Ndërlidhjet

MOSKË


Kryeministri i Kosovës Agim Çeku tha se ka hasur në "mirëkuptim" te zyrtarët rusë gjatë vizitës në Moskë.
"Ne thjesht më nuk duam të qeverisemi nga Beogradi por duam që serbët të mbeten në Kosovë", tha Çeku. "Nëse Këshillit të Sigurimit do t'i prezantohej pakoja që do t'i sigurojë të drejtat e të gjitha pakicave në Kosovë, atëherë personalisht nuk shoh arsye që Rusia të përdorë veton", tha kryeministri kosovar.
"Mendoj se tash kemi më shumë mirëkuptim" tha Çeku pas takimit me zëvendës ministrin e Jashtëm rus Vladimir Titov dhe dy ligjvënës të lartë.
"Pres nga ata të kenë qasje më të drejtë dhe realiste, dhe pres që Rusia të ndihmojë Serbinë që ajo të jetë gjithashtu më realiste", tha Çeku.
Ndërkaq në deklaratën e Ministrisë së Jashtme thuhet se "Beogradi dhe duhet Prishtina të kërkojnë një zgjidhje efektive të negociuar".
"U vërejt se udhëheqësia e shqiptarëve të Kosovës është veçanërisht përgjegjëse për parandalimin e aksioneve ekstremiste në territorin e Kosovës, të cilat mund ta ndërlikojnë procesin e zgjidhjes", thuhet në komunikatë.
Kryeministri Çeku më herët u takua me Konstantin Kosachyov, kryesues i Komitetit për Marrëdhënie të Jashtme në Duma-n ruse.
"Çeku tha me vendosmëri se qëllimi i qeverisë së tij është arritja e pavarësisë", tha Kosachyov pas takimit. "Nga ana jonë, ne gjithashtu me vendosmëri thamë se në kushtet kur Kosova nuk i respekton të drejtat e njeriut, përcaktimi i statusit të pavarur do të ishte një precedent i rrezikshëm", shtoi Kosachyov.
Ndërkaq në një intervistë për kanalin televiziv Vesti-24, kryeministri i Kosovës tha se mënyra e vetme për të arritur një paqe normale dhe të qëndrueshme në Kosovë është përmes pavarësisë.
Jam i "dëshpëruar" nga shtyrja e vendimit për statusin. Për Kosovën shtyrja nënkupton "ngecje ekonomike dhe politike", ka thënë Çeku.
Ai gjithashtu ka shprehur dëshirën që Rusia "ta konsiderojë qeverinë e Kosovës si partner të qëndrueshëm dhe legjitim në skenën ndërkombëtare".
XS
SM
MD
LG