Ndërlidhjet

NUMRI I FËMIJËVE TË BRAKTISUR NË KOSOVË ËSHTË NË RËNIE


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Informacionet, këshillat praktike dhe ato psikologjike për prindërit që dëshirojnë të adoptojnë fëmijë janë të pamjaftueshme. Në ditën ndërkombëtare të fëmijëve në Prishtinë sot është diskutuar për adoptimin e fëmijëve të braktisur në temën "Dashuria prindërore nuk është e thjeshtë".

Psikologu Dashamir Bërxulli, thotë se në Kosovë ekzistojnë shumë faktorë që pengojnë adoptimin e fëmijëve. Një prej tyre është se shumë familje ngurrojnë të adoptojnë fëmijë, për shkak se kanë dyshime lidhur me raportet e tyre me rrethin dhe në këtë mënyrë, sipas tij, vihet në dyshim edhe integrimi i fëmijës në këtë rreth.

"E vërteta është që informacioni që ekziston sot në Kosovë në ndihmë të prindërve adoptivë është i pakët dhe me këtë lloj manuali, me këtë libër, ne i vimë në ndihmë si prindërve adoptivë, ashtu dhe punëtorëve socialë dhe aktorëve të tjerë që merren me këtë problematikë, me informacionet e duhura, adekuate në lidhje me këto gjëra", tha zoti Bërxulli.

Mungesa e këshillave për prindër adoptivë, ndikon edhe tek trajtimi i duhur i fëmijëve të adoptuar, thotë Hilda Halimi, drejtoreshë e Shërbimit Social Ndërkombëtar në Kosovë.

"Shpesh herë ndodhin edhe gjëra që nuk shkojnë në të mirë të fëmijës, si fshehja nga prindi, nga fëmija, mandej trajtimi i tij si fëmijë, fshehja e origjinës, fshehja e traditave të fëmijës ndoshta në familjen e origjinës", thotë zonja Halimi.

Në vitin 1985, një grua nga Prishtina e cila dëshiron të mbetet anonime, ka adoptuar një vajzë, e cila tashmë i ka 22 vjet dhe është studente në një nga fakultetet private në Prishtinë. Ajo shpjegon ndjenjat e saj si prind, që ka adoptuar një fëmijë të braktisur.

"Çfarë është të kesh fëmijë dhe të jesh nënë biologjike, atë ndjenjë nuk e di, por edhe tani i kam ato emocione që i kam patur para 22 vjetëve. Është një kënaqësi shumë shumë e madhe".

Ajo thotë se vajzës i ka treguar se është adoptuar, në kohën kur ka mbushur 18 vjet dhe katër vite më vonë, raportet midis tyre vazhdojnë të jenë të shëndosha.

"Kemi biseduar për gjithshka gjithë këto vite, që të mos e gjykojë as ajo një nënë që e ka ditur që ka lënë fëmijën e vet, mos ta gjykojë se nuk e di se në çfarë rasti apo çfarë situate ka qenë nëna biologjike, por më ka thënë kjo jetë pikë deri këtu. Për mua jeni ju që jeni", tha zonja nga Prishtina.

Ndryshe, psikologu Bërxulli, thotë se është i rëndësishëm dhe zhvillimi i fëmijës së adoptuar në të ardhmen. Ai është autor i librit që mban titullin e njëjtë sikurse tryeza e sotme, "Dashuria prindërore nuk është e thjeshtë".

"Ne kemi shumë raste në Kosovë që shumë prindër nuk janë të aftë të ndërrojnë por janë prindër biologjikë të dikujt. Në fakt ky libër kërkon të hedhë dritë mbi këtë fakt dhe kërkon t'ua bëjë të ditur prindërve adoptivë se këta mund të jenë prindër ashtu si çdo prind tjetër biologjik, madje prindër më të mirë, nëse dinë të prindërojnë", thotë psikologu Bërxulli.

Ndryshe, Ministria për Punë dhe Mirëqënie Sociale, për fëmijët me probleme, përfshirë këtu edhe fëmijët e braktisur ka përgatitur infrastrukturë të duhur ligjore, thotë Zylfie Pllana nga kjo ministri.

"Kështu që Ministria e Punës dhe Mirëqënies Sociale, realizon me sukses format e mbrojtjes si bashkimin familjar, kujdestarinë, strehimin familjar, adaptimin ose birësimin, strehimin e përkohshëm rezidencial, mendimet për shërbimet e fëmijëve të prindërve të shkurorëzuar, realizimin e kontakteve", thotë zonja Pllana.

Sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, numri i fëmijëve të braktisur në Kosovë, gjatë këtij viti, për herë të parë që prej përfundimit të luftës ka shënuar rënie. Ndërkaq kërkesat e familjeve për adoptimin e këtyre fëmijëve janë shtuar. Këtë vit 54 fëmijë janë braktisur, ndërkaq janë realizuar 50 adoptime.



XS
SM
MD
LG