Ndërlidhjet

LIROHET NGA AKUZAT PABLO BARAYBAR


Albana Isufi, Prishtinë

Drejtori i Zyrës për Persona të Zhdukur dhe Mjekësi Ligjore, Hose Pablo Baraybar është liruar nga akuzat se ka marrë në mënyrë të paligjshme eshtra të kufomave të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Zëdhënësi i UNMIK-ut Neeraj Singh njofton se hetimet e kryera nga një prokuror ndërkombëtar kanë konkluduar se Baraybar nuk ka bërë shkelje të ligjit.

“Deklaratat kundër Baraybarit kanë qenë se gjatë periudhës tetor- dhjetor 2003, zoti Baraybar ka marrë eshtra në morgun e Rahovecit për kërkim shkencor pa ndonjë autorizim. Sipas ligjit prokurori ka kryer një hetim për të përcaktuar nëse ka pasur bazë për aktpadi. Më 30 nëntor prokurori ka dorëzuar raportin e tij në Departamentin e Drejtësisë, sipas të cilit, pas hetimit të fakteve është arritur në konkluzionin se nuk është kryer asnjë krim me marrjen e eshtrave nga morgu”, thotë Neeraj Singh.

Avokati Tomë Gashi, në emër të Asociacioneve të Familjarëve të të Pagjeturve pati dorëzuar në shkurt të këtij viti kallëzim penal në prokurori kundër zotit Baraybar. Ai akuzonte Baraybarin për marrjen e më shumë se 400 pjesëve të eshtrave nga kufomat shqiptare. Gashi thotë se kallëzimi penal ka qenë i bazuar. Por, pas vendimit të prokurorit, Gashi thotë se tani do të ngritet një aktakuzë e cila do të dorëzohet në gjykatë. Nëse Departamenti i Drejtësisë konsideron se asociacioni nuk mund të ndjekë privatisht zotin Baraybar, Tomë Gashi thotë se do të ngrihen aktpadi për secilin rast veç e veç.

“Ne do të ngremë një aktakuzë private dhe besoj se do të lejohet të ngrihet aktakuzë në emër të asociacionit. Nëse kjo nuk lejohet për çfarëdo arsye që Departamenti i Drejtësisë e konsideron të nevojshme, atëhere ne do të ngremë aktakuza për secilin person. Pra do të ngremë afërsisht 400 padi", thotë Gashi.

Por, Neeraj Singh thotë se kallëzimi penal, përveç dhimbjes, nuk ka sjellë të mira familjarëve të personave të pagjetur.
“Në këtë kontekst duam të përsërisim përkushtimin e UNMIK-ut për të gjetur fatin e të humburve dhe për të sqaruar spekullimet e publikut, të cilat vetëm kanë përkeqësuar tragjedinë e familjarëve të personave të pagjetur”, thotë Singh.

Hose Pablo Baraybar mbetet ende zyrtarisht drejtor i Zyrës për Personat e Zhdukur dhe Mjekësi Ligjore. Por, ai tash disa muaj gjendet në pushim mjekësor.

Ndryshe, në Kosovë të zhdukur konsiderohen edhe 2150 persona, përderisa deri tash 1807 persona janë shpallur të vdekur dhe mbetjet e tyre u janë kthyer familjeve.
Zyra për Persona të Zhdukur dhe Mjekësi Ligjore ka nisur një projekt përkujtues të quajtur “Zërat”, i cili ka për qëllim që të mbledhë përvojat e familjarëve të personave të zhdukur.

XS
SM
MD
LG