Ndërlidhjet

DI CARLO: ZGJIDHJA E STATUSIT TË KOSOVËS TË ARRIHET SHPEJT


Albana Isufi, Prishtinë

Përmbyllja e shpejtë e statusit përfundimtar, evitimi i dhunës dhe veprimeve të njëanshme gjatë procesit negociator dhe ruajtja e unitetit të ekipit negociator, janë ndër mesazhet kryesore që kanë sjellë në Prishtinë, Zëvendësja e nënsekretarit amerikan të Shtetit Rosemary di Carlo dhe i dërguari i BE-së për statusin Stephan Lehne.

“Kemi thënë disa herë dhe po e them prapë. Ne mendojmë se pas shtatë vjetësh të administrimit ndërkombëtar populli i Kosovës ka të drejtë në qartësimin e të ardhmes së tij. Ne e përkrahim fuqishëm vendimin e presidentit Ahtisari që palëve t’ua paraqesë propozimin gjithëpërfshirës pa ndonjë vonesë pas zgjedhjeve të 21 janarit”, tha zonja Di Carlo, pa përmendur ndonjë datë specifike se kur do të zgjidhet statusi përfundimtar i Kosovës.

“Nuk mund të spekulojë për data specifike, orë apo muaj, se kur do të përmbyllet. Krejt ajo çka mund të them është se ne përkrahim përmbylljen e shpejtë të këtij procesi”, tha Rosemary Di Carlo, pas takimit me anëtarët e ekipit negociator.

I dërguari i Bashkimin Evropian për statusin, Stephan Lehne ka këshilluar kosovarët që të punojnë shumë në zbatimin e standardeve dhe në procesin e trazicionit me qëllim që të bindin komunitetin ndërkombëtar se shoqëria kosovare është e gatshme për statusin.

“Të gjitha këto mund të bëhen nëse ekipi negociator e ruan unitetin, nëse lidershipi politik në Kosovë qëndron së bashku në këto çështje dhe kjo mund të bëhet nëse shoqëria e Kosovës është e përgjegjshme dhe e pjekur dhe nuk do të reagojë ndaj provokimeve. Vendimet unilaterale do të jenë kundërproduktive, duhet të tregoni pjekurinë dhe përkushtimin për të ndihmuar komunitetin ndërkombëtar që në bashkëpunim me ju të përfundojë me sukses këtë proces”, tha Stephan Lehne.

Edhe Yëvendësja e nënsekretarit amerikan të Shtetit, Rosemary Di Carlo ka theksuar rëndësinë e përmbushjes së standardeve dhe përgatitjes për fazën e tranzicionit. Zonja Di Carlo u ka bërë thirrje kosovarëve që të mos bien pre e provokimeve.

”Duam të përsërisim se ne dëshirojmë të shohim këtë proces, i cili është në fazën përmbyllëse, të përmbyllet pa vonesë. Për të bërë këtë ne duhet të sigurohemi se populli i Kosovës të lëvizë përpara dhe që të mos ketë dhunë, e cila do t’i dëmtonte në mënyrë të konsiderueshme aspiratat e popullit të Kosovës për përfundimin e këtij procesi”, tha Di Carlo.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu u ka premtuar zyrtarëve të lartë amerikane dhe evropianë se institucionet e Kosovës do të
kryejnë pjesën e tyre të përgjegjësisë. Ai ka thënë se institucionet do të përdorin kohën deri në paraqitjen e propozimit për statusin nga ana e Ahtisarit për t’u përgatitur për procesin e tranzicionit.

“E rëndësishme që gjatë kësaj periudhe të punojmë në hartimin e kornizës ligjore edhe sa i përket ligjeve themelore, por edhe në përgatitjen e kushtetutës së Kosovës që është shumë e rëndësishme. Ne kemi një përkushtim të mirë si ekip i unitetit dhe secili nga institucionet do të bëjë punë e vet”, tha Sejdiu.

Diplomatja amerikane Rosemary Di Carlo dhe i dërguari i BE-së për statusin Stephan Lehne, kanë takuar sot edhe shefin e UNMIK-ut Joachim Rueker dhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.

Lideri i Listës serbe pėr Kosovën Oliver Ivanoviq, tha se kanë kërkuar që në pakon e Ahtisarit për statusin të rikonfirmohen të drejtat ekzistuese të serbëve të Kosovës.

”Serbët përbëjnë një komunitet të rëndësishëm dhe janė pjesa e dytë e zgjidhjes së statusit të Kosovës. Ne po ashtu kemi insistuar në atë që të jemi të mbrojtur nga instrumenti i mbi votimit në institucione në disa çështje vitale për mbijetesën e serbëve këtu”.

Në të gjitha takimet ata kanë qenë të shoqëruar edhe nga zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian dhe të Komisionit Evropian.

XS
SM
MD
LG