Ndërlidhjet

BE-JA PO PËRGATITET PËR MISIONIN E ARDHSHËM NË KOSOVË


Augustin Palokaj, Bruksel

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri Javier Solana, ka thënë sot se BE-ja është duke vazhduar përgatitjet serioze për misionin e saj të ardhshëm në Kosovë dhe se është i sigurtë që për operacionet në Kosovë, BE-ja do të sigurojë edhe mjetet financiare. Solana e tha këtë pas takimit të Këshillit të Përhershëm të NATO-s dhe të Komitetit për Siguri dhe bashkëpunim të Bashkimit Evropian.

Javier Solana dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer, thanë se skenari i vetëm për stabilizimin afatgjatë të rajonit të Ballkanit janë integrimet evroatlantike. Për këtë sot Solana dhe Scheffer kanë vlerësuar edhe njëherë se vendimi i NATO-s nga samiti i Rigës për të pranuar Serbinë Bosnje Hercegovinën, Malin e Zi në programin për Partneritet për Paqe, ka qenë vendim shumë i rëndësishëm dhe pozitiv.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s pas takimit me BE-në vlerësoi edhe njëherë rëndësinë e bashkëpunimit mes Aleancës së NATO-s dhe Bashkimit Evropian në shumë operacione ndërkombëtare dhe shtoi se pas caktimit të statusit të Kosovës do të vazhdohet një bashkëpunim i tillë edhe në Kosovë.

Në këtë moment ndër temat më të rëndësishme në takimet e tilla mbetet Serbia dhe situata atje në prag të zgjedhjeve të 21 janarit.
Pas ftesës që i ka bërë NATO-ja Beogradit që të anëtarësohet në programin e Partneritetit për Paqe Solana ka paralajmëruar se pasi të mbarojnë zgjedhjet e 21 janarit, edhe Bashkimi Evropian do të shqyrtojë mundësinë e rifillimit të negociatave me Serbinë.

Negociatat për këtë ishin pezulluar për shkak të mosbashkëpunimit të Beogradit me Tribunalin e Hagës. Ndërkohë për Kosovën diskutohet sot në Bruksel edhe në konferencën e ministrave të jashtëm të vendeve të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian.

Në fjalimin e tij në këtë konferencë, Nënsekretari amerikan i Shtetit Nicholas Burns ka thënë se nuk mund të ketë më shtyrje të zgjidhjes së statusit të Kosovës.





XS
SM
MD
LG