Ndërlidhjet

logo-print

UNMIK-U LARGOHET NGA KOSOVA 3-6 MUAJ PAS STATUSIT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë planifikon që të largohet nga Kosova për një afat kohor prej 3 deri në 6 muaj pas vendimit për statusin e Kosovës. Ndërkohë që forca ushtarake e KFOR-it, do të mbetet në numër dhe rolin e njëjtë që ka sot, të paktën për 6 muajt e parë pas përcaktimit të statusit. Kështu kanë pohuar sot, zyrtarë të administratës ndërkombëtare dhe ata të KFOR-it, gjatë një konference të përbashkët për media.

Zëdhënësi i UNMIK-ut, Neeraj Sing tha se administrata e Kombeve të Bashkuara, në bashkëpunim me autoritetet lokale, planifikon që faza e tranzicionit pas statusit të jetë sa më e shkurtër. Kurse në lidhje me autorizimet që do t’u barten vendorëve, ai tha se shkalla e përgjegjësive që do t’i kenë kosovarët, varet në masë të madhe nga statusi që do të ketë Kosova:

“Lidhur me tranzicionin ne jemi duke planifikuar përmbylljen e tij në një afat kohor nga 3 deri në 6 muaj, por kjo nuk është përfundimtare”, tha zëdhënësi Sing. Aktualisht tha ai janë pesë fusha, në të cilat mendohet të operacionalizohen planet e bartjes së përgjegjësive te kosovarët. Këto fusha janë qeverisja, administrimi civil, siguria, ekonomia dhe çështjet ligjore.

Ndërsa UNMIK-u planifikon fundin e administrimit të Kosovës, i vendosur që nga 12 qershori i vitit 1999 përmes Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, në anën tjetër prania ushtarake e NATO-s, përkatësisht KFOR-it, planifikon të qëndrojë në Kosovë për aq kohë sa do të jetë e nevojshme.
Zëdhënësi i KFOR-it, Rajner Zenger tha se forca shumëkombëshe do të mbetet në Kosovë me këtë rol dhe me këtë numër të ushtarëve për 6 muajt e parë pas statusit, kurse për fazat e tjera do të vendoset në Komandën e NATO-s:

“KFOR-i do të qëndrojë në Kosovë për aq kohë sa do të jetë e nevojshme për të”, tha zëdhënësi Zenger. Kurse detajet e tjera të misionit ushtarak të KFOR-it pas përcaktimit të statusit, sipas tij do të përcaktohen në fund të këtij muaji nga ana e Komandës së NATO-s.

Sidoqoftë, në Kosovë parashihet që edhe pas përcaktimit të statusit, përveç pranisë ushtarake, të ketë dhe një prani civile. Aktualisht po bisedohet për rolin që do të ketë Zyra Ndërkombëtare në Kosovë.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë potencuar dy fusha që vihen si interesim i BE-së, e ato janë siguria dhe drejtësia, në të cilat kosovarët do t’i ndajnë përgjegjësitë me ndërkombëtarët. Po ashtu, edhe organizatat e tjera ndërkombëtare që nuk kanë fuqi ekzekutive, si OSBE-ja, do të vazhdojnë misionet e tyre në Kosovë, me qëllim të asistimit dhe monitorimit të vendorëve, në përparimet e tyre në fushën e të drejtave të njeriut e pakicave, në demokratizim dhe në ngritjen e institucioneve funksionale të Kosovës.



XS
SM
MD
LG