Ndërlidhjet

POLICIA PO HETON KËRCËNIMET KUNDËR PERSONELIT TË OKB-SË


Albana Isufi, Prishtinë

Informatat mbi kërcënime ndaj personelit dhe pronave të misionit ndërkombëtar nuk janë të lidhura me dëmet që i kanë shkaktuar pronës së këtij misioni dje pjesëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, kanë bërë të ditur zyrtarë të policisë. Kërcënimet janë duke u hetuar ende.

“Masat e ngritura të sigurisë mbesin siç kanë qenë. Do të vazhdojmë të jemi vigjilentë dhe do vazhdojmë të kërkojmë nga qytetarët që të raportojnë për çfarëdo informate që mund të na ndihmojë për të luftuar aktet e mundshme kriminale”, tha zëdhënësi i policisë së UNMIK-ut Thomas Lee, në konferencën për gazetarë të pranisë ndërkombëtare në Kosovë. Ai nuk ka zbuluar detajet e këtyre kërcënimeve.

“Nuk mund t’iu them se prej nga kanë ardhur informatat për arsye të qarta se sepse mund të rrezikojnë hetimet dhe caqet e mundshme të këtyre kërcenimeve”, tha Lee.

Zyrtarët e UNMIK-ut kanë sqaruar se protesta e Vetëvendosjes është jashtë kontekstit të kërcënimeve të marra dy ditë më parë. Ndërkohë, administrata ndërkombëtare ka vlerësuar dëmin e shkaktuar nga protestuesit, të cilët hodhen dje gurë dhe shishe me ngjyre te kuqe mbi ndërtesën e UNMIK-ut, qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

“Sipas raporteve paraprake 40 dritare janë thyer në ndërtesën e parlamentit, 17 në ndërtesën e qeverisë së bashku me disa vetura të dëmtuara, si dhe 22 dritare janë thyer në ndërtesën e UNMIK-ut”, tha Thomas Lee, duke shtuar se policia ka ndërhyrë vetëm në momentin kur ka konstatuar se po vihet në rrezik jeta e njerëzve. E kjo, sipas tij, ka ndodhur pasi që është rrëzuar një mur rrethues betoni i selisë së UNMIK-ut.

“Vendimi për të mos reaguar tek ndërtesa e qeverisë është marrë nga komandantët e policise dhe ky ka qenë vendim i mirë, pasi nuk ka pasur të lënduar”, tha Thomas Lee.

Zyrtarë të UNMIK-ut vlerësojnë se veprimet e djeshme të dhunës përkrahen nga një pjesë shumë e vogël e popullsisë.
“Është një refleksion i errët i një mentaliteti të një pjese shumë të vogël të popullatës, të cilët duket se nuk e kuptojnë procesin politik, rëndësinë e tij, implikimet e veprimeve të tyre. Ata duket se nuk e vlerësojnë punën e madhe të bërë nga lidershipi dhe institucionet për procesin”, thotë Neeraj Singh.

Lideri i Vetevendosjes Albin Kurti ndërkaq e ka vlerësuar sot protestën si të suksesshme dhe të mirë të organizuar. Ai ka mohuar deklaratat e policisë se për shkak të kërcënimit të jetës së njerëzve është përdorur gazi lotsjellës.

“Unë deri më sot nuk kam marë pjesë në një demonstratë në të cilën ka patur organizim më të mirë dhe kontroll më të madh. Asnjë njeri nuk është lënduar. Është dëmtuar prona, por ne pronën e kemi dëmtuar edhe më herët, kur kemi shfryrë gomat e xhipave të UNMIK-ut," tha Kurti.

Albin Kurti paralajmëron protesta të ngjashme edhe ne të ardhmen.
“Ky është vetëm një fillim i demaskimit politik dhe i deligjitimimit të këtyre institucioneve mashtuese dhe këtyre politikanëve, të cilët po i bëjnë projektet e huaja vendore këtu në Kosovë", tha Kurti.

Ndryshe, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se hedhja e gurëve mbi institucione nuk ka qenë pjesë e skenarit të kësaj lëvizjeje. Vetëvendosje është një lëvizje që kundërshton praninë e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe negociatat mbi statusin e Kosovës. Qëndrimin e saj kjo lëvizje e ka shfaqur deri tash në forma të ndryshme përfshire edhe protestat e kohëpaskohshme.

XS
SM
MD
LG