Ndërlidhjet

UASHINGTON


Paneli i nivelit të lartë i Shteteve të Bashkuara ka konkluduar se politika e presidentit George Bush në Irak "nuk është duke funksionuar". Komisioni i themeluar nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara ftoi administratën e presidentit Bush që nëpërmjet diplomacisë ta stabilizoj situatën në Irak dhe të lejoj tërheqjen e shumicës së trupave luftarake deri në fillim të vitit 2008. Në këtë raport, presidentit Bush i bëhet thirrje, të filloi ofenzivë diplomatike ku do të përfshihej Irani, Siria dhe vendet tjera të Lindjes së Mesme, të cilat do të ndihmonin në përfundimin e luftës në Irak.
Ish sekretari amerikan i shtetit James Baker, udhëheqës i Grupit Studiues për Irakun, tha se raporti fton SHBA-të, t'i shtojnë trajnimet ushtarake për trupat irakiane, dhe se raporti nuk favorizon ndarjen e Irakut në vija etnike.
"Nuk ka ndonjë formulë magjike që do të zgjidhte problemin e Irakut. Por për t'i dhënë rastin qeverisë së Irakur që të arrijë sukses, politika e Shteteve të Bashkuara duhet të fokusohet më gjerësisht e jo vetëm në strategjinë ushtarake apo vetëm në çështjen e Irakut. Duhet siguruar përfshirjen e të gjitha qeverive të cilat kanë interes në menjanimin e kaosit në Irak, përfshi të gjitha vendet fqinje", tha Baker.
Presidenti George Bush pas takimit me anëtarë të këtij Grupi në Shtëpinë e Bardhë, tha se do t'i merr shumë seriozisht rekomandimet e tyre.
"Këtë raport, të quajtur 'Rruga përpara', administrata do ta merr shumë seriozisht. Raporti nxjerr në pah vlerësime të ashpëra për situatën në Irak, dhe njëherësh propozime interesante, të cilat do t'i marrim shumë seriozisht dhe do të reagojmë me kohë", tha Bush.
Njëri nga udhëheqësit e Grupit Studiues, ish kongresisti demokrat Lee Hamilton tha se është koha që presidenti Bush të bëjë ndryshime thelbësore. "Qasja aktuale nuk është duke funksionuar. Aftësitë e Shteteve të Bashkuara për të ndikuar në këto zhvillime janë zvogëluar", tha Hamilton.
XS
SM
MD
LG