Ndërlidhjet

PESHKOPI TEODOSIE: BASHKËJETESA NË KOSOVË ËSHTË E MUNDUR


Albana Isufi, Prishtinë

Manastiri i Deçanit është i hapur për të gjithë. Është ky mesazhi i peshkopit të Lipjanit Teodosie, njëherësh përgjegjës për Manastirin e Deçanit. Ai thotë se tradita e të qenit i hapur e Manastirit vazhdon edhe më tej.

Shpallja si zonë e mbrojtur nga ana e ish-shefit të UNMIK-ut Soren Jessen Petersen pat shqetësuar banorët shqiptarë afër Manastirit të Deçanit, të cilët frikësoheshin nga ndalesat eventuale për të pasur qasje në pronat e tyre të përfshira në zonën mbrojtëse.

Peshkopi serb Teodosie thotë se vendimi për të mbrojtur Manastirin është parë se nuk nënkupton edhe ndalimin e qarkullimit të banorëve në atë anë.
“Në fillim patën kundërshtuar shqiptarët lokalë për arsye se patën menduar se nuk do të kenë qasje në këtë zonë dhe se do t’u merret e drejta e pasurisë dhe e drejta për të punuar tokën . Por, më vonë e kanë kuptuar se ky nuk është kurrfarë eksterritorialiteti, në kuptimin se nuk do kenë qasje, se do t’u ndalohet të hyjnë në këtë zonë. Vendimi është kundër atyre që dëshirojnë të prishin bukuritë e natyrës dhe të atyre që duan të ndërtojnë ilegalisht në afërsi të kësaj zone”, thotë peshkopi Teodosie, i cili thotë se Manastiri është i hapur për të gjithë banorët, pa dallim etnie apo religjioni.

“Manastiri çdoherë ka treguar se nuk është i mbyllur për askënd. Ai është i hapur për të gjithë ata që kanë qëllim të mirë, që duan të vijnë këtu me qëllime të mira, për të respektuar këtë vend të shenjtë”, thotë peshkopi Teodosie, duke ofruar edhe raste të kontributit të Manastirit në promovimin e multietnicitetit.

“Kemi rast që në këtë kohë shqiptarët e Kosovës punojnë në rrethinën e Manastirit. Kemi kontraktuar një firmë shqiptare për të na ndërtuar murin rreth Manastirit. Kemi rast se në këtë kohë, shpeshs u ndihmojmë shqiptarëve kur u duhet ndihma mjekësore. Ne gjithmonë jemi të hapur për këtë bashkëpunim”, thotë peshkopi Teodosie.

Peshkopi Teodosije beson se bashkëjetesa mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë është e mundur.
“Si murg, por edhe si njeri , kam shpresë se është e mundur të gjindet mënyra se si të jetohet, pasi që serbët dhe shqiptarët e Kosovës kanë jetuar në Kosovë gjithmonë kështu së bashku. Por, tash është nevojshme që të ndërmerren masa të veçanta, sidomos rreth statusit dhe të drejtës së serbëve dhe nëse kjo definohet në mënyrën e duhur, atëherë do ketë bashkëjetesë. Por, nëse do të ketë diskriminim, frikësohem se serbët nuk do të durojnë një trajtim të tillë që do të ishte shumë keq, jo vetëm për serbët, por edhe për të tjerët”, tha peshkopi Teodosie.

Ai thotë se megjithatë duhet pasur besim në të ardhmen në bashkëjetesë.
“Nëse nuk e kemi këtë besim, dhe këtë shpresë, atëhere veshtirë se do të mbesim në këto hapësira, ku nuk është vështirë të parashihet se çfarë e ardhme na pret”, thotë peshkopi Teodosie, përgjegjës i Manastirit të Deçanit, i cili dy vjet më parë është përfshirë në listën e trashëgimisë botërore që mbrohet nga UNESCO.

Manastiri i Deçanit ka qenë pjesë e bisedimeve për trashëgiminë kulturore të zhvilluara mes Prishtinës dhe Beogradit. Zyrtarët kosovarë nuk e shohin Manastirin si një objekt që i takon ekskluzivisht Kishës Ortodokse Serbe, por si pjesë të trashëgimisë kulturore të Kosovës, por edhe të Evropës.

Sipas UNESCO-s Manastiri i Deçanit është kisha më e madhe bizantine në Ballkan.
XS
SM
MD
LG