Ndërlidhjet

logo-print

CILAT JANË SHQETËSIMET E SERBËVE TË PREOCIT?


Zijadin Gashi, Prishtinë

Ndërsa po afrohet faza e përcaktimit të statusit të Kosovës, te komuniteti serb nuk fshihet droja dhe shqetësimi lidhur me pozitën e tyre. Nëse do të jetë apo jo Kosova e pavarur, nuk është shqetësimi kryesor i banorëve serb, sa paraqet shqetësim shikimi kah e ardhmja dhe perspektiva për fëmijët e tyre.

Banorët serbë të fshatit Preoc, jo larg Prishtinës, thonë se kushtet e tyre të jetesës po vështirësohen dita ditës. Në mungesë të kushteve për jetesë, ka nga këta banorë që thonë se janë në kërkim të kushteve më të mira për fëmijët e tyre. Zoran Milenkoviq është pronar i një dyqani ushqimor. Ai e përshkruan gjendjen në këtë fshat shumë të rëndë:

“Nuk shoh kurrëfarë ardhmërie. Për tre fëmijët e mi nuk shoh kurrëfarë ardhmërie. Kur fëmijët kthehen nga shkolla, s'di se ç’tju them atyre, kur ata nuk e dinë as semafori se çka është. Pres edhe ndonjë ditë që të fitoj edhe pak dhe t’i shpëtoj fëmijët nga këtu”, shprehet Zoran Milenkoviq.

Përshtypje të njëjta të këtyre banorëve që jetojnë afër magjistrales Prishtinë – Shkup, japin dhe qytetarë të tjerë, ndër ta edhe Valentina Jovanoviq, e cila ankohet në gjendjen e rëndë ekonomike:

“Unë e kam vajzën në fakultet, kurse tre fëmijë i kam në shkollë. Nuk shohim të ardhme vetëm se nuk kemi ku të shkojmë, sepse nuk do të jetonim këtu”, shprehet Valentina Jovanoviq.

Fshati Preoc, ka shkollën dhe ambulancën, kurse shërbimet e tjera, këta banorë i kryejnë në Graçanicë. Disa prej tyre kanë hapur dyqane të vogla ushqimore apo dyqane për veshëmbathje, por ata thonë se ka pak blerës. Ndërkaq, Sava Lekiq, është një prej atyre që zotëron një pompë benzine. Mirëpo, ai thotë se njerëzit këtu nuk mund të sigurojnë ekzistencën me punën e tyre:

“Nuk ka punë. Unë e kam këtë pompë të vogël në të cilën shef 100 litra naftë në ditë. Kjo është mizerje”, thotë Lekiq. Përfitimin më të madh, thotë ai e kam nga bujqësia, nga edhe siguron kushte më të mira jetese se shumë banorë të tjerë të këtij fshati.

Të gjitha këto probleme, thonë këta banorë, ndikojnë në këndvështrimin e tyre që kanë për të ardhmen. Zoran Milenkoviq, thotë se është lodhur nga gjithçka, pra edhe nga ai process që quhet si process i definimit të statusit të Kosovës:

“Nuk pres asgjë nga bisedimet, ngase secili mund të flasë për vete, por unë e di se si jetoj këtu”, thotë Milenkoviq. Ai thotë se për të nuk është më e rëndësishme a do të jetë apo jo Kosova e pavarur, sa e shqetëson e ardhmja e fëmijëve të tij.

Shqetësimet e saj nuk i fsheh as Valentina Jovanoviq, por ajo thotë se pavarësisht statusit, serbët do të mbeten në Kosovë:

“Çka mund të pres unë në Serbi, këtu të paktën e punojmë tokën dhe gjindemi disi. Nëse do të bëhet mirë, pse të mos rrimë këtu edhe nëse do të jemi pakicë. Unë do të rrija këtu, sepse edhe në Serbi nuk është ndonjëfarë jete”, thotë Valentina Jovanoviq. Ajo i kujton kohët kur si serbja e vetme ka punuar me shqiptarët dhe thotë se nuk ka pasur asnjëherë asnjë ankesë në sjelljet dhe tratimin e saj në shoqëri apo në vendin e punës.

Edhe banorët e tjerë të këtij fshati, mendojnë se statusi është element që ndikon në qëndrimin e tyre në Kosovë, por më shumë sipas tyre do të ndikonte nëse rrethi dhe popullata shumicë i pranon ata si banorë të barabartë të vendit e shoqërisë.

XS
SM
MD
LG