Ndërlidhjet

DËRSNIK: KUSHTET EKONOMIKE DHE INFRASTRUKTURA PENGOJNË KTHIMIN


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Fshati Dërsnik i komunës së Klinës është i veçantë për shumëçka. Në këtë fshat të madh, janë kthyer 220 serbë të zhvendosur pas luftës dhe ata jetojnë bashkë me fqinjët shqiptarë. Serbët e kthyer thonë se nuk kanë kurrfarë problemesh dhe lëvizin lirshëm për të kryer nevojat e përditshme të furnizimit dhe të jetesës. Të sapokthyerit thonë se për nevojat e ditës shkojnë në qytezën e Klinës të banuar nga shqiptarët.

Moimir Ribaq bashkë me familjen nëntë anëtarëshe në vitin 1999 pati braktisur fshatin dhe pati ikur në Kralevë. Thotë se atje ka pasur jetë të rëndë dhe gjatë gjithë kohës kishte qëllimin të kthehej në fshatin e lindjes. Siç thotë vetë, me fqinjët shqiptarë deri më tash nuk ka pasur asnjë problem:

"Ka shqiptarë në fshatin Dërsnik dhe na kanë pritur mirë. Mjeshtrit kanë qenë kryesisht nga Drenica, Podujeva, Obiliqi e kështu me radhë, por nuk kemi pasur probleme," tha Moimir Ribaq, duke shtuar se mjeshtrit shpesh i kanë ftuar edhe për çaj. Ai tha se edhe të zhvendosurit e tjerë të këtij fshati, që para luftës kishte rreth 800 serbë do të ktheheshin me dëshirë, por për shkak të situatës sociale dhe ekonomike, shumica prej tyre presin ditë më të mira:

"Problemi është se duhet të gjenden donatorët, pasi popullata është e interesuar për kthim. Ky është hapi i parë, kemi ardhur pa pasur asgjë, na mungojnë të gjitha," tha Moimir Ribaq.

Ndërkaq, Milosava Dabizhleviq është kthyer në fshatin e saj vitin e kaluar, bashkë me burrin. Ajo thotë se ishin ndër të kthyerit e rrallë asokohe. Duke parë gjendjen, dhe duke pasur parasysh faktin se nuk ka pasur asnjë problem me fqinjët, zonja Dabizhleviq i fton edhe serbët e tjerë të zhvendosur që të kthehen në shtëpitë e tyre:

"Çdo ditë fqinjët shqiptarë vijnë dhe na pyesin nëse kemi probleme apo na duhet diçka dhe nuk mund të them se kemi probleme, kur nuk kemi," tha Milosava Dabizhleviq.

Fqinji i tyre Ratomir Dabizhleviq kishte ardhur në fshat vetëm për vizitë. Shtëpia i është meremetuar, edhe të atin e kishte në fshat, mirëpo për shkak të mungesës së infrastrukturës elemantare sociale, ende nuk mund të kthehen, por planifikon që këtë ta bëjë sa më shpejt që të jetë e mundur:

"Askund në botë nuk ka vend më të mirë se Dërsniku. Dhashtë Zoti të kthehemi, planifikoj të kthehem sapo vajza ta kryejë gjysmëvjetorin e parë të shkollës," tha Ratomir Dabizhleviq.

Banorët që janë kthyer pajtohen që situata nuk është e shkëlqyeshme dhe se mund të jetë edhe më mirë. Thonë se do të ktheheshin edhe më të rinjtë, por mungesa e institucioneve shëndetësore, institucioneve shkollore dhe të tjera tash për tash e pamundësojnë kthimin e tyre. Megjithatë, të kthyerit nuk ankohen për kushtet e vështira dhe janë të vendosur të rrinë në shtëpitë e tyre, me shpresën se edhe të tjerët do të kthehen së shpejti.



XS
SM
MD
LG