Ndërlidhjet

KORAKSIQ: ARTI MUND T'I AFROJË NJERËZIT


Bekim Bislimi, Prishtinë

Përmes kulturës dhe artit njerëzit mund të krijojnë urat për t'u afruar me njëri tjetrin dhe festivali ndërkombëtar i studentëve për film dhe teatër- "Skena up" në Prishtinë është një vend dhe rast i mirë në këtë drejtim, thotë Ivana Koraksiq, studente e aktrimit nga Universiteti i Beogradit, e cila mbrëmë në këtë festival u paraqit me shfaqjen "Sani dhe flaka e saj e vogël", formë e show teatrit dhe vallëzimit.

Ajo thotë se në Kosovë më parë ka patur dhe paraqitje të tjera, por kjo ishte dhe hera e parë që merrte pjesë në këtë festival ndërkombëtar të organizuar nga studentët e Akademisë së Arteve të Universitetit të Prishtinës.

"Për herë të parë jam në festivalin "Skena up" dhe për herë të parë luajmë një shfaqje të tillë. Shfaqja ishte e mirë dhe është pranuar mjaft bukur. Publiku ishte ndërkombëtar për shkak se në këtë festival ka mjaft të huaj pjesëmarrës dhe unë jam përpjekur që të komunikoj edhe në gjuhën angleze përmes shfaqjes. Kjo u pranua mjaft mirë dhe që në fillim ndihej një energji pozitive", tha Ivana Koraksiq.

Sipas saj për festivalin "Skena up" kishte planifikuar që nga Beogradi të vinte me një grup aktorësh dhe të luanin një shfaqje tjetër, por për shkak se në rrethin ku jeton ekziston frika se në Kosovë mund të jetë rrezikshëm për ta, ky planifikim kishte dështuar. Pjesëmarrjen e saj në këtë festival Koraksiq e quan si një thyerje të akullit, duke shtuar se megjithë këtë është rast i mirë që kultura dhe arti t'i afrojnë njerëzit dhe popullit, siç janë edhe shqiptarët dhe serbët.

"Natyrisht mendoj se përmes kulturës mund të lidhemi. Këtë mund ta bëjnë njerëzit që kanë botkuptime të hapura dhe të lira dhe që nuk janë të ngarkuar me politikën. Mendoj që në të ardhmen mund të lidhemi," tha Ivana Koraksiq, duke shtuar megjithatë se përveç kontakteve kulturore, nevojitet, siç thotë ajo, që ende të ndodhin shumë gjëra, që shqiptarët dhe serbët të komunikojnë në mënyrën më të mirë.

Sidoqoftë, Ivana Koraksiq thotë se shpreson që ardhja e saj në Prishtinë dhe pjesëmarrja në festivalin "Skena up", do të ketë ndikim pozitiv edhe tek kolegët e saj, por edhe tek rrethi në përgjithësi.

"Mendoj që kur njerëzit të dëgjojnë se dikush ka ardhur këtu dhe lëviz lirshëm, se unë kam ardhur këtu, kam luajtur shfaqjen dhe jam kthyer shumë mirë, kjo ndikon në kokat e tyre të ndryshojnë mendimet. Këtu na kanë pritur mjaft bukur dhe në festival janë mjaft dashamirës. Mendoj se kur t'u tregoj për këtë në fakultet, një zë mund të ndikojë që t'u thotë njerëzve që të lirohen dhe të mendojnë se këtu mund të vijnë", tha Ivana Koraksiq.



XS
SM
MD
LG