Ndërlidhjet

BARAN:"RUSIA DO TA SHFRYTËZOJË VETON PËR KOSOVËN"


Zeyno BARAN, analiste në Institutin Hudson /SHBA/

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Baran, zgjidhja e statusit të Kosovës është shtyrë për shkak të zgjedhjeve parlamentare në Serbi. Si e shihni ju këtë vendim të të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin, Martti Ahtisaari?

Z. BARAN
Unë mendoj se zgjidhja e çështjes së Kosovës, për fat të keq, është lidhur nyje në një rrafsh më të gjerë, që ka të bëjë me dilemën nëse Kosova do të jetë precedent. Në këtë kuadër, në Kombet e Bashkuara, Rusia është përfshirë në përpjekjet për ta shndërruar Kosovën në precedent për disa "konflikte të ngrira". Duke lënë anash zgjedhjet parlamentare në Serbi, unë do të thosha se shumë njerëz në nivel të Kombeve të Bashkuara dhe aleatëve evropianë, kanë qenë paksa të lehtësuar nga fakti se nuk duhet të merren me Kosovën pikërisht tani. Megjithatë, unë shpresoj të mos ketë edhe më shumë shtyrje.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni ju statusin e Kosovës?

Z. BARAN
Duke marrë parasyshë zhvillimet e deritashme, unë besoj se pavarësia e Kosovës është ajo që duhet të ndodhë tani. Dhe kemi parë edhe përkushtimin e komunitetit ndërkombëtar në këtë drejtim. Kundërshtimi vjen vetëm nga Serbia dhe disa të tjerë, por mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme për komunitetin ndërkombëtar që t’i mbetet pranë këtij përkushtimi. Duhet kuptuar se Kosova është vërtetë një rast i veçantë. Fundja, komuniteti ndërkombëtar është angazhuar fuqishëm, madje edhe në nivelin ushtarak, për të mbrojtur kosovarët dhe kjo çështje është pjesë e bisedimeve të vazhdueshme. Siç e thashë edhe më parë, është e lidhur nyje në një rrafsh më të gjerë të çështjeve në Kombet e Bashkuara, duke filluar jo vetëm nga konfliktet tjera të ngrira, por edhe nga vota e Rusisë në rastin e Iranit dhe Koresë së Veriut. Por besoj se në fund, nëse jo pavarësi e plotë, Kosova do të ketë një status shumë të përafërt me të.

RADIO EVROPA E LIRË
Në njërin nga artikujt tuaj të fundit, keni thënë se “teoria e shfrytëzimit të Kosovës si precedent për zgjidhjen e konflikteve tjera etnike është një fasadë e mençur e presidentit rus, Vladimir Putin, për ta ndarë mëdysh Perëndimin”. A është Perëndimi i ndarë mbi këtë çështje, mbi këtë teori?

Z. BARAN
Duke i vëzhguar diskutimet dhe deklaratat e vitit të fundit, synimi i Rusisë është për të ndarë Perendimin. Por, Perëndimi mendoj se është duke u bashkuar gjithnjë e më shumë. Kemi parë në disa raste së fundit përpjekjet e presidentit rus Vladimir Putin për të tërhequr në anën e tij dhe për t’i ndarë nga të tjerët Gjermaninë dhe Francën, me fjalë të tjera "Evropën e vjetër". Por, edhe në samitin e fundit të Rusisë me Bashkimin Evropian është bërë e qartë se evropianët kanë dëshmuar se nuk duan të jenë të ndarë dhe se kanë nevojë të qëndrojnë së bashku. Megjithatë, unë qëndroj prapa asaj që kam thënë: synimi i Rusisë është që ta bëjë me dije se çështjet sikur që është Kosova apo konfliktet tjera të ngrira nuk janë çështje për të cilat vendet e vjetra tradicionale në Evropë do të duhej të shqetësoheshin, aq më tepër nëse një gjë e këtillë do të zemëronte Rusinë apo të krijonte tensione të reja në marrëdhëniet bilaterale.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju gjithashtu keni analizuar dallimet që ekzistojnë midis Kosovës dhe rajoneve në shkëputje të Gjorgjisë, siç është Abkhazia dhe Osetia Jugore. Cilat janë dallimet?

Z. BARAN
Një prej dallimeve më të mëdha ka të bëjë me atë se kush ka bërë spastrim etnik. Unë në formën më fundamentale e kundërshtoj teorinë se nëse Kosova fiton pavarësinë, atëherë edhe Abkhazia do të duhej ta fitonte atë. Rasti i Abkhazisë është plotësisht rast i kundërt me Kosovën, sepse ishin gjorgjianët ata që u spastruan etnikisht nga Abkhazia. Dhe sërish, edhe pse nuk dëshiroj t’i kthehem faktorit rus, në rastin e Abkhazisë, rusët kanë pasur një rol të drejtëpërdrejtë. Prandaj ka dallime me rastin e Kosovës, edhe në kuptimin se kush ishin paqeruajtësit, cilët ishin akterët e komunitetit ndërkombëtar, cilat ishin rrethanat në të cilat janë zhvilluar këto konflikte separatiste dhe si janë trajtuar ato që prej atëherë. Nëse flasim për dallimet midis Kosovës dhe Abkhazisë, për mua këto dy raste janë jashtëzakonisht të ndryshme mes veti.

RADIO EVROPA E LIRË
Shumë analistë e kanë përmendur mundësinë e shfrytëzimit të vetos nga Rusia në Këshillin e Sigurimit mbi zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Cila është pikëpamja juaj?

Z. BARAN
Kjo është pikërisht arsyeja pse unë besoj se Perëndimi është ndier paksa i lehtësuar nga fakti se nuk duhet të merret tani me vendimin mbi Kosovën. Prioritet për amerikanët dhe evropianët tani është që të përfitohet përkrahja e Rusisë mbi Iranin. Dhe mbështetja e Rusisë për sanksione kundër Iranit është gjithashtu e një rëndësie thelbësore për të përfituar mbështetjen e Kinës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Duke marrë parasyshë faktin se Irani dhe natyrisht Koreja e Veriut janë cështje kyçe, Kosova nuk është çështje urgjente e komunitetit ndërkombëtar dhe nuk është kritike për paqen dhe stabilitetin, edhe pse është një çështje shumë e rëndësishme. Presidenti Putin e ka bërë të qartë se do ta shfrytëzojë veton dhe unë nuk shoh ndonjë zhvillim që tregon se ky qëndrim do të ndryshojë. Zhvillimet e fundit në Rusi, deklaratat dhe politikat atje e kanë bërë të qartë se rusët përfundimisht do ta shfrytëzojnë veton mbi vendimin, nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje mbi çështjet e nivelit më të gjerë. Koha e miratimit të vendimit mendoj se varet shumë nga çështja e Iranit, mënyra e arritjes së vendimit mbi të dhe fakti se si amerikanët dhe evropianët do të mund të punojnë me Rusinë rreth votimit për Iranin dhe pastaj të kalojnë tek votimi për Kosovën.

Intervistoi: Arbana VIDISHIQI
XS
SM
MD
LG