Ndërlidhjet

PEZULLOHET PRIVATIZIMI I KOMPLEKSIT NË BREZOVICË


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Kompleksi turistik në Brezovicë, i cili gjendet në komunën e Shtërpces të banuar me shumicë serbe, megjithë përgatitje t ederitashme për privatizim, nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, ende nuk dihet se kur do të përfundojë ky proces. Ahmet Shala, zëvendës drejtor i Agjencisë kosovare të Mirëbesimit pohon se AKM-ja është e gatshme të përfundojë privatizimin e kësaj qendre, por sipas tij ekzistojnë disa shqetësime për faktin se Brezovica gjendet në një rajon me shumicë serbe.

"Duke i patur parasysh të gjitha këto elemente, kemi vendosur që për një kohë të caktuar të mos ndodhë privatizimi i kësaj ndërmarrjeje. Kohën e saktë nuk mund ta themi, por sigurisht që e vetmja alternativë e të ardhmes më të mirë të atij rajoni dhe të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë në tërësi është tërheqja e investimeve private dhe besoj që edhe palët të cilat tani për tani hezitojnë në këtë hap, do të binden se alternativë tjetër nuk ka", tha zoti Shala.

Bahri Shabani, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Kosovës dhe njëherësh anëtar i bordit të AKM-së pohon se mosprivatizimi i qendrës për ski në Brezovicë, është bërë pa të drejtë ligjore. Ai tha se Agjencia Kosovare e Mirëbesimit nuk po i trajton të gjitha ndërmarrjet shoqërore në mënyrë të barabartë.

"Ne kemi shumë kërkesa të kuvendeve komunale në të gjithë Kosovën, për disa prona, të cilat ata mendojnë se janë prona të kuvendeve komunale, apo edhe për ndërmarrjet e mëdha siç është Ferronikeli, Pallati i Rinisë etj, dhe në këtë rast bordi i AKM-së nuk ka marrë parasysh asnjë kërkesë të kuvendeve komunale apo ndërhyrjet e tyre, ndërkaq që ka marrë për bazë ndërhyrjen që ka bërë Kuvendi Komunal në Brezovicë dhe qeveria e Serbisë drejt për së drejti", tha zoti Shabani.

Por zoti Shala thotë se koha nëpër të cilën po kalon Kosova ka bërë që të mos shqetësohen palët të cilat po ngurrojnë të përfshihen në këtë proces.

"Nuk kisha thënë vetëm për shkak të atyre presioneve, por edhe për shkak të disa elementeve të cilat po e shoqërojnë shoqërinë kosovare tani, statusin final. Dhe disa nga qarqet vendimmarrëse besojnë se më mirë do të ishte që në këtë situatë të mos ngutemi dhe të mos veprojmë për të mos shqetësuar asnjë nga anët, të cilat po hezitojnë", tha zoti Shala.

Ndryshe qendra turistike e Brezovicës duhet të privatizohet me metodën e spin off-it special, që nënkupton ruajtjen e destinimit dhe që sipas zotit Shabani, në këtë proces janë vendosur kritere të veçanta.

"Një sepse ka qenë e paraparë që 80 përqind të jenë të punësuar vendorët, do të thotë komuniteti serb në këtë rast. Ne e kemi pranuar dhe mendoj se kjo është në dëm të Brezovicës, mirëpo është edhe në dëm të privatizimit të përgjithshëm si dhe një pengesë reale në punën e bordit të AKM-së", thotë zoti Shala.

Por Safet Gërxhaliu, nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë se qendra e Brezovicës është një vend shumë tërheqës për investitorët dhe për këtë arsye, AKM-ja nuk është dashur të marrë për bazë presionet e asnjë pale. Shqetësuese për zotin Gërxhaliu është fakti se qendra turistike ka filluar të shkatërrohet.

"Ajo që është dashur dhe që ka qenë një nevojë urgjente ishte që një gjë e tillë të prehet apo të vihet në fund, mirëpo edhe kjo dëshmon realitetin kosovar se sa është qeveria këmbëngulëse dhe sa ka forcë faktori vendor për të vendosur për gjëra të tilla çfarë është Brezovica", tha zoti Gërxhaliu.

Brezovica është qendër kosovare e turizmit veror dhe dimëror. Për vizitorët që pëlqejnë skitë, Brezovica është qendra e turizmit më e vizituar gjatë dimrit në Kosovë. Përveç dy hoteleve në qendrën turistike në Brezovicë ekzistojnë edhe 300 vila të cilat lëshohen me qera.
XS
SM
MD
LG