Ndërlidhjet

logo-print

RUECKER:"KOSOVA KA NEVOJË PËR KOMUNITETIN NDËRKOMBËTAR"


Joachim RUECKER, Shef i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ruecker, Kosova po hyn në vitin tjetër me pritjet për zgjidhjen e statusit politik. Kur mendoni se do të ndodhë kjo?

JOACHIM RUECKER
Unë kam besim të plotë në atë që unë e quaj proces të Ahtisaarit, pra në procesin që udhëhiqet nga i dërguari i posaçëm, Martti Ahtisaari, se do të gjejë një zgjidhje mbi statusin final të Kosovës. Siç e dini, zoti Ahtisaari do ta prezantojë pakon dhe propozimin e tij menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare në Serbi. Pastaj, me sa e di unë, ndonëse ai është përgjegjës në këtë process, propozimi do të shqyrtohet me palët dhe do të dërgohet pas nëj periudhe të shkurtër në New York. Unë pres që Këshilli i Sigurimit të merret me këtë çështje në pranverë.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa analistë thonë se propozimi i zotit Ahtisaari nuk do ta qartësojë statusin dhe vendet botërore do të mund të vendosnin individualisht nëse duan ta pranojnë atë. Si e shihni ju këtë çështje?

JOACHIM RUECKER
Unë zakonisht nuk dua të spekuloj se cili do të jetë saktësisht procesi që do të pasojë shqyrtimin e propozimit pasi të ketë arritur në Këshillin e Sigurimit. Unë megjithatë besoj se pakoja, në përmbajtje, do të jetë e pamohueshme dhe se vlerësimi do të pranohet edhe nga Këshilli i Sigurimit. Unë mendoj se atë që Martti Ahtisaari vë në tavolinë do të jetë e pranueshme për të gjitha palët.

RADIO EVROPA E LIRË
Në një deklaratë të tij të fundit, zoti Ahtisaari ka thënë se statusi do t’i mundësojë Kosovës qasje në institucionet ndërkombëtare financiare. Por, çfarë do të ndodhë me qasjen në institucionet ndërkombëtare politike?

JOACHIM RUECKER
Sërish, mendoj se tani kemi hyrë thellë në spekulimet mbi përmbajtjen e pakos. Megjithatë, në vija të trasha mendoj se e dimë se çfarë elementesh përmban propozimi lidhur me decentralizimin, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, lidhur me mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe kapitullin ekonomik. Por, për detajet na duhet të presim deri në fund të muajit janar dhe sa u përket institucioneve ndërkombëtare, unë mendoj se kjo është çështje e aplikimit dhe pranimit të anëtarësimit nga cilido institucion ndërkombëtar.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse zgjidhja për statusin vonohet, udhëheqësit kosovarë kanë paralajmëruar mundësinë e një vendimi të njëanshëm për statusin. Cili është qëndrimi juaj?

JOACHIM RUECKER
Çdo iluzion për marrjen e vendimeve të njëanshme janë natyrisht kundërproduktive. Kosova ka nevojë për komunitetin ndërkombëtar në zgjidhjen e statusit.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju keni thënë se reformat e pushtetit lokal të cilat parashihen me decentralizimin do të çojnë deri tek një integrim më i mirë i komuniteteve pakicë dhe jo tek ndarjet. Në këtë kuadër, a besoni se decentralizimi do të ndihmojë zgjidhjen e problemeve edhe në veriun e Kosovës?

JOACHIM RUECKER
Po. Unë mendoj se decentralizimi do të jetë shumë
i mirë dhe do të ndihmojë të ruajë kohezionin politik në Kosovë. Ekzistojnë përvoja të mira të decentralizimit, që kanë të bëjnë me rritjen e nivelit të vetëqeverisjes lokale. Në pjesët tjera të botës, si për shembull në vendlindjen time në Gjermani, kemi traditë të gjatë të nivelit të lartë të vetëqeverisjes lokale. Kjo natyrisht ndihmon kohezionin e një vendi dhe pres që e njejta të ndodhë edhe në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe si e shihni Mitrovicën në të ardhmen, të ndarë apo të integruar?

JOACHIM RUECKER
Unë mendoj se pjesa veriore dhe ajo jugore e Mitrovicës i takojnë njëra tjetrës. Pres që të ketë një lloj ombrelle mbi të dyja pjesët e qytetit edhe pas definimit të statusit.

RADIO EVROPA E LIRË
Si shef i Misionit të Kombeve të Bashkuara, cilat janë vështirësitë me të cilat përballeni më së shumti në afrimin e komunitetit shqiptar dhe atij serb?

JOACHIM RUECKER
Unë mendoj se problemi i vetëm dhe më i madh është fakti se Beogradi është duke penguar serbët e Kosovës që të integrohen në institucione dhe në jetën politike dhe ekonomike në Kosovë. Unë e di se shumë serbë të Kosovës janë të brengosur për të ardhmen e tyre, e dinë se e ardhmja e tyre është në një Kosovë demokratike dhe shumëkombëshe dhe ata do të donin të përfshiheshin. Unë mendoj se komuniteti ndërkombëtar, pra UNMIK-u dhe të tjetrët, me të drejtë janë duke i bërë thirrje Beogradit që të heqin pengesat që kanë vënë para serbëve të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ruecker, Misioni i Kombeve të Bashkuara dhe institucionet vendore janë duke bërë përgatitjet për arranzhimet e periudhës së pas-statusit. Për çfarë arranzhimesh bëhet fjalë saktësisht?

JOACHIM RUECKER
Në kuptimin praktik, ne na duhet të përgatitemi për bartjen e përgjegjësive të fushave të ndryshme të UNMIK-ut në duart e autoriteteve vendore dhe një shkallë më të ulët në duart e misionit të ardhshëm ndërkombëtar. Përgatitjet kanë të bëjnë me bazat ligjore mbi të cilat funksionojmë, ligjet e ndryshme, rregulloret dhe udhëzimet administrative. Të gjitha këto duhet të shqyrtohen dhe duhet të sigurohemi që ato të ndryshojnë dhe t’i përshtaten periudhës së pas-statusit apo të ripërtërihen me hartimin e ligjeve dhe rregulloreve të reja. I gjithë ky process duhet të bëhet në mënyrë profesionale dhe të detajizuar. Edhe ministritë e ndryshme duhet të përgatiten për të marrë përsipër përgjegjësitë të cilat aktualisht ende i takojnë UNMIK-ut. KJo është shumë e rëndësishme, sikur që është edhe procesi i udhëhequr nga Kuvendi i Kosovës dhe Grupi Negociator për hartimin e një Kushtetute të re dhe ligjit të ri zgjedhor. Të gjitha këto duhet të përgatiten.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ruecker, ju do ta prezantoni raportin tuaj mbi zbatimin e standardeve në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit më 13 dhjetor. Cila do të jetë porosia juaj?

JOACHIM RUECKER
Këtë raport ne e paraqesim çdo tre muaj tek Këshilli i Sigurimit mbi zbatimin e standardeve dhe natyrisht, do të përqëndrohem në tetë standardet dhe 13 detyrimet e posaçme që Grupi i Kontaktit ua ka caktuar institucioneve të përkohshme vetëqeverisëse. Vlerësimi im i përgjithshëm do të jetë se ka pasur përparim dhe përgjithësisht do të jetë një vlerësim pozitiv. Por, mendoj se ka nevojë për më shumë përparime në sundimin e ligjit, në sistemin e drejtësisë dhe veçanërisht në zvarritjen e rasteve nëpër gjykata. Na duhet të bëjmë edhe më shumë për t’i zgjatur dorën komuniteteve pakicë, në mënyrë që ato të ndihen të integruara tërësisht në shoqërinë kosovare. E thashë edhe më parë se për një gjë të këtillë na duhet edhe Beogradi sepse është rrugë me dy kahje dhe dorën e shtrirë duhet ta pranojë dikush. Sidoqoftë, përparimet në këtë fushë janë ende të nevojshme.

Intervistoi: Arbana VIDISHIQI
XS
SM
MD
LG