Ndërlidhjet

logo-print

NATO I OFRON SERBISË PARTNERITET


International Herald Tribune

Me një vendim të befasishëm, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e NATO-s janë pajtuar që ta ftojnë Serbinë në Partneritetin për Paqe, program ky i cili e përgatit një vend për anëtarësim të mundshëm në Aleancën Veriatlantike. Për anëtarësim janë ftuar edhe Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi, por ftesa për Serbinë është specifike, për faktin se Beogradi ende nuk i ka dorëzuar të dyshuarit kryesorë për krime lufte, arrestimin e të cilëve perëndimi është duke e kërkuar tash e një kohë të gjatë.

Vendimi i NATO-s e ka anashkaluar parakushtin afatgjatë të aleancës, në bazë të të cilit bashkëpunimi me Serbinë është kushtëzuar me dorëzimin e Ratko Mladiçit dhe Radovan Karaxhiqit në duart e Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës. Por, me faktin se Serbia do të përballet me një izolim gjithnjë e në rritje, veçanërisht në fillim të vitit të ardhshëm pas anëtarësimit të Bullgarisë dhe Rumanisë në Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara shpresojnë se oferta e NATO-s do të zbusë rrugën për arritjen e një kompromisi rreth çështjes së Kosovës. Ftesa që i është bërë Serbisë ka të bëjë edhe me Rusinë, e cila ka thënë se çdo zgjidhje që Kosovën e çon kah pavarësia do të shërbejë si precedent për rajonet pro-ruse në disa nga vendet e ish Bashkimit Sovjetik, të cilat synojnë pavarësinë.

Në këtë kuadër, Nënsekretari amerikan i Shtetit, David Kramer, ka thënë se nuk do të ketë këmbime kompromisesh. “Rusia e di qëndrimin tonë”, ka thënë zoti Kramer. Disa diplomatë të lartë perëndimorë, të cilët kanë marrë pjesë në diskutimet e së mërkurës në Riga të Letonisë kanë thënë se Washingtoni ka ndërruar mendje lidhur me ofertën për Serbinë, pas bisedimeve që janë zhvilluar brenda administratës së presidentit Bush.

Stephen Hadley, këshilltar i sigurisë kombëtare i presidentit amerikan, duket se i ka tejkaluar në këtë drejtim kundërshtimet e Sekretares amerikane të Shtetit, Condoleeza Rice dhe Nënsekretarit për Çështje Politike, Nicholas Burns.

Zonja Rice nuk ka qenë kundër ofertës për Serbinë, por ka insistuar që ajo të bëhet jo më parë se nga fundi i muajit janar. Zoti Burns ndërkaq, e ka kundërshtuar në tërësi këtë ide, për faktin se Mladiç dhe Karaxhiq gjenden ende në arrati. Ai ka shprehur shqetësimin se me këtë hap, komuniteti ndërkombëtar tani do të mund të humbë ndikimin mbi Serbinë.

Por, zoti Hadley, sipas diplomatëve të NATO-s, ka thënë se takimi në Riga është parë si një vend ideal për t’i ofruar Serbisë një rol të ri, i cili do të shihet si një hap i rëndësishëm i bërë nga 26 vendet anëtare të NATO-s.

Mbi të gjitha, NATO-ja synon që edhe Bashkimi Evropian të fillojë bashkëpunimin me Serbinë, për të forcuar pozicionin e reformistëve para zgjedhjeve parlamentare të 21 janarit.



XS
SM
MD
LG