Ndërlidhjet

logo-print

KUPCHAN:"SHTYERJA E MËTEJME RREZIKON DHUNËN NË KOSOVË"


Charles A. KUPCHAN, ekspert në Universitetin Georgetown/SHBA/

RADIO EVROPA E LIRË
I dërguari i posaqëm i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, zoti Ahtisaari ka vendosur ta shtyjë raportin e tij deri më 21 Janar të vitit 2007, kur mbahen zgjedhjet në Serbi. Si e komentoni ju këtë shtyrje?

CHARLES KUPCHAN
Mendoj që është një vendim i vështirë për Ahtisaarin për ta marrë, por është rezultati i një presioni që ka ardhur nga Shtetet e Bashkuara dhe nga vendet evropiane, si rezultat i shqetësimit, që nëse raporti paraqitet para zgjedhjeve serbe do ta çonte qeverinë serbe në duart e radikalëve dhe nacionalistëve ekstremë, që do të margjinalizonte Koshtunicën dhe Tadiqin. Pra ky ka qenë një vendim taktik, për t'u përpjekur për t'u krijuar pak hapësirë politikanëve serbë me shpresë që pas zgjedhjeve, raporti, çfarëdo qoftë ai, do të jetë më pak shpërthyes dhe iritues në Serbi.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra siç u tha, dhe sipas zotit Ahtisaari, kjo shtyrje kishte lidhje me zgjedhejt në Serbi. Çka mendoni, çfarë lloj lidhjeje ekziston?

CHARLES KUPCHAN
Mendoj se çështja është se si të jetë qasja ndaj faktit që Beogradi vazhdon refuzimin e çfarëdolloj pavarësie për Kosovën. Ka pasur një ndryshim të fundit në Kushtetën serbe ku riafirmohet fakti që Kosova është pjesë e Serbisë sovrane dhe kjo krijon një dinamikë politike, në të cilën një lëvizje drejt pavarësisë, mund të krijojë destabilizim të madh brenda Serbisë. Prandaj mendoj se kjo është thjesht një kalkulim, që është më mirë të shtyhet çështja, të priten zgjedhjet në Serbi, të diskutohet kjo çështje dhe të paraqitet raporti në Këshillin e Sigurimit vetëm pasi të kenë dalë rezultatet e zgjedhjeve.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju posa e përmendët Kushtetutën e Serbisë. A mendoni se ajo ka ndikim në çështjen e statusit të Kosovës?

CHARLES KUPCHAN
Mendoj se e përforcon ndjenjën që nuk ka asnjë mënyrë për arritjen e një kompromisi. Si përfundim, duke supozuar se Kombet e Bashkuara do të lëvizin drejt një pavarësie, qoftë ajo e kushtëzuar apo jo, kjo do duhet të imponohet mbi Beogradin. Nëse kjo do të ndodhë, Ahtisaari, diplomatët amerikanë dhe evropianë, po mendojnë që të minimizojmë çmimin e imponimit të një rezolute mbi Serbinë dhe kjo do të thotë që të pritet derisa të përfundojnë zgjedhjet. Unë do të tërhiqja vërejtjen ndaj çdo shtyrje tjetër, sepse mendoj se nëse ekziston tashmë një shtyrje e procesit për shkak të zgjedhjeve serbe, nëse do të kishte një shtyrje të mëtejshme, kjo do testonte durimin e komunitetit shqiptar në Kosovë dhe për më shumë do të ekzistonte mundësia që të çonte drejt dhunës sesa drejt një epilogu stabil.

RADIO EVROPA E LIRË
Grupi i Kontaktit për Kosovën ka thënë se ekziston uniteti ndër anëtarët e këtij grupi. Por, në anën tjetër, Moska ka thënë se nëse raporti i zotit Ahtisaari për statusin e Kosovës nuk është në linjë me pritjet e Rusisë, atëherë ndoshta ky vend do ta shfrytëzoj veton. Pra si e shihni ju këtë situatë?

CHARLES KUPCHAN
Mendoj që është vështirë të ketë siguri për pozicionin e Rusisë. Vetë Putini ka sugjeruar që Rusia mund të përdorë veton ndaj çdo hapi drejt pavarësisë duke e lidhur çështjen e Kosovës me Abkhazinë dhe Osetinë Jugore. Mendoj se kjo retorikë është pjesë e një mospajtimi më të gjerë, e një përplasjeje që po ndodhë ndërmjet Gjeorgjisë dhe Rusisë, një rritje tensionesh midis anëtarëve të NATO-s dhe Rusisë rreth faktit se kush ka influencë politike dhe gjeopolitike në vendet fqinje me Rusinë. Duhet të them se do të befasohesha nëse Rusia përfundimisht e përdorë veton ndaj një hapi drej pavarësisë së Kosovës, por nuk do të befasohesha nëse ata pyesin për një lloj kompensimi për këtë gjë. Nuk mendoj se do të jetë pavarësia për Abkhazinë dhe Osetinë Jugore, sepse kjo do të çonte ndoshta drejt një krize në Gjeorgji, por mund të lidhet me çështje të tjera si energjia, ose marrëdhëniet më të zgjeruara midis NATO-s dhe Rusisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kuchan, shqiptarët e Kosovës presin që diskutimi në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të prodhoj një resolute të re për Kosovën, e cila do ta definoj çështjen e statusit. Si e shihni ju këtë çështje?

CHARLES KUPCHAN
Mendoj se dialogu ka ndryshuar në njëfarë mënyre në gjashtë muajt e fundit. Ka pasur një qartësi më të madhe në fillim të vitit 2006 si për afatin kohor, ashtu dhe për përmbajtjen e rezolutës, që do të ishte mjaft e vendosur për një thirrje për pavarësi me sovranitet, që me vete i ka të gjitha ato që i nënkupton ky term. Ajo që po vërej se po ndodhë sot, është se po shohim një shtyrje derisa të mbahen zgjedhjet në Serbi, që posa e diskutuam. Gjithashtu mund të ndodhë që ka disa kushte në natyrën e sovranitetit të Kosovës, që kanë të bëjnë me faktin nëse dhe kur Kosova mund të ketë një ulëse në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe nëse dhe kur Kosova mund të ketë një ushtri të pavarur. Mendoj se për shkak të tensioneve me Serbinë, do të ketë një periudhë pasigurie për natyrën dhe fushëveprimin e plotë të një Kosove të pavarur.

Intervistoi: Fatmir BUJUPI
XS
SM
MD
LG