Ndërlidhjet

KOSOVA NJË NGA PRIORITETET GJATË PRESIDENCËS GJERMANE TË BE-SË


Augustin Palokaj, Bruksel

Gjetja e një zgjidhjeje për statusin e Kosovës dhe arritja e një pajtimi brenda Bashkimit Evropian do të jetë njëra nga sfidat më të rënda me të cilat do të ndeshet presidenca gjermane e Bashkimit Evropian, e cila fillon në pjesën e parë të vitit që vjen.

Kështu ka thënë sot në Bruksel ambasadori i Gjermanisë në BE, duke paralajmëruar prioritetet e presidencës gjermane të BE-së. Ai tha se Kosova është një gjë, e cila për secilën presidencë të Bashkimit Evropian mund të jetë një problem që është i vështirë të kontrollohet. Ambasadori gjerman foli për vazhdimin e procesit pasi Ahtisari do të bëjë propozimet e tij për zgjidhjen, por ai tha se Ahtisari ua ka bërë të qartë vendeve të BE-së se nuk pret ndonjë mundësi që zgjidhja për statusin e Kosovës të jetë e negociuar. Po ashtu, tha ambasadori gjerman, Rusia na ka thënë qartë se rusët do të pranojnë vetëm atë që pranojnë serbët, ndërsa serbët nuk do të pranojnë asnjë lloj pavarësie për Kosovën dhe shqiptarët pranojnë vetëm pavarësi. Këto i tha ai vetëm për të shpjeguar se sa problematik do të jetë për BE-në zgjidhja e çështjes së Kosovës.

Ndërkaq në pyetjen tonë se a mund të arrihet pajtim brenda BE-së, sepse nuk është vetëm Rusia ajo që kundërshton pavarësinë e Kosovës, por ka dhe vende në BE, siç janë Spanja dhe Rumania, ambasadori gjerman tha se mund të thotë me një siguri shumë të madhe se kur Këshilli i Sigurimit të caktojë statusin, atëhere BE-ja nuk do të bëjë problem dhe BE-ja do të pranojë atë zgjidhje.

Sikur të ishte problemi vetëm tek Bashkimi Evropian, do të ishte më e lehtë të gjendej zgjidhja, por problemi është që këtë zgjidhje duhet ta gjejë Organizata e Kombeve të Bashkuara, ka thënë ambasadori gjerman. Në debate për prioritetet e Gjermanisë gjatë presidencës së BE-së, sot ka folur edhe ambasadori rus, i cili ka thënë se Rusia kupton se Ahtisari nuk ka mandat për të gjetur zgjidhjen për Kosovën, por vetëm për të bërë propozime.

Sido që të jetë, ambasadori gjerman edhe në këtë vërejtje u përgjigj se pas propozimeve të Ahtisarit, disi duhet të jetë gjetur një zgjidhje, sepse në të kundërtën do të kemi probleme, e askush më në Kosovë nuk dëshiron probleme.

Përndryshe ndër prioritetet më të mëdha të presidencës gjermane ai tha se do të jenë edhe reformat institucionale të Bashkimit Evropian, gjetja e një zgjidhjeje për kushtetutën, e cila është refuzuar në dy shtete, por është ratifikuar në shumicën prej tyre, sikur edhe vazhdimi i procesit të negociatave me Turqinë, sepse edhe këtu mund të parashikohen probleme.


XS
SM
MD
LG