Ndërlidhjet

ZBRITJA E TATIMIT PËR NVM DO TË NDIHMOJË PRODHIMIN


NadieAhmeti, Prishtinë

Pas presionit të vazhdueshëm të bizneseve kosovare për lehtësimin e kushteve për të zhvilluar veprimtarinë e tyre, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ka kërkuar nga qeveria e Kosovës që të përkrahë këto ndërmarrje në zbritjen e taksave të tyre. Ekspertë vendorë për çështje ekonomike një hap të këtillë e vlerësojnë si hapin e parë të deritashëm, për të ndryshuar politikat fiskale në përkrahje të komunitetit të biznesit.

Besim Beqaj, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, tha se tatimi mbi fitimin për ndërmarrjet kosovare që aktualisht është 20 përqind, ka penguar zhvillimin e veprimtarisë së tyre. Zoti Beqaj, tha se është duke u shqyrtuar mundësia që ky tatim të zbritet deri në shtatë përqind.

“Duhet të përmend se Serbia është 10 përqind, Mali i Zi 9 përqind, Maqedonia ka tendencë që të shkojë në 12 përqind dhe ne nuk do të jemi konkurrentë në këtë drejtim. Hapi tjetër është kalimi i grumbullimi të TVSH nga kufiri në brendësi të Kosovës, duke i krijuar këto mundësi që biznesi të mos paguaj paraprakisht për të filluar punën e tij, mirëpo që të fillojë të paguajë taksa atëherë kur fillon punën e vet,” tha zoti Beqaj.

Ymer Havolli, nga Instituti për Hulumtime Zhvillimore RIINVEST pohon se kjo iniciativë e qeverisë do t’i ndihmojë veçanërisht sektorit të prodhimit, i cili sipas tij, në dy vitet e fundit po përballet me shumë vështirësi.

“Numri i punësuarve në sektorin e prodhimit është zvogëluar prej vitit 2002 nga 44 punëtorë sa punësonte një ndërmarrje mesatarisht, në 22 punëtorë. Dhe kjo ka treguar se prodhimi gradualisht është duke rënë", tha zoti Havolli.

Zbritja e tatimit për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, do të ndikojë edhe në krijimin e vendeve të reja të punës, thotë Agim Shahini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit.
“Janë kërkesa të bizneseve, të prodhuesve, për të krijuar një klimë sa më të mirë për të zhvilluar biznesin, në mënyrë që të krijohen vende të reja të punës”, tha zoti Shahini.

Ekspertët për çështje ekonomike, ndërkaq thonë se lehtësimi i tatimit për bizneset kosovare do të ndikojë edhe në rritjen e buxhetit të konsoliduar të Kosovës. Sërish, Besim Beqaj, nga Oda Ekonomike.

“Në këtë drejtim ka nevojë për shqyrtim të politikës fiskale në Kosovë, jo për të dëmtuar buxhetin e Kosovës, por për të ndikuar më mirë dhe për të rritur buxhetin e Kosovës. Duke krijuar një mundësi për përballimin e taksave dhe futjen e të gjithave bizneseve në sistemin e taksave dhe shtrirje horizontale të taksave në Kosovë”, tha zoti Beqaj.

Në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, janë të regjistruara 56 109, ndërmarrje të vogla dhe të mesme në gjithë Kosovën, tha Haxhi Rama, udhëheqës i Agjencionit të Regjistrimit të Bizneseve.

“Ndërmarrje të vogla, prej 1 deri në 49 punëtorë janë 55 939, të mesme prej 50- 249 janë 136, mbi 249 punëtorë janë 34 ndërmarrje”, tha zoti Rama.

Sidoqoftë, zyrtarët dhe ekspertët shpresojnë se pas kësaj nisme, institucionet vendore do të ndërmarrin masa urgjente për zbatimin e saj edhe në praktikë.
XS
SM
MD
LG