Ndërlidhjet

PACK: JAM E TMERRUAR ME GJUHËN E DEPUTETËVE SERBË PËR KOSOVËN


Augustin Palokaj, Bruksel

Deputetët e Parlamentit Evropian kanë porositur sot kolegët e tyre nga Serbia që të kuptojnë realitetin në rastin e Kosovës, të kuptojnë se Kosova po bëhet shtet i pavarur dhe t'i kthehen çështjeve të tyre të brendshme në Serbi, në mënyrë që të ecin drejt të ardhmes evropiane.
Këto porosi u janë dhënë deputetëve të Kuvendit të Serbisë, në një takim ndërparlamentar me deputetë të Parlamentit Evropian sot në Bruksel.

Kosova ka qenë në fakt tema e vetme rreth të cilës nuk kanë gjetur as minimumin e pajtimit deputetët nga Serbia dhe ata nga Parlamenti Evropian. Për këtë përmendja e Kosovës edhe është hequr dhe nga deklarata e përbashkët që është miratuar në fund të takimit.

Deputetët e Parlamentit Evropian siç janë Doris Pack dhe Grizelda Kallenbah nga Gjermania, Jelko Kacin nga Sllovenia, Hanes Svoboda nga Austria, kanë thënë se Kosova shkon drejt pavarësisë, dhe se Beogradi duhet ta kuptojë këtë.Ata u kanë bërë ftesë që si parlamentarë, kolegët e tyre të insistojnë që edhe pas pavarësisë së Kosovës, Serbia të vazhdojë të bashkëpunojë ekonomikisht me Kosovën. Shumë deputetë të Parlamentit Evropian gjatë debatit kanë thënë se ndihen të tmerruar për gjuhën që kanë dëgjuar nga disa kolegë serbë për Kosovën.

Deputeti i Partisë DSS të kryeministrit Koshtunica Vuko Antonijeviç, ka thënë se në Kosovë ka xhihadë islamikë, krim të organizuar dhe se atje, deri në vitin 1999 nuk ka patur asnjë problem, sepse gjithshka ka filluar gjatë bombardimeve të NATO-s.

Duke reaguar në këto pohime, kryetarja e delegacionit për Evropën Juglindore, Doris Pack, ka thënë se është e tmerruar që dëgjon një gjuhë të tillë të urrejtjes ndaj shqiptarëve dhe një shtrëmbërim të tillë të fakteve historike.

"Nuk do të lejojmë një gjuhë të tillë këtu, ky është Parlamenti Evropian. Çfarë xhihadi në Kosovë? Për çfarë flisni ju? Shqiptarë ka edhe myslimanë edhe katolikë dhe mos e harroni këtë. Në Kosovë ka patur aparteid ndaj shqiptarëve dhe tortura nga regjimi i Milosheviçit. Unë vetë kam parë të rinj të torturuar dhe këtë nuk mund ta harroni", kanë qenë vetëm disa nga reagimet e ashpra që i ka dërguar deputetja Pack, ndaj kolegëve të saj serbë.
Asaj i është bashkangjitur në kritika edhe Grizelda Kallenbah, deputete e të gjelbërve gjermanë, duke thënë se si gjermane i porosit serbët se duhet të përballen me të kaluarën e tyre.

Kur një deputet serb u tha se nuk po e kuptojnë se realiteti në Kosovë është ndryshe, Doris Pack përsëri reagoi duke thënë se zonja Kallenbah ka jetuar 3 vjet në Kosovë, ku ka qenë administratore e qytetit të Pejës, dhe e njeh shumë mirë situatën në Kosovë.
I ashpër në qëndrim ka qenë edhe deputeti nga Sllovenia, Jelko Kacin, i cili, siç tha, në mënyrë që ta kuptojnë më mirë, foli në gjuhën serbe.

"E gjithë Evropa po e kupton se Kosova po bëhet e pavarur, vetëm ju serbët dhe Serbia bëni kinse se nuk po e kuptoni këtë. Ne duhet të merremi me serbët e Kosovës, sepse Serbia që moti e ka humbur Kosovën", tha Jelko Kacin.



XS
SM
MD
LG