Ndërlidhjet

logo-print

PËRFAQËSUES TË OPOZITËS MALAZEZE VIZITOJNË PJESËN VERIORE TË MITROVICËS


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Nuk mund të ketë një vendim për pavarësinë e Kosovës, i cili do të jetë i ligjshëm dhe i mbështetur në parimet ndërkombëtare, tha sot në Mitrovicë, Ministri i Pushtetit Lokal i Serbisë, Zoran Llonçar. Ai i ka bërë këto komente në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës, që banohet nga shumicë serbe, duke iu drejtuar opozitës parlamentare të Malit të Zi që kanë vizituar këtë pjesë. Llonçar tha se nuk mund të ketë vendim të tillë për pavarësinë e Kosovës, pasi kjo do të ishte në kundërshtim me parimet ndërkombëtare:

"Sovraniteti dhe integriteti territorial i shteteve demokratike jane te paprekshme dhe ky parim që vlen për të gjitha shtetet demokratike, duhet të vlejë edhe për Serbinë," tha Llonçar, sipas të cilit kjo është politika e Serbisë që të angazhohet për parimet që vlejnë për të gjitha shtetet dhe këtë e kemi dëshmuar, edhe me kushtetutën sipas të cilës Kosova është pjesë e pandashme e Serbisë.

Ministri i Pushtetit Lokal i Serbisë, Llonçar me këtë rast u është drejtuar përfaqësuesve të opozitës malazeze, të cilët kanë vizituar pjesën veriore të Mitrovicës, si protestë për vizitën e kryeministrit të Kosovës Agim Çeku në fillim të këtij muaji në Malin e Zi, ku u prit nga zyrtarët më të lartë të këtij shteti.

Milan Ivanoviq, udhëheqës i Këshillit Nacional Serb në veri, tha se arsye e këtij takimi vëllazëror, siç u shpreh ai, është pikërisht vizita zyrtare e Agim Çeku në Malin e Zi. Pritja që iu bë Çekut në Podgoricë ishte mbështetje për vëllezërit e tyre shqiptarë, mbështetje për partnerët e tyre të biznesit dhe shpërblim për votat e rrejshme të shqiptarëve për pavarësinë e Malit të Zi:

"Gjithsesi, ky ishte edhe një zbatim i urdhrave të mentorëve të përbashkët nga perëndimi që i kanë shqiptarët dhe udhëheqja e Malit të Zi," tha Milan Ivanoviq, sipas të cilit biseda e Çekut dhe Gjukanoviqit është shkelje e të drejtave ndërkombëtare dhe e miqësisë shekullore të Serbisë dhe Malit të Zi.

Ndërkaq, një nga udhëheqësit e delegacionit nga Podgorica, Andrija Mandiq, kryetar i Partisë Popullore Serbe në Mal të Zi, tha se nuk ka malazez të ndershëm i cili nuk është turpëruar kur para disa ditësh Agim Çeku vizitoi Podgoricën dhe u takua me Milo Gjukanoviqin, me të cilin biseduan gjoja për marrëdhëniet e ardhshme të të dyja shteteve, Kosovës dhe Malit të Zi:

"Nuk ka njeri të ndershëm që nuk është turpëruar dhe nuk ka dëshiruar të vijë këtu dhe të kërkojë falje publike për atë që bëri Gjukanoviq," tha Mandiq, sipas të cilit mbrojtja e Kosovës është mbrojtje e jetës së serbëve dhe malazezëve në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës Agim Çeku e pati vizituar Podgoricën në kuadër të një turneu nëpër disa vendeve të Ballkanit dhe të Evropës, ndërkohë që Beogradi zyrtar atëbotë pati reaguar ashpër ndaj pritjes zyrtare që iu bë kryeministrit të Kosovës nga udhëheqja shtetërore e Malit të Zi.

XS
SM
MD
LG