi, ato çështje mbeten të diskutohen më vonë”, tha Arifi.

Ndërsa sqarimi i rolit të zyrës ndërkombëtare apo pranisë së ardhshme ndërkombëtare është në vazhdim e sipër, vetë përmbajtja e statusit të Kosovës, konsiderohet po ashtu si një çështje përcaktuese lidhur me përgjegjësitë që do t’i kenë institucionet e Kosovës pas përcaktimit të statusit. Por, deri atëherë, Arifi thotë se Kosova do t’i bëjë të gjitha përgatitjet në mënyrë që tranzicioni nga UNMIK-u tek autoritetet vendore, të zgjasë sa më shkurt:

“Nga të gjithë konsiderohet si një prej operacioneve më të mëdha që kanë pas institucionet e Kosovës që nga viti 1999. Është një operacion voluminoz, sepse shumë sektorë, shumë fusha kanë qenë kompetencë e rezervuar e UNMIK-ut dhe se qëllimi është që pas vendimit për statusin në Këshillin e Sigurimit, Kosova të jetë e gatshme, pra është çështje e muajve kur të gjitha këto veprime duhet të përfundohen”, pohoi Arifi.

Nisur nga synimet që kanë institucionet e Kosovës, pritjet e Prishtinës zyrtare janë se Kosova do të jetë një vend i pavarur dhe se qeveria dhe institucionet e tjera, me disa specifika, do t’i ketë përgjegjësitë e një shteti të pavarur, ndërkohë që zyra ndërkombëtare që do të fillojë misionin e vet, deri më tash ka paralajmëruar përgjegjësi e kompetenca në fushat e drejtësisë dhe sigurisë.
XS
SM
MD
LG