Ndërlidhjet

AGIM ÇEKU: PAVARËSI PËR KOSOVËN


Wall Street Journal

Pikërisht në kohën kur dukej se Ballkani më në fund do të bënte kthesën e duhur, kemi hyrë në një periudhë tjetër stagnimesh, vonesash dhe paqartësish.

Kosova është e urritur për pavarësi, është e gatshme për pavarësinë dhe tani nuk është koha për ta ndalur orën. Kosova ka nevojë për qartësi në mënyrë që të zbatojë reformat dhe të tërheqë investime ndërkombëtare të rëndësisë thelbësore, por gjithashtu për t’i mundësuar popullit, e veçanërisht pakicës serbe, që të çlirohet nga shqetësimet dhe pasiguritë e padurueshme në ndërtimin e një të ardhmeje. Shtëpia dhe e ardhmja e tyre është në Kosovë.

Dy gjëra duhen bërë për të arritur sukses në ndërtimin e një shteti të pavarur modern dhe përparimtar. Së pari, duhen përmirësuar edhe më shumë institucionet vendore për të mundësuar më shumë transparencë dhe një sistem ligjor funksional. Së dyti, është i domosdoshëm një përkushtim i gjerë politik për zhvillimin dhe modernizimin e vendit.

Pavarësia është vetëm hapi i parë dhe si i tillë nuk do të jetë i mjaftueshëm për t’i dhënë Kosovës një të ardhme të qëndrueshme, Kosova ka nevojë edhe për një perspektivë të qartë mbi anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Nuk kam asnjë dyshim se pavarësia e Kosovës do të jetë një realitet i vështirë për Serbinë, por është e vetmja rrugë. Beogradi nuk është i interesuar për të investuar në zhvillimin e Kosovës dhe Kosova nuk është e interesuar për bashkim politik me Serbinë.
Ajo është e interesuar për të zhvilluar një partneritet të dyanshëm produktiv me Serbinë, sikur që ka bërë me vendet e tjera fqinje.

Përparimi social dhe ekonomik në rajon do të jenë humbësit më të mëdhenj, nëse nuk bëhet hapi i qartë përpara drejt pavarësisë.

Por, a mundet Kosova të mbijetojë? Natyrisht, nëse reformohet, Kosova do të ketë sukses. Në këtë kuadër, ekziston plani proaktiv “3E”, i miratuar nga qeveria e Kosovës e që ka të bëjë me energjinë, ekonominë dhe edukimin.

Bashkimi Evropian është duke u përballur me një krizë dhe ka nevojë për kohë për të konsoliduar dhe për të ripërcaktuar balancën e tij të brendshme politike. Megjithatë, nuk ka arsye për të larguar vëmendjen nga synimin i tij strategjik: krijimi i një Evrope të tërësishme dhe të lirë. Aktualisht, kjo ende nuk është bërë realitet, së paku jo në Ballkanin perëndimor.




XS
SM
MD
LG