Ndërlidhjet

SCHEFFER: NË VITIN 2008 MË PAK USHTARË NË KOSOVË


Augustin Palokaj, Rigë

Presidenti amerikan Xhorxh Bush tha sot se në samitin e NATO-s në vitin 2008, NATO-ja do të ftojë anëtarë të ri për t'u anëtarësuar në NATO. Ai më pas tha se Kroacia, Maqedonia dhe Shqipëria janë duke punuar në të ashtuquajturin planin e veprimit për anëtarësim dhe kanë shënuar përparim. Në këtë mënyrë presidenti amerikan konfirmoi se nga samiti i Rigës që mbahet në kryeqytetin e Letonisë, pritet t'u dërgohet një sinjal shumë i qartë tre vendeve të grupit të Atlantikut, pra Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kroacisë, se mund të llogaritin në ftesat për t'u anëtarësuar në NATO në vitin 2008.

Presidenti Bush ka mbërritur në kryeqytetin e Letonisë, ku do të takohet edhe me 25 kryetarët dhe kryeministrat e shteteve të tjera aleate të NATO-s, për të diskutuar transformimin dhe konsolidimin e kësaj aleance. Gjatë këtij samiti pritet që NATO-ja duke marrë shembull nga Kosova dhe Bosnja, të bëjë ndryshime që do të bëjnë më funksional dhe me një kapacitet më të madh misionin shumë të vështrirë në Afganistan.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer, ka thënë sot në një takim para se të bëhej fillimi i samitit zyrtar të NATO-s, se në Kosovë pret që deri në vitin 2008 të ketë zvogëlim të dukshëm të numrit të ushtarëve të NATO-s, sepse pret që në këtë vit të ketë sa më pak NATO në Ballkan dhe sa më shumë Ballkan në NATO.

Ndërkohë dhe burimet diplomatike kanë pohuar se në momentin e fundit mund të vihet deri tek ndryshimi edhe i ideve për të pranuar Bosnje Hercegovinën, Serbinë dhe Malin e Zi, në të ashtuquajturin planin e Partneritetit për Paqe të NATO-s. Përderisa më parë thonin se është kusht i prerë se Serbia nuk mund të pranohet pa zgjidhur rastin e gjeneralit Mlladiç,tani diplomatët nga vendet anëtare të NATO-s shprehin bindjen se disa shtete janë duke tentuar që në momentin e fundit t'u jepet dritë e gjelbërt këtyre shteteve, për t'u anëtarësuar në Partneritetin për Paqe.

Sa i përket Kosovës, pritet që të diskutohet edhe situata politike në Kosovë dhe roli i NATO-s në të ardhmen në Kosovë. Më parë shefi i NATO-s kishte thënë se pret që në Kosovë situata të jetë nën kontroll, pasi edhe trupat e NATO-s atje janë në gjendje gatishmërie dhe janë të gatshëm të garantojnë si shumicën ashtu dhe pakicën, siç u shpreh ai, në të dyja anët e lumit Ibër.



XS
SM
MD
LG