Ndërlidhjet

logo-print

LËVIZJA VETËVENDOSJE ORGANIZOI NJË PROTESTË NË PRISHTINË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Policia ka hedhur gazin lotësjellës për të shpërndarë disa mijëra veta ndërsa ata po gjuanin me gurë dhe gjithë sende të tjera, në drejtim të ndërtesës së selisë së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, gjatë një proteste të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje në shenjë pakënaqësie me procesin e statusit të Kosovës.

Protesta është orientuar kundër institucioneve të Kosovës dhe të UNMIK-ut. Paraprakisht aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, i kanë gjuajtur dhe ndërtesat e Kuvendit, Qeverisë dhe Presidencës së Kosovës, me shishe me ngjyrë të kuqe, që sipas tyre simbolizonte gjakun.
Ndërsa pjesë të caktuara të ndërtesave të goditura me shishe kanë marrë ngjyrë të kuqe, gjithashtu është vërejtur dhe thyerje e xhamave të këtyre ndërtesave.

"Poshtë Grupi Negociues i Kosovës", ishte parrulla kryesore e këtyre protestave.
Turma ka filluar marshin nga zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje, për të vazhduar kah institucionet e Kosovës. Në krye të saj ishte Albin Kurti. Ai i ftoi aktivistët e kësaj lëvizjeje, që të gjuanin me shishe ngjyrë të kuqe në drejtim të Qeverisë, Kuvendit dhe Presidencës.

"Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje tani do t'i shuajnë në mënyrë paqësore me shishe dhe me ngjyrë këto institucione," tha Albin Kurti.

Ekipi negociues i Kosovës është duke e mashtruar popullin e Kosovës duke i premtuar atij pavarësi, tha në fjalimin e tij para masës së tubuar Albin Kurti, kurse organizimi i kësaj demonstrate në ditën e flamurit sipas tij, kishte domethënie të plotë sepse shqiptarët që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë nuk janë të lirë dhe nuk mund të festojnë ndryshe, pos me demonstrata në rrugë. Duke kundërshtuar mendimet e grupit negociues se Kosova po bëhet një shtet i pavarur, Kurti tha se pavarësia nënkupton katër elemente të sovranitetit, të cilat, tha ai, nuk i janë premtuar Kosovës gjatë fazës së përcaktimit të statusit të saj.

"Elementi i parë është ushtria, pa ushtri dhe Ministri të Mbrojtjes nuk ka shtet, elementi i dytë është ulësja në OKB, elementi i tretë është Ministria e Punëve të Jashtme dhe elementi i katërt është integriteti territorial i Kosovës, " tha Albin Kurti.

Negociatorët kosovarë mund të negociojnë me Serbinë dhe të merren vesh me Serbinë, por kjo marrëveshje nuk do të mund të zbatohet në Kosovë, ka thënë Albin Kurti.

Gjatë gjithë kohës, policia, e cila edhe pse nëpër rrugë është parë në numër të vogël, ka përcjellë nga afër këtë protestë. Ndërhyrja e policisë erdhi në kohën kur masat, nga ndërtesat e institucioneve vendore, është nisur kah selia e Kombeve të Bashkuara dhe po gjuante me gurë dhe do sende të tjera, ndërtesën e UNMIK-ut.

Në momentin kur turma kishte rrëzuar dy mure rrethuese të betonit të selisë së Kombeve të Bashkuara, policia ka përdorur gazin lotësjellës, ka thënë zëdhënësi i SHPK-së Veton Elshani, pasi është dyshuar që masa mund të futet brenda në këtë ndërtesë.

"Gazi lotësjellës është hedhur brenda rrethojave të ndërtesës së Kombeve të Bashkuara, ndërsa policë kemi patur në numër të mjaftueshëm sepse plani ka qenë i punuar në atë që protesta të mos pengohet, sepse ka qenë e paralajmëruar të jetë e qetë dhe ne kemi vlerësuar se nuk është dashur të reagohet më herët, për arsye se tek ndërtesa e Parlamentit dhe tek ndërtesa e Qeverisë, kemi patur të bëjmë me dëme materiale më shumë, ndërsa tek ndërtesa e Kombeve të Bashkuara kemi patur të rrezikuar dhe personelin i cili ka qenë brenda aty", tha zoti Elshani.

Zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës, Veton Elshani, tha po ashtu se nuk ka patur të lënduar dhe arrestime, por policia, tha ai, ka vëzhguar nga afër zhvillimet dhe do të hetojë rastet e dëmtimit të pronës publike, siç është rasti i thyerjes së xhamave, e përlyerjes së mureve të ndërtesave dhe institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare në Kosovë.




XS
SM
MD
LG