Ndërlidhjet

ÇEKU: INTEGRIMI NË BE SYNIM KRYESOR I KOSOVËS


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Agjenda evropiane është një ndër interesat kryesore të Kosovës dhe qeveria e Kosovës do t’i kapërcejë të gjitha sfidat që i ka përpara. Kështu tha sot kryeministri Agim Çeku, në takimin e 11 të mekanizmit përcjellës të Stabilizim Asociimit, ku u raportua për të arriturat gjatë këtij viti në Kosovë.

Kryeministri Çeku vlerësoi se deri në paraqitjen e propozimit të zotit Ahtisari për statusin e përfundimtar, qeveria e Kosovës po bën përgatitjen e reformave të duhura, të cilat e çojnë Kosovën drejt Bashkimit Evropian. Kryeministri kërkoi nga Bashkimi Evropian që të qartësojë më mirë perspektivën dhe strategjinë e zgjerimit të tij.

"Ne kërkojmë dhe apelojmë që BE-ja të mund të arrijë formën e vet të plotë dhe mund të arrijë suksesin e vet politik të plotë, vetëm me përfshirjen edhe të vendeve të Ballkanit perëndimor, në kuadër të BE-së dhe në kuadër të të gjitha strukturave të BE-së", tha Çeku.

Përfaqësuesja e departamentit të Komisionit Evropian për Kosovën në Bruksel, Genoveva Ruiz Calavera, vlerësoi progresin e arritur në Kosovë për këtë periudhë, por kërkoi një angazhim të përgjithshëm në Kosovë me qëllim të lehtësimit të procedurave për integrim në BE:
"Komisioni Evropian nuk lejon kurrfarë vonese në punën drejt agjendës së BE-së. Është një proces që ka kohë që kemi filluar dhe do të vazhdojmë kështu. Ky proces kërkon shumë energji dhe lidership të mirë. Në rastin tuaj, kjo nuk varet vetëm nga lidershipi apo qeveria, por nga i gjithë populli i Kosovës, pra duhet shumë sakrificë," tha Calavera.

Puna drejt anëtarësimit në BE, pas statusit nuk do të jetë rrugë e lehtë. Ne do të jemi bashkë. BE-ja dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë do të qëndrojnë pranë jush për të ecur rrugën e gjatë për integrimin me BE-në, për të bashkëpunuar për kompromiset dhe sakrificat e duhura, me qëllim të arritjes së shpërblimit, tha ajo.
Zhvillimet rreth statusit e kanë ngadalësuar zbatimin e reformave për agjendën evropiane. Zëvendës shefi i UNMIK-ut Stiven Shuk e vlerësoi lartë qëndrimin e Komisionit Evropian për përshpejtimin e zgjidhjes së statusit të Kosovës.

"Më erdhi shumë mirë që dëgjova nga Komisioni Evropian se ne duhet të ndryshojmë statusin e Kosovës, pra duhet të lëvizim përpara. Ne duhet ta bëjmë këtë sa më shpejt që të jetë e mundur," tha Shuk, për të konstatuar se është inkurajuese kur kjo dëgjohet nga një strukturë e tillë, e cila ka mirëkuptim që statusi aktual e pengon përparimin këtu.

Sipas raportit të Komisionit Evropian, progres ka pasur më shumë në bartjen e kompetencave në institucionet vendase, pastaj në hartimin e politikave ekonomike për shpenzime afatmesme, si dhe në procesin e privatizimit.Por mbetet shumë për tu bërë në zhvillimin e sistemit të drejtësisë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Qeveria e Kosovës i ka identifikuar dhe i ka shpërndarë rreth 190 sfida të dala nga Raporti i Komisionit Evropian, e që do të adresohen në Planin e Veprimit për Partneritet Evropian. Procesi i integrimit në BE është një proces i gjatë dhe kërkon përkushtim të madh. Ky proces është një sfidë, por edhe mundësi për zbatimin e agjendës së reformave evropiane, për të cilin kryeministri Agim Çeku vlerësoi se Kosova do të jetë e përkushtuar më shumë gjatë vitit 2007.


XS
SM
MD
LG