Ndërlidhjet

RAMADAN QEHAJA: SHËRBIMI I FSHEHTË SERB SYNON DESTABILIZIMIN E KOSOVËS


Ramadan Qehaja, analist i çështjeve të sigurisë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Qehaja, si e vlerësoni gjendjen aktuale të sigurisë së përgjithshme në Kosovë?

RAMADAN QEHAJA
Po, marrë në tërësi mund të thuhet e situata e sigurisë në Kosovë në momentin e pikërishëm është e kënaqshme. Mirëpo, duke u bazuar në disa elemente mund të thuhet se ajo është jostabile, ndoshta mund të shprehem edhe shpërthyese. E, kur theme këtë kam parasysh disa momente; së pari është bërë një pritje shumë e gjatë në përcaktimin e statusit të Kosovës, shtatë-tetë vjet që ka irrituar në masë të madhe popullsinë, pastaj moszhvillimi ekonomik, varfëria e skajshme, papunësia e kanë bërë të veten dhe populli është në gjendje të rëndë. Pastaj, korrupsioni, mospuna, kontrabanda dhe mosfunksionaliteti i duhur i organeve qeveritare për të eliminuar dobësitë që janë shprehur kohët e fundit në shoqërinë tonë. Kur e vlerësojmë situatën e sigurisë, atëherë duhet ta përmendim edhe mostransparencën e duhur të grupit të unitetit, edhe pse nuk mund trë themi se ky grup nuk ka punuar si duhet në aspektin e përgatitjes së popullatës për atë që na pret, si për prolongim eventual të statusit që edhe ndodhi, si dhe për koncesionet që u duhen bërë pakicave në Kosovë dhe pakicës serbe dhe së fundi vetë prolongimi i përcaktimit të statusit është një ndër elementet më kyçe që mund të ndikojë për destabilitetin në aspektin e sigurisë në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zyrtarë dhe analistë disa herë kanë tërhequr vërejtjen se shtyrja e statusit mund të prodhojë edhe paqëndrueshmëri në fushë të siguri. Sa janë reale këto shqetësime?

RAMADAN QEHAJA
Po, është e vërtetë se shtyrja e përcaktimit të statusit për vitin e ardhshëm ka implikime negative. Është një rritim i popullatës pasi gjithnjë është thënë dhe përsëritur se deri në fund të këtij viti do të përcaktohet statusi dhe do të kryhet ky mision, mirëpo kështu nuk ndodhi dhe aq më tepër kur kjo shtyrje u bë për shkak të problemeve të brendshme në Serbi, e që popullata në masë të madhe është e frustruar për këtë, aq më shumë kur nuk pati shpjegime të duhura dhe me kohë për këtë. U krijua një hapësirë për destruktivitet nga Beogradi zyrtar. Domethënë, në këtë periudhë bëhen përgatitje të ndryshme, në planin politik, diplomatik dhe të sigurisë. Mandej, mund të them me bindje se shërbimet e shumta të fshehta që veprojnë në Kosovë, sidomos ai serb janë në një ofensivë të paparë, vetëm e vetëm për ta bërë një destabilizim që do t’u konvenonte qarqeve zyrtare të Beogradit dhe qarqeve të tjera. Janë, pra, reale shqetësimet që situata e sigurisë do të përkeqësohet në ditët vijuese

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Qehaja cilët sipas jush janë faktorët kryesorë që mund ta rrezikojnë sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës në këtë fazë dhe në kohën e përcaktimit të statusit?

RAMADAN QEHAJA
Pavarësia e Kosovës, gjithsesi do të ndodh, por shqetësimi më i madh është mundësia e vënies në veprim të forcave të sigurisë, forcave paralele të sigurisë, që kanë vepruar deri më tani, sidomos në kohën e fundit e që janë duke bërë përgatitje në pjesën veriore të Kosovës. Kjo është sipas mendimit tim një ndër sfidat më të mëdha që na pret në këtë periudhë dhe ato mund të vihen në veprim për ta ndarë këtë pjesë të Kosovës. Pse të mos e themi që nëse kjo ndodh atëherë edhe në pjesën jugore të Mitrovicës mund të ndodh që nga radhët e shqiptarëve të ketë kundërveprime që do ta komplikonin në masë të madhe atëherë edhe në pjesën jugore të Mitrovicës mund të ndodh që nga radhët e shqiptarëve të ketë kundërveprime që do ta komplikonin në masë të madhe çështjen e sigurisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Si ekspert për çështje të sigurisë a mendoni se është trajtuar sa duhet ky aspekt në bisedimet për statusin e Kosovës

RAMADAN QEHAJA
Po, kjo pyetje është me karakter mjaft të gjerë dhe është vështirë t’i jepet përgjigje në kohë kaq të shkurtër. Mendoj se nuk është shtruar aq sa duhet çështja e sigurisë prej fillimit të bisedimeve. Pra, çdo akt politik që është ndërmarrë, çdo bisedë, çdo koncesion i arsyeshëm që është bërë është dashur të shpjegohet në mënyrë të mirëfilltë dhe të analizohet nga aspekti i sigurisë. Kjo nuk ka ndodh, por siç duket, kohën e fundit sikur është kuptuar se pa sensibilizimin e kësaj çështjeje në aspektin e asaj që ne si vendorë duhet t’i kryejmë vetë punët e sigurisë, ato nuk mund të kryhen me sukses. Mua si ushtarak dhe ekspert i sigurisë më ka ardhur mirë që haptas në konferencën e Rigës lidhur me NATO-n u tha se në Kosovë duhet të ketë një forcë të arsyeshme mbrojtëse që për ne është mjaft me rëndësi, dhe që duhet të mbeten edhe një kohë forcat e NATO-s, edhe pse sipas mendimit tim do të mbeten edhe një kohë pas përcaktimit të statusit, me gjithë tendencat për zvogëlim trupash, kjo do të thotë që ne tash vetë duhet t’i marrim çështjet e sigurisë në duart tona.
Intervistoi: Rrahman Paçarizi
XS
SM
MD
LG