Ndërlidhjet

PRISHTINË


Shefi i UNMIK-ut Joachim Ruecker e ka vlerësuar pozitivisht zbatimin e standardeve dhe ka bërë thirrje për përcaktim sa më të shpejtë të statusit të Kosovës.
"Zbatimi i standardeve në Kosovë është në rrugë të mirë, prandaj raporti im i ardhshëm në Këshillin e Sigurimit do të jetë pozitiv", i tha Ruecker Komitetit për Marrëdhënie të Jashtme në Bundestagun gjerman.
"Mbetet edhe shumë për të bërë, por udhëheqësia e Kosovës tregon shenja vendosmërie dhe përkushtimi të lartë për të arritur rezultate të mëtejme", ka thënë ai.
"Ekipi i Unitetit meriton respekt dhe mbështetje për strategjinë e tij koherente gjatë procesit të Vjenës. Pres që Ekipi i Unitetit të mbetet i bashkuar deri sa të arrihet zgjidhja për statusin", ka thënë Ruecker.
Lidhur me procesin e përcaktimit të statusit, ai ka thënë se Kosova dhe rajoni kanë nevojë për qartësi. "Shtyrja e mëtejme mund të ketë pasoja serioze politike dhe ekonomike. Njëkohësisht, është e rëndësishme që palët të përmbahen nga aksionet e njëanshme, ashtu siç ka theksuar Grupi i Kontaktit. Liderët e Kosovës janë mirë të vetëdijshëm për këtë", ka thënë Ruecker, për të shtuar se "ndërtimi i mirëbesimit është rrugë dy kahëshe".
"Pjesëtarët e pakicave në Kosovë, sidomos serbët e Kosovës, duhet ta pranojnë dorën që u është zgjatur", ka thënë Ruecker.
XS
SM
MD
LG