Ndërlidhjet

NOJKIQ:"VENDIMET E NGUTSHME MUND TË KENË PASOJA"


Rangjel NOJKIQ, një nga udhëheqësit politik të serbëve të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Nojkiq, si e vlerësoni vendimin e Ahtisarit për shtyrjen e propozimit për statusin e Kosovës dhe si do të reflektohet kjo në procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës?

RANGJEL NOJKIQ
Mendoj se kjo është diçka krejt e pritur, pasi që shumë raporte brenda Grupit të Kontaktit kanë ndryshuar dhe tani ekzistojnë qëndrime të ndryshme të vendeve brenda Grupit të Kontaktit, por edhe të vendeve në fqinjësi dhe të vendeve të BE-së të cilat kanë probleme të ngjashme si ai i Kosovës. Kështu që, mendoj se kjo është diçka e pritur nga njëra anë dhe në anën tjetër mendoj se ka qenë e nevojshme që të pritet një kredibilitet dhe integritet i plotë i qeverisë së ardhshme të Serbisë, pasi qeveria aktuale e Beogradit është në kufirin e legjitimitetit, pasi është një shumicë tepër e ngushtë dhe kjo është e dosidoshme në mënyrë që marrëveshja për statusin e Kosovës të implementohet në mënyrën e duhur. Prandaj, këto fakte po të vihen në një rend të duhur do të duhej të jepnin një zgjidhje dhe mendoj se nuk do të ketë ndonjë efekt të rëndësishëm, përveç se të gjitha palët në bisedime do të ndeshen me realitetin dhe do të duhet ta pranojnë këtë realitet. Mendoj se është më mirë të gjendet një zgjidhje optimale e cila mund të marrë më shumë kohë, sesa të gjendet zgjidhja që do të merrej për ngut, e cila do të kishte pasoja të mëdha. Kështu që mendoj se kjo shtyrje është e mirë dhe mendoj se edhe Beogradi edhe Prishtina do ta kuptojnë realitetin në të cilin ndodhet Kosova dhe atë që bashkësia ndërkombëtare kërkon nga Kosova.


RADIO EVROPA E LIRË
A do të ketë kjo shtyrje ndonjë ndikim në situatën e përgjithshme në Kosovë?

RANGJEL NOJKIQ
Mendoj se nuk do të ketë ndonjë ndikim, përveç nëse ndonjë nga qarqet politike që u kanë dhënë premtime të kota qytetarëve ose pasuesve të tyre tani të jenë ndeshur me ndonjë zgjidhje tjetër apo me zgjidhje radikale. Mirëpo, mendoj se askujt nuk i përgjigjet të ndodhë ndonjë gjë e madhe dhe mendoj se të gjithë në Kosovë që janë të përfshirë në jetën politike, në parlament dhe në qeveri do ta kuptojnë situatën dhe shpresoj që këtë realitet do t’ua bëjnë të ditur qytetarëve të tyre, për të mos ndodhur ndonjë zhvillim si ai i 17 marsit, pasi situata e tillë vërtet nuk do të kontribuonte dhe nuk do t’u sillte kurrfarë rezultatesh pozitive as serbëve, as shqiptarëve dhe askujt tjetër që jeton në hapësirat e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Nojkiq, para disa ditësh ju keni kritikuar përfaqësuesit e ekipit negociues në lidhje me decentralizimin. Në të vërtetë, si e vlerësoni ju ofertën kosovare për decentralizimin dhe bisedimet e deritashme për këtë çështje?

RANGJEL NOJKIQ
Unë kam qenë kritik ndaj ekipit negociues, pasi ky ekip dhe posaçërisht Këshilli Konsultativ për Pakicat është përpjekur të keqpërdor bashkësitë me rastin e propozimit të zgjidhjeve të caktuara dhe të decentralizimit. Ajo që kam thënë nuk ka qenë vetëm qëndrim imi, por edhe i Komisioni për të drejtat dhe interesat e komuniteteve, pasi këtë çështje kemi biseduar dhe të gjitha bashkësitë në kuadër të atij komisioni kanë qenë të pakënaqur. Rezultat i kësaj pakënaqësie është edhe letra që ua kemi dërguar të gjitha zyrave të Grupit të Kontaktit dhe tashmë ka rezultate të caktuara pasi OSBE-ja e ka marrë shumë seriozisht vërejtjen tonë, prandaj javët dhe ditët e ardhshme do të kemi aktivitete të ndryshme dhe më 26 nëntor Komisioni do të udhëtojë për në Belgjikë dhe atje do të përballemi me zgjidhje të ngjashme të jetës shumetnike. Prandaj kritika ka qenë para së gjithash qëllimmirë, pasi problemet që tashmë po përpiqemi t’i zgjidhim përmes bashkësisë ndërkombëtare, kemi synuar t’i zgjidhim me ekipin negociues, përkatësisht me njerëzit relevantë të ekipit negociues, të cilët, më duhet të them me keqardhje, nuk i janë përgjigjur dhe nuk e kanë kuptuar mjaft seriozisht thirrjen dhe vërejtjen tonë dhe ne shpresojmë se ekipi negociues dhe Këshilli Konsultativ do ta kuptojë tashmë se cilat janë aspektet qenësore të procesit të decentralizimit dhe cilat janë zgjidhjet optimale dhe që do të zgjidhin probleme të caktuara. Kështu si qëndron puna, ende nuk janë përcaktuar mbrojtjet institucionale për bashkësitë dhe për këtë arsye ne kemi vërejtje të caktuara, të cilat nuk janë vërejtje vetëm të bashkësisë serbe, por edhe të bashkësive të tjera, prandaj unë shpresoj se pikërisht kjo hapësirë që është krijuar përmes shtyrjes së statusit, do t’i kontribuojnë zgjidhjes optimale, posaçërisht sa i përket decentralizimit dhe mbrojtjes së interesave të pakicave.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të thotë kjo se ende ka nevojë për një dialog të brendshëm ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve brenda Kosovës?

RANGJEL NOJKIQ
Mendoj se ai dialog është gjithmonë i nevojshëm. Më duhet të them se para dhjetë apo pesëmbëdhjetë ditësh, zoti Veton Surroi dhe zoti Lutfi Haziri kanë mbajtur një takim në Graçanicë. Është për keqardhje që ai takim nuk është organizuar në mënyrën e duhur dhe në të nuk kanë marrë pjesë përfaqësuesit e vërtetë, prandaj krijohet një përshtypje e manipulimit apo keqpërdorimit të takimeve të tilla. Megjithatë, është me rëndësi që të gjithë pjesëmarrësit në atë takim e kanë shprehur qartë gatishmërinë e tyre për të biseduar, por që takimet e tilla duhet të organizohen në mënyrën më cilësore dhe që të thirren përfaqësuesit më relevantë dhe që të bisedohet normalisht. Biseda në të vërtetë është diçka që jep zgjidhje të caktuara dhe gjithçka tjetër mund të ketë kundërefekte dhe pikërisht për këtë arsye mendoj se dialogu duhet të parandalojë pasojat eventuale radikale nga akëcila palë e bisedimeve. Prandaj bisedimet duhet të jenë ato që sjellin zgjidhje dhe në asnjë mënyrë dofarë zgjidhjesh radikale. Kur them zgjidhje radikale kam parasysh dhunën eventuale e cila do të ishte krejtësisht kundërproduktive dhe diçka që duhet penguar nëse ekziston çfarëdo paralajmërimi për to.

Intervistoi: Rrahman PAÇARIZI
XS
SM
MD
LG