Ndërlidhjet

SEJDIU, THAÇI: KOSOVA DUHET TA PRESË E PËRGATITUR DITËN E PARË TË PAVARËSISË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kosova do të dëshmojë se është e gatshme për të qenë një shtet funksional dhe demokratik, është thënë sot pas një takimi të zhvilluar ndërmjet presidentit të Kosovës Fatmir Sejdiu, dhe liderit të Partisë Demokratike të Kosovës Hashim Thaçit. Sejdiu dhe Thaçi u angazhuan për një unitet të domosdoshëm në Kosovë sidomos në lidhje me disa çështje të njohura si interesi i Kosovës, ku përfshihen kushtetuta, simbolet, zgjedhjet e lira dhe çështje të tjera.

Presidenti Sejdiu tha se angazhimi i parë në këtë drejtim do të jetë sidomos në lidhje me hartimin e kushtetutës së Kosovës.
"Mund të them se deri tani ne i kemi përgatitur parimet e para bazë të kushtetës së ardhshme të Kosovës, një ekip profesional që i ka punuar me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, por në proces të mëtejshëm të themi, në marrëveshje me institucionet kryesore, me parlamentin e Kosovës dhe strukturat politike, që e ndërtojnë atë. Do të shohim se cila do të jetë rruga më e mirë e përmbarimit të këtij procesi, por ka dhe shumë çështje të tjera. Ajo që është shumë e rëndësishme, është sfida që ne na pret në funksionimin e mirë të shtetit të Kosovës, që në ditën e pavarësisë dhe në ecjen më tej. Ne themi se edhe tash jemi të gatshëm të startojmë çështjen", tha presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu.

Ndërkaq lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Kosova i ka të gjitha garancat se do të jetë një vend i pavarur. Nuk mund të flasim për kohën e saktë, por Kosova është e gatshme që të jetë një vend i pavarur, është shprehur Hashim Thaçi.

"Me rëndësi është që sa më parë të kemi vendimin për Kosovën si shtet i pavarur dhe sovran. Me rëndësi është të nxjerrim kushtetutën e re menjëherë dhe natyrisht në proces e sipër, në periudhën e afërt disa mujore, natyrisht do të organizohen zgjedhjet e lira dhe demokratike, që të kemi qeverinë e re dhe të fillojmë seriozisht dhe me përgjegjësinë më të lartë kombëtare, politike dhe demokratike, në ndërtimin e institucioneve stabile, demokratike, efektive dhe mbi të gjitha me orientim perëndimor", tha Hashim Thaçi.

Zotime të bashkësisë ndërkombëtare dhe të presidentit Marti Ahtisari, janë se nuk do të ketë zvarritje të tjera, dhe se propozimi për statusin e Kosovës, nuk do të ketë nevojë të presë dhe konstituimin e institucioneve në Serbi, pohoi në anën tjetër Fatmir Sejdiu.

"Kreanca kryesore është ajo që presidenti Marti Ahtisari e ka plasuar në takimin e Grupit të Kontaktit, se pas zgjedhjeve në Serbi, ai do të dalë me propozimin e tij. Natyrisht se kam parasysh të gjitha variacionet e tjera që mund të ndodhin, por mendojmë dhe besojmë plot në përkushtimin e bashkësisë ndërkombëtare, që ky proces të mos zhagitet më dhe të ecë në rrugën e vet, pa zgjatje, pa stërzgjatje dhe pa dilema", tha Sejdiu.

Deri në vendimin për statusin e Kosovës, Hashim Thaçi tha se Kosova duhet të jetë e përgatitur që bashkësia ndërkombëtare të shohë Kosovën si një vend stabil dhe funksional. Në këtë aspekt Thaçi tha se në Prishtinë po zhvillohen përgatitjet e nevojshme për ditën e parë të pavarësisë së Kosovës.

"Ne do t'i kryejmë të gjitha obligimet tona karshi procesit, se do ta ruajmë stabilitetin, do ta ruajmë unitetin dhe kapacitetin shtetformues, do ta kultivojmë partneritetin me komunitetin ndërkombëtar dhe do të vazhdojmë me agjendën tonë për të qenë të përgatitur për ditën e vendimit për Kosovën shtet i pavarur dhe sovran", tha Thaçi.

Po në lidhje me statusin e Kosovës, shefi i zyrës ruse në Prishtinë Andrej Dronov, ka pohuar sot pas një takimi që zhvilloi me Ministrin për Kthim dhe Komunitete Sllavisha Petkoviq, se statusi i Kosovës duhet të jetë i pranueshëm për të gjithë. Ai tha se bashkësia ndërkombëtare nuk e ka ndryshuar pozicionin që tashmë e ka përcaktuar Grupi i Kontaktit në takimin e Nju Jorkut, kurse qëndrimi rus për statusin, tha Dronov, do t'i prezantohet kryeministrit Agim Çeku, gjatë vizitës që ai do t'i bëjë Moskës më 30 nëntor.

"Ne do të mundohemi t'i sqarojmë më shumë pozicionin rus ndaj statusit të Kosovës kryeministrit Çeku gjatë takimeve me zyrtarë rusë në Moskë, ndërkohë që edhe ai do të ketë mundësinë që t'i shpalosë pikëpamjet e tij para Moskës zyrtare," theksoi Dronov.

Përveç agjendës dhe angazhimeve, në kuadër të politikës së brendshme, liderët kosovarë në vazhdimësi janë duke udhëtuar jashtë Kosovës, që t'u prezantojnë pikëpamjet e tyre për pavarësinë e Kosovës, edhe qeverive të vendeve më me ndikim në botë si dhe atyre të rajonit.

XS
SM
MD
LG