Ndërlidhjet

logo-print

BURNS: SHBA-TË DUAN QË KS TË MIRATOJË ZGJIDHJEN PËR STATUSIN E KOSOVËS BRENDA SHKURT-MARS


Augustin Palokaj, Bruksel

Nënsekretari amerikan Nicholas Burns, edhe sot ka përsëritur se ndihet i habitur me deklarimet e ambasadorit të Rusisë në Beograd, i cili kishte kërcënuar dje se Rusia do të përdorë veton në Këshillin e Sigurimit.

Burns sikur mbrëmë ashtu dhe sot ka përsëritur se deri më tani nuk ka dëgjuar asnjë zyrtar rus të jetë kërcënuar me veto.

Jam shumë i habitur se si një anëtar i Këshillit të Sigurimit të OKB-së mund të kërcënojë me veto, kur ende as nuk e kemi propozimin e Ahtisarit, ka thënë Burns, duke nënvizuar se mund të ketë ndoshta keqinterpretime të asaj që ka thënë ambasadori rus.

Nicholas Burns ka thënë se në një afat rreth një muaj pas zgjedhjeve të janarit në Serbi duhet të vendoset për statusin e Kosovës. Por që pala ruse mendon ndryshe ka dëshmuar sot edhe Ministri i Jashtëm i Rusisë Sergej Lavrov, i cili në Bruksel ka thënë se pas propozimeve të Ahtisarit duhet të vazhdojnë negociata mes Prishtinës dhe Beogradit dhe nuk mund të ketë, siç është shprehur ai, afate artificiale.
Lavrov ka përsëritur se vendi i tij angazhohet që zgjidhja për statusin e Kosovës të arrihet vetëm me negociata dhe me marrëveshje mes të dyja palëve dhe ajo të jetë e pranueshme për të dyja palët.

Gjatë takimeve të ministrave të OSBE-së ka patur disa takime bilaterale dhe kështu edhe Ministri i Jashtëm i Serbisë Vuk Drashkoviq, është takuar me nënsekretarin amerikan Nicholas Burns dhe me ministrin e jashtëm të Rusisë Sergej Lavrov. Pas këtyre takimeve edhe Drashkoviq, sikurse edhe kolegu i tij rus ka thënë se mendojnë se sipas tyre Ahtisari së pari do të japë propozimin para Grupit të Kontaktit, e pastaj me vërejtjet e këtij grupi do të dorëzojë atë dokument në Beograd dhe Prishtinë dhe më vonë do të bëhen raunde të reja të negociatave në bazë të këtij dokumenti. Por një skenar i tillë nuk duket i llogjikshëm pasi shumë shtete perëndimore pajtohen me arsyetimet e Ahtisarit se janë shteruar të gjitha mundësitë për arritjen e një zgjidhjeje, apo marrëveshjeje në mes të Beogradit dhe Prishtinës.

Takimi i OSBE_së po vazhdon dhe pritet të miratohet edhe një rezolutë për rolin e kësaj organizate në Kosovë pas statusit.
Ndërkohë për Kosovën është folur sot në Bruksel për një konferencë tjetër që po zhvillohet nën organizimin e shoqatës Miqtë e Evropësohet, ku kanë folur shumë ministra dhe kryetarë shtetesh.

Kështu Ministri i Jashtëm i Republikës Çeke Aleksandër Vondra, ka tërhequr vëmendjen se brenda Bashkimit Evropian ka filluar të ketë shenja të frikës nga marrja e vendimeve të vështira për statusin e Kosovës. Ndërkaq presidenti i Republikës së Kroacisë, Stipe Mesiç, ka nënvizuar se pasi të zgjidhet dhe statusi i Kosovës, Serbia do duhet t'i kthehet vetvetes dhe në interes të qytetarëve të Serbisë të merret me problemet brenda kufijve të saj.

Nga Kosova në këtë konferencë merr pjesë ministri Adrian Gjini, i cili është shprehur se Kosova është e gatshme që pavarësia e saj të jetë e mbikqyrur dhe e mbështetur nga bashkësia ndërkombëtare dhe jo të jetë e kushtëzuar.

XS
SM
MD
LG